SIGURIA PREJ KUFRIT ËSHTË NË PASIMIN E KURANIT DHE SUNETIT

Hoxhë Lulzim Perçuku

Dijeni se siguria e muslimanëve prej kufrit dhe nënshtrimit ndaj kufarëve është në pasimin e Kuranit dhe sunetit. Për shumicën e muslimanëve kjo gjë është shumë e njohur. Së paku me dije sipërfaqësore të gjithë muslimanët e dinë se garantimi prej kufrit/mosbesimit dhe devijimit është pasimi i Kuranit dhe sunetit. Mirëpo, kjo temë më shumë do të përmbajë disa fjalë drejtuar atyre muslimanëve prej bidatxhive të cilët nuk janë të kënaqur me davetin në Kuran dhe sunet. Duke i parë forcat e jobesimtarëve duke i pushtuar vendet e muslimanëve, prej kohës së Endelusit e deri në ditët e sotme, në të cilën shumë prej vendeve muslimane po bien në dorë të jobesimtarëve dhe nën pushtimin e tyre, atëherë këta bidatxhinjë kanë menduar se daveti dhe thirrja në Kuran e sunet nuk është e mjaftueshme.

Nuk e kanë ditur ata se dobësimi i muslimanëve ka filluar në atë moment kur muslimanët nuk i kanë kushtuar rëndësi burimit të fuqisë së tyre, që është pasimi i Kuranit dhe sunetit. Gjithashtu, ata nuk e kanë ditur se me këtë mendim, gjoja se nuk mjafton thirrja në Kuran dhe sunet për t’i ngjallur muslimanët dhe për ta përballur aktivitetin e madh e të llojllojshëm të jobesimtarëve, ata po e ulin Allahun dhe fenë e tij. Ky pretendim i tyre, edhe sikur të ishte me të drejtë, do t’u kishte mjaftuar pronarëve të kësaj ideologjie si mëkat, që i kanë larguar të rinjtë dhe njerëzit muslimanë prej Kuranit dhe sunetit; i kanë larguar e penguar në mësimin e Kuranit dhe sunetit, studimit dhe mësimit përmendësh të tyre.

Shpesh herë gjen se ata kur i mësojnë njerëzit, nuk përmendin ajet dhe hadith, ose i përmendin shumë pak, ose vetëm sa për bereqet. Gjithashtu gjen se kur ata dëgjojnë ndonjë ilahi, kanë më shumë nënshtrim ndaj Allahut, sesa kur ta lexojnë Kuranin apo hadithin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Nuk e ditën ata se Allahu na ka sqaruar se jobesimtarët nuk kanë kurrfarë fuqie ndaj nesh përderisa ne e lexojmë Kuranin, sunetin dhe t’i pasojmë ato. Allahu thotë: “O ju që besuat, në qoftë se i bindeni një grupi të atyre që iu është dhënë libri, ata, do t’ju kthejnë në mosbesimtarë.” (Ali Imran, 100). Dhe thotë: “Si mund të mos besoni kur juve janë duke iu lexuar (shpallur) ajetet e Allahut dhe kur në mesin tuaj gjendet i dërguari i Tij? E kush i përmbahet fesë së Allahut, ai padyshim është i udhëzuar në rrugën e drejtë” (Ali Imran, 101).

Prej kontekstit të këtij ajeti i nxjerrim dy dobi:

  1. Allahu u ka garantuar atyre që pasojnë dy shpalljet, Kuranin dhe sunetin, se janë shumë larg kufrit dhe nuk ka mundësi të devijojnë. Ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet tregon se kufri (mosbesimi) është larg prej jush nëse e pasoni Kuranin dhe sunetin, dhe nuk ka mundësi të depërtojë te ju. Ajetet e Allahut zbresin për të Dërguarin e Tij ditë dhe natë, ndërsa ai ua transmeton dhe sqaron ato.”

  1. Allahu në këtë ajet e ka përmendur dhe përkufizuar kurthin më të madh që jobesimtarët e planifikojnë ndaj besimtarëve. Cili është ky kurth? Jobesimtarët gjithmonë mundohen t’i kthejnë besimtarët në kufër. Andaj, Allahu në këtë ajet na thotë që sado i madh që të jetë kurthi i jobesimtarëve, nëse e pasoni Kuranin dhe sunetin, nuk do të devijoni. Madje, Allahu e përmend në një ajet tjetër se sa i madh është ky kurth: “…qoftë ai kurthi i tyre që shkulen edhe kodrat nga ai” (Ibrahim, 46)

Kjo çështje nuk është e pakuptueshme e as e çuditshme për një njeri i cili është bindur se jeta e zemrës së tij është imani i tij, dhe burimi i kësaj gjallërie është në pasimin e ajeteve të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: “O ju që keni besuar, përgjigjuni Allahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jetëson (ngjall).” (El Enfal, 24).

Jeta është dy llojesh: jeta fizike dhe jeta e zemrës (imani, besimi). E padyshim që jeta e imanit është shumë më madhështore se jeta dhe gjallëria fizike. Nuk ka mundësi që jeta fizike të ekzistojë pa jetën e imanit. Gjejmë se shumë njerëz kur e humbin besimin në Allahun, nuk u mbetet tjetër derë veçse vetëvrasjes. Njerëzit të cilët e kanë zemrën më të gjallë, janë ata që e pasojnë Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Njëkohësisht janë më të sigurtit prej devijimit.

Nëse e kuptojmë këtë çështje në këtë mënyrë, atëherë e kuptojmë edhe më mirë fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili thotë: “Ua kam lënë juve dy gjëra. Nuk ka mundësi të devijoni nëse kapeni pas tyre, ato janë: Kurani dhe suneti im.” Gjejmë te selefi, paraardhësit tanë të mirë, e prej tyre Ebu Bekri radijAllahu anhu, të thotë: “Asnjë gjë që e ka vepruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, sado e vogël që është, nuk e lë pa e vepruar. Nëse e lë një punë që e ka praktikuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, frikësohem për veten time prej devijimit.” Ky është Ebu Bekri, shumë i sinqerti (sidiku) i këtij umeti, njeriu i cili nuk e ka lënë asnjë sunet pa e vepruar, pavarësisht a ka qenë i madhe apo i vogël. Prapëseprapë ky njeri frikësohet për veten e tij, se nëse e lë ndonjë sunet pa e vepruar, mund të devijojë!

Si ka mundësi që gjokset e atyre personave që mendojnë që nuk mjafton daveti i Kuranit dhe sunetit në ngjalljen e këtij umeti, të jenë të qetësuar, ndërsa Ebu Bekri, më i sinqerti pas Pejgamberëve të Allahut e thotë këtë fjalë? Këtë fjalë të Ebu Bekrit ne e gjejmë edhe në praktikën e tij, siç e transmetojnë dy sahihët, hadithin ku tregohet se kur kanë devijuar arabët në rrethinën e Medines, pas vdekjes së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, Ebu Bekri vendosi t’i luftojë ata, ndërsa Umeri radijallahu anhu i tha: “Si po i lufton njerëzit kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë që “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit deri sa të thonë La ilahe il-lAllah, e kur ta thonë këtë fjalë, ata i kanë të sigurta prej meje pasurinë dhe shpirtrat e tyre, përveç se me të drejtë”. Ebu Bekri ia ktheu: “Pasha Allahun, do t’i luftoj ata që bëjnë dallim mes namazit dhe zekatit, sepse zekati është hak i pasurisë së muslimanëve. Edhe sikur një litar nuk ma japin për zekat, e ndërsa Pejgamberit ia kanë dhënë, do t’i luftoj për shkak të kësaj.” Pas kësaj fjale, Umeri tha: “Menjëherë e kam kuptuar se Allahu ia ka zgjeruar zemrën dhe gjoksin Ebu Bekrit për ta njohur të vërtetën edhe për luftë, dhe kuptova se ai është në të vërtetën.”

Shiko se si Ebu Bekri kishte kujdes kaq të madh në praktikimin dhe zbatimin e një obligimi me të gjitha detajet e tij ashtu siç ka qenë në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Në sytë tanë një litar mund të duket diçka e nënçmuar, mirëpo Ebu Bekri ka dashur që obligimet e Allahut dhe sunetet e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të zbatohen ashtu siç kanë qenë në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Njerëzit që më së shumti e kanë pasuar shpalljen e Allahut, kanë qenë të dërguarit e Tij, e edhe ndihma e Allahut ndaj tyre ka qenë në formën më të përsosur. Allahu thotë: “Allahu ka përcaktuar: “Unë dhe të dërguarit e Mi, pa tjetër do të ngadhënjejmë!” (El Muxhedile, 21). Gjithashtu Allahu thotë: “E tashmë fjala (premtimi) e jonë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar, se ata pa dyshim do të jenë të ndihmuar, dhe se ushtria jonë do të jenë ngadhënjyesit” (Es-Safet, 171-173).

Pasi që Pejgamberët kanë qenë njerëzit që më së shumti e kanë pasuar shpalljen e Allahut, dhe ndihma e Allahut ka qenë më e përsosur ndaj tyre, atëherë edhe ata të cilët i kanë pasuar Pejgamberët janë më të ndihmuarit nga ana e Allahut. Allahu thotë: “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezantimit të dëshmive” (Gafir, 51). Gjithashtu Allahu i thotë Musës dhe Harunit: “…Andaj ju të dy dhe ata që u janë bindur juve, jeni ngadhënjimtarë.” (Al Kasas, 35). Dhe kështu ka ndodhur, pra përfundimi i mirë dhe fitorja i ka takuar Musës, Harunit dhe benu israilëve të cilët i kanë pasuar këta dy. Kurse Faraonin Allahu e ka shkatërruar dhe fundosur në det.

Gjithashtu Allahu thotë: “(Përkujto, o i dërguar) kur Allahu tha: O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që ty të besuan, do t’i ngre lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kiametit”. (Ali Imran, 55). Rreth këtij ajeti Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Meqë të krishterët e kanë pasur një hise në pasimin e tij (nuk e kanë pasuar plotësisht Isën, por pjesërisht), atëherë kanë qenë mbi jahuditë deri në ditën e Kiametit. Pasi që muslimanët kanë qenë njerëzit që më së shumti e kanë pasuar Isën, madje më shumë se vetë të krishterët, atëherë ata kanë qenë mbi krishterët deri në ditën e Kiametit.”

Thotë Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në këtë temë: “Kushdo që e pason Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, Allahu është me të në bazë të këtij pasimi (sipas këtij pasimi). Ka thënë Allahu: “O Pejgamber! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty”(El Enfal, 64). Të mjafton ty dhe atyre që të kanë pasuar ty, i thotë Allahu Pejgamberit. Prandaj, kushdo që e pason Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem prej besimtarëve, Allahu i mjafton atij. Ky është kuptimi i asaj që ka ardhur në ajet ku thuhet se “Allahu është me të”. E ai i cili e pason Pejgamberin në të gjitha sunetet, atëherë edhe ndihma e Allahut dhe fakti se “Ai është me të” do të jetë në mënyrë po aq të përsosur. Nëse pasimi i Pejgamberit është më i mangët, atëherë edhe ndihma dhe fakti se “Allahu do të jetë me këtë besimtar” do të jetë më e mangët. Nëse ka ndonjë besimtar që e ka besuar Pejgamberin dhe e ka pasuar atë, dhe ndodh që dikush prej njerëzve ta armiqësojë për këtë shkak, atëherë Allahu i mjafton këtij besimtari dhe do t’i ndihmojë. Allahu do të jetë me këtë besimtar, dhe ky besimtar ka hise në fjalën e Allahut “Mos u dëshpëro, se Allahu është me ne”(Et Teube, 40). Sepse zemra e këtij personi është në përputhje me Pejgamberin dhe sunetin e tij, edhe pse nuk e ka shoqëruar Pejgamberin me trupin e tij. Esenca në këtë çështje është zemra, siç ka ardhur në dy sahihët se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem një ditë në luftë u tha shokëve të tij: “Në Medine kanë mbetur disa njerëz me të cilët nuk keni marrë asnjë udhë dhe nuk keni shkëputur asnjë luginë (që në Arabi janë të thata dhe janë shfrytëzuar si rrugë), veçse ata kanë qenë me ju”. I thanë Pejgamberit: “Kanë qenë në Medine, dhe prapë me ne?” Ai u përgjigj: “Po, ata duke qenë në Medine kanë qenë me ju, sepse i ka penguar arsyeja për të ardhur me ju”. Këta persona me zemrat e tyre kanë qenë me Pejgamberin dhe shokët e tij. Në këtë kuptim janë konsideruar si shokë dhe e kanë shoqëruar Pejgamberin dhe Allahu ka qenë me ta sipas këtij shoqërimi në aspektin kuptimor.”

Në një vend tjetër, Ibn Tejmijje, thotë: “Nëse një person veçohet me një hak/sunet në një vend prej vendeve apo kohë prej kohëve, dhe njerëzit nuk e ndihmojnë rreth këtij suneti, apo e armiqësojnë rreth tij, atëherë le të jetë i bindur se Allahu do të jetë me të. Ai ka hise në Fjalën e Allahut: “Nëse nuk e ndihmoni atë (Muhamedin), atë pra e ka ndihmuar Allahu, kur e përzunë ata që nuk besuan të dytin prej dyve. Kur ishin në shpellë, ai (Muhamedi) i tha shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u brengos, vërtetë Allahu është me ne!” (Et Teube, 40). Ndihma e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem të cilën ia ka garantuar Allahu, është ndihmë e fesë së Tij, kudo që të jetë, dhe në çfarëdo kohë (qoftë gjatë jetës së Pejgamberit, apo pas jetës së tij deri në Ditën e Kiametit). Dhe kush e pason Pejgamberin në këtë fe dhe është në përputhje me fenë e Allahut, ai është shoku i tij në aspektin kuptimor (dhe jo që e ka shoqëruar me trup). Dhe nëse ky person e praktikon fenë siç ka urdhëruar Allahu, atëherë Allahu do ta ndihmojë atë”.

Ibn Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë: “Një ditë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka falur jacinë dhe e ka kapur Ibn Mesudin për dore dhe ka shkuar me të deri te Batha (një vend afër Mekes). E ka ulur aty Ibn Mesudin dhe e ka bërë një vijë rreth tij (në dhe), dhe i ka thënë: “Mos e kalo këtë vijë sepse do të vijnë disa njerëz te ti! Mos iu fol atyre, e as ata nuk do të flasin ty”. Tregon Ibn Mesudi, radijallahu anhu: “Derisa po qëndroja kështu, kanë ardhur disa persona “zut” (shumë të zinj, me lëkurën dhe qimet shumë të zeza). Nuk i dalloja se kah e kanë fytyrën e kah e kanë auretin. Vinin tek unë, por nuk e kalonin vijën, e pastaj shkonin te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem.” Në këtë ngjarje me Ibn Mesudin e shohim se si Allahu e ka mbrojtur atë prej sherrit të këtyre njerëzve, të cilët kishin pamje kaq të trishtueshme, sepse Ibn Mesudi i ishte bindur dhe e kishte pasuar urdhrin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem që të mos e kalonte vijën që e kishte bërë rreth tij. Sikur të frynte ndonjë erë, këtë vijë mund ta prishte fare. Por, kjo vijë, siç thonë dijetarët, nuk është çfarëdo vije, por është vijë e sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Nëse një person e pason këtë vijë të sunetit, atëherë Allahu është me të, do ta mbrojë dhe do t’i ndihmojë.

Në këtë që u fol, e pamë se si Allahu umetit dhe atyre që e pasojnë Kuranin dhe sunetin, ua ka garantuar dy gjëra:

  1. Do t’i forcojë dhe do të jenë më të përqendruar në fenë e Allahut.
  2. Do të jenë triumfues dhe ngadhënjyes ndaj armiqve të fesë dhe armiqve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

Është edhe një ngjarje e cila i përmbledh këto dy gjëra dhe njëkohësisht tregon për vlerën e madhe që e ka pasur Ebu Bekri në këtë fe, dhe se si Allahu e ruajti fenë e tij përmes Ebu Bekrit, deri në ditët tona. Transmetohet se Ebu Hurejra, radijallahu anhu, një ditë ka thënë: “Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, sikur të mos ishte bërë Ebu Bekri halife pas Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, atëherë Allahu nuk do të ishte adhuruar në këtë tokë dhe do të humbte feja e Allahut.” E tha këtë për së dyti e për së treti. Ata që ishin rreth tij i thanë: “Mjaft o Ebu Hurejre”, me qëllimin se “mjaft e përsërite këtë fjalë”. Atëherë Ebu Hurejra u tregoi se pse e tha ashtu: “Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e drejtoi Usame Ibn Zejdin me shtatëqind ushtarë për në Sham (për të luftuar me romakët atë kohë). Kur ka zbritur deri në një vend që quhet Dhu-Hasheb (në veri të Arabisë Saudite), atëkohë vdiq Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe njerëzit rreth Medines filluan ta lëshonin fenë e Allahut, e të bëheshin renegatë. Kur dëgjuan për këtë shokët e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, u mblodhën rreth Ebu Bekrit dhe i thanë: “I kthe prapa ata që i ke dërguar për të luftuar me romakët! Si ka mundësi që ti po i dërgon ata për të luftuar me romakët, ndërsa rreth Medines njerëzit kanë filluar ta lëshojnë fenë dhe kjo e kërcënon Medinen për pushtim.”

Ebu Bekri u tha: “Pasha Allahun, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, sikur qentë të silleshin rreth këmbëve të grave të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, nuk do ta kisha kthyer një ushtri që e ka nisur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. E as nuk do ta kisha zgjidhur një flamur që e ka lidhur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem.” Ebu Hurejra vazhdon: “I dha leje Usames për të vazhduar me ushtrinë e tij për te romakët”, pra nuk e ktheu në Medine. “Sa herë që kalonin afër një fisi prej fiseve arabe që dëshironin të ktheheshin në fenë e të parëve të tyre, e ta linin fenë e Allahut, ata (fiset arabe) thoshin: Sikur mos të kishin pasur fuqi këta, nuk do të nxirrnin këtë numër kaq të madh e t’i drejtonin për luftë me romakët, por kjo tregon se ata kanë fuqi”. Pra kështu kanë menduar ata që donin ta linin fenë e Allahut. “T’i lëmë deri sa të takohen me romakët”.  “I takuan romakët, i vranë ata, triumfuan ndaj tyre, u kthyen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre dhe u forcuan e u përqendruan edhe më shumë në Islam”.

Kjo ka qenë kapja e Ebu Bekrit për sunetin e Pejgamberit. Edhe pse e goditi sprova e madhe e vdekjes së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe sprova e madhe e devijimit të arabëve përreth, e edhe sprova që tjerët i thoshin ta kthente ushtrinë qe e kishte nisur për në Sham, ai prapë nuk mendoi me atë mendje si të tyren. Ai mendoi me atë që kishte mësuar prej fesë së Allahut. Feja të cilën ia kishte mësuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem Ebu Bekrit, e udhëzoi atë në zgjidhjen e duhur. Ebu Bekri kishte frikë ta kthente ushtrinë të cilët e kishte filluar dhe i kishte dhënë përparësi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. Cili ishte rezultati i kapjes së Ebu Bekrit për sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?

  1. Triumfuan ndaj kufarëve, armiqve të fesë,
  2. Muslimanët u forcuan dhe u përqendruan edhe më shumë në fenë e Allahut, dhe prej asaj dite fiset arabe që kishin filluar të devijonin, e panë se muslimanët ishin të fortë dhe nuk guxuan të vazhdonin në devijimin e tyre, por u kthyen prapë në islam.

Kjo tregon se nëse muslimanët i kapen fesë së Allahut, Kuranit dhe sunetit të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, atëherë i kanë të garantuar dy gjëra:

  1. Do të forcohen e përqendrohen edhe më shumë në fenë e Allahut,
  2. E kanë të garantuar triumfin ndaj armiqve të fesë së Allahut.

Por, nuk do të thotë se kjo fitore ndodhë menjëherë, sepse rruga e Allahut është rrugë që kërkon durim. Frytet e pasimit të sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem mund t’i gjesh shumë më vonë, e ndoshta nuk i gjen fare në jetën e kësaj bote, por i gjen në ahiret. Prandaj, muslimani nuk duhet të dëshpërohet e të thotë se kjo rrugë nuk po i sjell hajr e të mira. Duhet të bëjë sabër. Ka ardhur në disa hadithe tjera se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka treguar se ka prej Pejgamberëve që do të vijnë në Ditën e Gjykimit dhe nuk do të kenë asnjë pasues me vete.

Secili prej nesh këtu, mund të jetë bërë shkak për udhëzimin e së paku një njeriu. Puna jonë është shpërblyer, andaj nuk duhet humbur shpresën, por duhet kapur për Kuranin dhe sunetin e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.