Cilësitë e robërve të të Gjithëmëshirshmit

Hoxhë Lulzim Perçuku

Cilësia e parë: Përulja ndaj Allahut dhe modestia ndaj robërve të Tij, ecja me thjeshtësi dhe qetësi nëpër tokë

Allahu thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” Surja Furkan, 63. Nëse dikush e ka besimin ashtu siç duhet ta ketë, atëherë patjetër do ta ketë edhe këtë cilësi: të ecurit nëpër tokë me thjeshtësi e modesti, jo me kryelartësi, me mburrje, duke e llogaritur veten më të lartë sesa të tjerët. E nëse ndodh që nëpër ndeja apo rrugë, të tillët (që e posedojnë këtë cilësi të mirë) të hasin në njerëz mendjelehtë, zullumqarë, të devijuar, të cilët u drejtohen me fjalë rënduese, atëherë ata u thonë fjalë të mira, të sakta, të shëndosha, ashtu siç i përshkruan Allahu: “selam”, fjalë që janë paqe në vetët e tyre.

Pra, “selam” është për qëllim se atë injorancë nuk e kthejnë me të njëjtën mënyrë; injorancën e të paditurve e padrejtësinë e tyre nuk e kthejnë me padrejtësi. Mirëpo, largohen prej tyre. E fjalët që ua drejtojnë pastaj atyre, janë fjalë të cilat janë të shëndosha. “Selam” është për qëllim “selim”, që janë fjalë të shëndosha, nuk janë sikurse fjalët e atyre të të paditurve, janë të pastra prej asaj padrejtësie. Gjithashtu ato janë fjalë të sakta, sipas udhëzimit dhe të vërtetës.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka udhëzuar se çfarë të themi kur dalim nga shtëpia. Ajo është:  “O Allah, kërkoj mbrojte tek Ti që të mos e devijoj ndokënd dhe të mos më devijojë ndokush mua! Të mos i bëj padrejtësi ndokujt dhe as të tjerët të mos më bëjnë padrejtësi mua! Dhe të mos e ofendoj (rëndoj) ndokënd dhe të mos më ofendojë ndokush mua!”

“Dhe të mos e ofendoj (rëndoj) ndokënd dhe të mos më ofendojë ndokush mua!”- ky është kuptimi që ka ardhur në këtë ajet. Edhe ti duhet të kërkosh mbrojtje që të mos e ofendosh apo rëndosh dikë me fjalët e tua, por edhe të tjerët mos të ofendojnë dhe rëndojnë ty. Në këtë mënyrë robi i të Gjithëmëshirshmit arrin ta mbrojë veten e tij prej injorancës apo padrejtësisë që ia shkaktojnë të tjerët kur del nga shtëpia. Kështu ai shpëton me lejen e Allahut.

Cilësia e dytë: I kushtojnë kujdes të madh namazit të natës

Allahu thotë: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë…” Surja Furkan, 63. Robërit e të gjithëmëshirshmit janë ata të cilët i kushtojnë kujdes të madh namazit të natës, ngrihen dhe e adhurojnë Allahun gjatë natës, me sinqeritet ndaj Tij, duke qëndruar në sexhde, në ruku dhe në kijam (në këmbë), me përulje dhe nënshtrim ndaj Tij.

Thotë Allahu: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë…” (Furkan, 64). Ata kanë pjesë (hise) në namazin e natës. Ndaj, secili njeri duhet të ketë pjesë (hise) në këtë namaz, sidomos me faljen e namazit të vitrit, që është sunnet i fortë dhe për vlerën e të cilit kanë ardhur hadithe të shumta nga Profeti salAllahu alejhi ue selem. Çështja e namazit të vitrit është e madhe dhe nuk duhet ta marrim si diçka të lehtë. Pra, myslimani duhet të ketë kujdes që vitrin ta falë gjatë natës.

Vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka falur namazin e natës në pjesë të ndryshme të natës. Nganjëherë e ka falur në fillim të natës, nganjëherë në mes të natës dhe nganjëherë në fund të saj. Nëse besimtari ka mundësi që të ketë hise në namazin e natës në pjesën e fundit të natës, kjo është edhe më e mirë, ngase kjo është koha kur më së shumti shpresohet që të merret përgjigje nga Allahu për lutjet dhe është koha kur istigfari pranohet më shumë.

Besimtari i cili është rob i të Gjithëmëshirshmit, duhet të ketë hise në namazin e natës, duke e kaluar një pjesë të natës në ruku, në sexhde dhe në këmbë, duke e adhuruar Allahun, duke biseduar me Të dhe duke iu drejtuar Atij me lutje të ndryshme, me përulje dhe përgjërim. “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre…”, kjo tregon se ata këtë namaz e bëjnë për hir të Allahut të Madhëruar, sinqerisht për Të. Nëse kjo është gjendja e robërve të të Gjithëmëshirshmit, pra se ata i kushtojnë rëndësi kaq të madhe namazit të natës, kjo tregon se gjendja e tyre ndaj farzeve që Allahu ua ka bërë obligim është edhe më e mirë, në nivel më të duhur. Andaj, besimtari duhet të ketë hise në këtë cilësi të robërve të të Gjithëmëshirshmit: të ngrihet natën e të falë namaz për hir të Tij.

Cilësia e tretë: Kanë frikë të madhe prej zjarrit të xhehenemit dhe luten t’i mbrojë Allahu prej tij

 

Allahu thotë: “dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq…” Surja Furkan, 65-66. Robërit e të Gjithëmëshirshmit, përveç që i kushtojnë rëndësi adhurimit ndaj Allahut, që tregohen modest (jo mendjemëdhenj e kryelartë) ndaj Tij dhe ndaj robërve të Tij, që falin namaz të natës, që bëjnë vepra të mira e të shumta dhe mundohen që ato t’i kryejnë në mënyrën e duhur dhe më të mirë, pra sipas sunnetit profetik, Allahu tregon se ata po ashtu kanë frikë të madhe prej zjarrit të xhehenemit.

Allahu thotë: “…kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” Surja Isra, 57.  Besimtari duhet të ketë frikë prej ndëshkimit të Allahut. Hasan el Basriu rahimehullah ka thënë: “Besimtari bashkon mes bamirësisë (punëve të tij të mira) dhe frikës. Ndërsa, hipokriti bashkon mes punëve të tij të këqija dhe sigurisë (nuk e ka frikë Allahun dhe dënimin e Tij).”

Kjo frikë e tij është qortuesi që nuk e le të bie në mëkate dhe gabime. Besimtari nuk duhet të ketë vetëm frikë, mirëpo siç e lexuam në ajetin më lartë: “…duke shpresuar mëshirën e Tij…”, pra duhet të ketë shpresë të madhe në Mëshirën e Allahut. Mëshira e Allahut është ajo që e udhëheqë atë, ia hap rrugët drejt virtyteve të larta e veprave të mira me të cilat afrohet tek Ai. Frika e qorton që të mos bie në mëkate dhe shkelje, ndërsa shpresa ia hap rrugët dhe e prin drejt veprave të mira.

Allahu tregon se si luten robërit e të Gjithëmëshirshmit: “…ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit…” Kjo është një lutje përmes së cilës luten që Allahu t’ua largojë dënimin e zjarrit të xhehenemit, mirëpo njëkohësisht përveç kësaj, kuptimi është: të luten që Allahu t’i largojë edhe prej shkaqeve dhe rrugëve të cilat nëse ndiqen, atëherë ato çojnë në zjarrin e xhehenemit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “O Allah, kërkoj nga Ti xhenetin dhe çdo fjalë apo vepër (rrugë) që çon në të! Dhe kërkoj mbrojtje prej zjarrit të xhehenemit dhe prej çdo fjale apo vepre (rruge) që çon në të!”

 

Cilësia e katërt: I kushtojnë kujdes të madh shpenzimit të pasurisë

Allahu thotë: “…dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes…” Surja Furkan, 67. Robërit e të Gjithëmëshirshmit i kushtojnë kujdes të madh shpenzimit të pasurisë, dhënies për hir të Allahut nga ajo që është obligim (zekati) dhe nga ajo që është e pëlqyer (mustehab). Në këtë gjë ata janë mesatarë, as nuk shpenzojnë shumë duke e lënë keq veten e familjen dhe as nuk janë dorështrënguar; as nuk e teprojnë dhe as nuk janë neglizhent. Allahu thotë: “…dhe ata që kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes…”

Prej besimtarit kërkohet që të jetë mesatar në të gjitha çështjet e fesë (jo vetëm te shpenzimi i pasurisë), as të kalojë kufijtë dhe as të jetë neglizhent, mirëpo t’i përmbahet të mesmes.

Sa u përket çështjeve të fesë apo adhurimeve, njerëzit ndahen në tri grupe:

  1. Ekstremistët, ata që i kalojnë kufijtë duke e tepruar në fe,
  2. Neglizhentët, ata që nuk i përmbahen fare fesë,
  3. Të mesmit, ata që i përmbahen rrugës së mesme.

Cilësia e pestë: Largohen prej mëkateve të mëdha

 

Allahu thotë: “…dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.” Surja Furkan, 68. Në këtë ajet, Allahu përmend tri prej mëkateve të mëdha, të cilat janë prej mëkateve më të mëdha që i veprojnë njerëzit. Allahu i përmend ngase ato janë prej mëkateve më të mëdha në mesin e mëkateve të mëdha.  Ata që u largohen këtyre tri mëkateve më të mëdha, u largohen edhe të tjerave. Allahu thotë: “…dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.” Furkan, 68-69.

 

Shirku- është i ndërlidhur me të drejtën e Allahut ndaj robërve të Tij. E drejta e Allahut ndaj robërve të Tij është që ata ta adhurojnë Atë të Vetëm dhe të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim. Nëse ndokush e adhuron dhe e lut së bashku me Allahun edhe dikë tjetër, apo një pjesë të adhurimit ia kushton dikujt tjetër përveç Tij, atëherë ai e ka vepruar mëkatin më të madh prej mëkateve shkatërruese, krimin më të madh- shirkun. Njeriu nuk ka bërë mëkat dhe krim më të madh sesa kur adhuron dikë tjetër krahas Allahut, apo kur një pjesë të adhurimit ia dedikon dikujt tjetër përveç Tij. Allahu thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” Lukman, 13. Po ashtu thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” Nisa, 48. Pra, padrejtësia më e madhe që e vepron njeriu, është të adhuruarit e dikujt tjetër përveç Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A doni t’ju tregoj se cili është mëkati më i madh prej mëkateve të mëdha?” I thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut!” Tha: “I pari është shirku, pastaj mosrespektimi ndaj prindërve.” Duke i thënë këto fjalë ai ishte i mbështetur. Pastaj, u drejtua dhe tha: “Dhe fjala e rreme dhe dëshmia e rrejshme.”

Allahu, në kontekstin e këtyre ajeteve nga surja Furkan, përmend se robërit e të Gjithëmëshirshmit përveç që largohen prej mëkateve të mëdha, gjithashtu thotë se nëse ndodh që ata ta veprojnë ndonjë mëkat tjetër apo ndonjë mangësi, menjëherë shpeshtojnë të pendohen sinqerisht tek Allahu. Allahu thotë: “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira.” Të tillët do të kenë shpërblim të madh tek Allahu. Nëse njeriu kthehet tek Allahu me pendim të sinqertë dhe i braktis mëkatet e mëdha, Allahu thotë se: “Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira..” Furkan, 70. Përveç që Ai ua fshin mëkatet, po ashtu veprat e këqija ua shndërron në vepra të mira. “Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira…” pra, që nuk vazhdon më me mëkate të kaluara, por pjesën tjetër të jetës e mbush me vepra të mira, “…është i kthyer krejtësisht nga Allahu.” Furkan, 70-71.

I tillë duhet të jetë robi i të Gjithëmëshirshmit: të shpejtojë të pendohet dhe të kthehet tek Allahu sinqerisht dhe që vazhdimisht të shtojë veprat e mira, të pastra, llojet e ndryshme të adhurimeve ndaj Allahut me të cilat ai afrohet tek Ai, në mënyrë që pastaj Allahu përmes tyre t’ia falë mëkatet e kaluara.

Kur njeriu pendohet sinqerisht tek Allahu dhe vazhdon me vepra të mira, veprat e këqija Allahu ia fshin dhe ia zëvendëson me vepra të mira.

Cilësia e gjashtë: Qëndrojnë larg ndejave të kota

 

Allahu thotë: “(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet…” Furkan, 72. Cilësia e gjashtë e robërve të të Gjithëmëshirshmit është se ata qëndrojnë larg ndejave të së kotës, dëfrimit, lojërave, të cilat e largojnë njeriun prej përmendjes së Allahut dhe në të cilat bëhen mëkate. Ata tregohen të kujdesshëm që mos t’i frekuentojnë ndejat e tilla. Ata e ngrenë veten lartë duke mos rënë në nivel të ulët duke prezantuar aty. Ata nuk e dëshmojnë të kotën nënkupton se nuk prezantojnë në ndejat e kota, nuk marrin pjesë së bashku me ata që thirrin në të kotën dhe nuk ulen aty ku thirret për në të kotën.

Ndejat e së kotës janë:

Ndejat në të cilat thirret për devijime

Ndejat e së kotës janë ato ndeja që janë të ndërtuara mbi devijime të ndryshme, si: mbi bidate, në të cilat thirret në bidate në fe, mendime dhe në opinione të kota që e kundërshtojnë Kuranin dhe sunnetin dhe rrugën e të parëve.

Ndejat në të cilat thirret për mëkate

Po ashtu, robi i të Gjithëmëshirshmit nuk prezanton në ndejat në të cilat i bëhet mëkat Allahut, apo në të cilat flitet dhe thirret drejt mëkatit duke e nxitur njëri-tjetrin për mëkate dhe të këqija.

Ndejat në të cilat bëhet përgojim

Shumë prej njerëzve nuk i kushtojnë rëndësi ndejave në të cilat bëhet përgojim, përfolën të tjerët, barten fjalë, tregohet për të tjerët, preket nderi i të tjerëve, i myslimanëve, nënçmohen, përulen, tallen dhe përqeshen të tjerët, e të cilat duhet të braktisen e të mos frekuentohen.

E nëse ndodh Allahu ta bëjë kader që rruga ta çojë njeriun në këto ndeja, apo të kalojë rastësisht pranë e tyre, atëherë ai kalon duke e ngritur dhe nderuar vetveten, pra duke mos u ulur aty si bashkëpjesëmarrës me të tjerët, të cilët thërrasin në ato gjëra që i përmendëm më lart.  Allahu thotë: “…kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet…”

 

Cilësia e shtatë: E madhërojnë Fjalën e Allahut, Kuranin

Allahu thotë: “…edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër…” Furkan, 73. Cilësia e shtatë e robërve të të Gjithëmëshirshmit është se ata e madhërojnë Fjalën e Allahut, Kuranin. Fjala e Allahut zë vend të madh në zemrat e tyre dhe ka pozitë të lartë në gjokset e tyre. Kur u vijnë Fjalët e Allahut, ata nuk ia kthejnë shpinën, nuk i braktisin. Fjalët e Allahut dhe hadithet profetike, ata nuk i krahasojnë apo t’i llogarisin si të barabarta me fjalët e njerëzve.

Allahu thotë: “…edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër…” nuk ia kthejnë shpinën, nuk i llogarisin si fjalë të zakonshme të njerëzve dhe nuk e refuzojnë atë në të cilën Allahu thërret në Fjalët e Tij. Robi i të gjithëmëshirshmit i madhërojnë Fjalët e Allahut dhe kur i lexojnë ato, i dëgjojnë me vëmendje (me heshtje) dhe përfitojnë prej tyre. Kështu duhet të veprojmë, duke i dëgjuar me vëmendje në mënyrën më të mirë e më të bukur, pastaj të përfitojmë së pari me zemër e pastaj dhe me vepra.

Pra, duhet të heshtim kur lexohet Kurani, ta dëgjojmë në mënyrën më të mirë, ta respektojmë dhe madhërojmë atë. E si rezultat i kësaj, është se patjetër do të përfitojmë prej Fjalëve të Allahut, kjo në mënyrën më të mirë: duke vepruar me udhëzimet dhe mësimet të cilat Allahu i përmend në Fjalët e Tij.

Prandaj, kjo është për qëllim me atë se Fjalët e Allahut apo këshillën e Tij e pranojnë ata që kanë zemra të shëndosha. Këta përfitojnë prej Fjalëve të Tij. Allahu thotë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” Kaf, 37.

Këtu përfshihen edhe hadithet e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, ngase “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” Nexhm, 3-4. Andaj edhe hadithet e tij duhet t’i respektojmë dhe t’i madhërojmë në këtë mënyrën që e përmendëm, ngase edhe hadithet janë shpallje prej Allahut të Madhërishëm.

 

Cilësia e tetë: I kushtojnë rëndësi bërjes së lutjeve drejtuar Allahut

 

Allahu thotë: “…edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” Furkan 74. Cilësia e tetë e robërve të të Gjithëmëshirshmit është se ata i kushtojnë rëndësi të madhe lutjes drejtuar Allahut, sidomos atyre që janë përmbledhëse. Ata gjithherë e ndjejnë veten si nevojtarë për Allahun, kërkojnë strehim dhe mbrojtje tek Ai, gjithnjë kthehen tek Ai. Ata, nevojat, interesat e dobitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, i kërkojnë vetëm prej Allahut, shpresojnë veç tek Ai për plotësimin/realizimin e tyre, e jo tek dikush tjetër.

 

Qëllimi me lutjet përmbledhëse janë lutjet që në vete përmbledhin kuptime të shumta. E këto janë përmendur në Kuran dhe në hadithet profetike.  Prej lutjeve që i bëjnë robërit e të Gjithëmëshirshmit, siç e përmend Allahu në këtë ajet, është: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”, e cila është prej lutjeve më të dobishme e më përmbledhëse. Kjo lutje përmbledh atë që është lumturia e besimtarit në dunja dhe ahiret.

Qëllimi me: “dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë…” është që kur t’i shohim, të na kënaqet syri dhe shpirti. E syri dhe shpirti i besimtarit kënaqet kur i sheh ata (gruan dhe fëmijët) të mirë e të devotshëm në adhurimin ndaj Allahut, duke e bërë atë ashtu siç ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, duke qenë me moral të mirë, me virtyte të larta, me bamirësi ndaj familjes dhe të tjerëve.

Dijetarët kanë përmendur se qëllimi me fjalën “…dhe bëna shembull për të mirët!”, është: na bëj së pari pasues të njerëzve të devotshëm, pastaj na bëj shembull/model për të devotshmit, ngase njeriu nuk ka mundësi të jetë shembull për të devotshmit pa i pasuar më parë të devotshmit para tij. Kështu, ta marrin për shembull sidomos familjarët e tij (gruaja dhe fëmijët).

 

***

 

 

Pas këtyre ajeteve, Allahu e përmend shpërblimin e madh për ata që i posedojnë këto cilësi. Ai thotë: “Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.” Gjatë pajisjes me këto cilësi është lypsur durim i madh prej tyre. E për shkak të këtij durimi, Allahu i shpërblen ata me vende e pozitat më të larta në xhenet. Banorët e xhenetit që janë në pozita më të ulëta, kur dëshirojnë të shohin vendosjen (pozitat) e këtyre banorëve, duhet ta ngrehin kokën lartë, ashtu siç veprojnë banorët e tokës kur duan ta shohin një yll në qiell. Pra, këta mbartës të këtyre tetë cilësive qëndrojnë lartë në raport me banorët e tjerë të xhenetit.

“…do të mirëpriten e do të gjejnë paqe” engjëjt i mirëpresin ata në xhenet me selam. Qëllimi gjithashtu me selam është se kur këta njerëz do të hyjnë në xhenet, do të jenë në selamet, të shpëtuar nga mangësitë që i kanë pasur në këtë botë, si: sëmundjet,  të këqijat, fatkeqësitë etj. Kënaqësia e xhenetit është e plotë, pa mangësi, pa asnjë të keqe, ndryshe nga kënaqësitë e kësaj bote.

Pastaj Allahu thotë: “Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm.” Pra, nuk ka mundësi askush të shpëtojë prej Dënimit të Allahut përveç atij të cilit Ai i ka dhënë sukses për të qenë adhurues në rrugën e drejtë të Tij. Përndryshe, Allahu është Sovran, i Vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për adhurimet e njerëzve.  Sikur mos të ishin adhurimet dhe duatë e juaja me të cilat afroheni tek Allahu, Ai nuk do t’ju përfillte, mirëpo për shkak të tyre Ai ua jep këtë shpërblim të madh, xhenetin. Kurse ai që e përgënjeshtron Allahun dhe ahiretin, për të do të jetë ndëshkimi që nuk i shmanget atij.

Sa të larta dhe madhështore janë këto cilësi. Andaj myslimani duhet ta llogarisë veten nën dritën e këtyre ajeteve, se a është prej robërve të të Gjithëmëshirshmit apo nuk është. Nëse gjen mangësi në këtë, të mundohet shumë që të jetë prej tyre e të largohet prej çdo cilësie të keqe. Dhe këtë e bën duke kërkuar ndihmë prej Allahut, ngase Ai është i Vetmi që i jep sukses.