Vlera e dhjetë ditëve të muajit të haxhit

Dr. Abdurrezak el Bedr

Lavdërimi dhe falënderimi i takon vetëm Allahut, prandaj Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe tek Ai pendohemi. Allahun e lusim të na ruaj nga të këqiat e shpirtërave dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e largon nga udhëzimi, kurse atë që Allahu e lë në devijim s’ka kush e sjell në udhëzim. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut si dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe I dërguar i Tij, salavatet dhe selamet qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Robër të Allahut, u porosis për devotshmëri ndaj Allahut të madhërishëm, sepse ajo është përgatitja më e mirë për rrugën që shpie tek kënaqësitë e Allahut, i Cili thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria” (El Bekare: 197).

O ju besimtarë, jemi duke jetuar në disa ditë të vlefshme, në kohën më të mirë për të bërë punë të mira. Pra jemi duke jetuar në dhjetë ditët e para të muajit të haxhit (dhul hixhe), ditë tëbekuara të cilat i ka veçuar Allahu dhe i ka ngritur me shumë veçori. Nëse besimtari ndalet pak në veçoritë e këtyre ditëve, atëherë do t’ia freskojnë aktivitetin dhe ai do të drejtohet me zemër e me shpirtë kah ibadeti ndaj Allahut.

Robër të Allahut, ndër veçoritë e këtyre ditëve është fakti që Allahu i ka zgjedhur dhe i ka veçuar ndër ditët e tjera të vitit në përgjithësi. Allahu krijon ç’të dojë dhe zgjedhë ç’të dojë, prandaj Ai i ka zgjedhur edhe këto ditë të muajit të haxhit.

Ndër veçoritë dhe vlerat e këtyre ditëve është fakti që Allahu është betuar në to, gjë që tregon se kanë vlerë dhe pozitë të lartë. Ai thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët. Betohem për çiftin dhe tekun” (El Fexhr: 1-2). Ibnu Abbasi dhe komentatorë tjerë të Kuranit thonë: me fjalën “dhjetë netët” janë për qëllim dhjetë ditët e para të muajit Dhul hixhe.

Ndër veçoritë e këtyre ditëve është se: këto janë ditët më të mira për të bërë vepra të mira, në asnjë ditë tjetër nuk mund t’i Afrohet Allahut më tepër sesa me veprat e mira që bëhen në këto ditë të vlefshme. Në Sahihun e Buhariut transmetohet nga Ibën Abasi, i cili citon se Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë: “Në asnjë ditë tjetër, veprat nuk janë më të dashura te Allahu, sesa ato vepra që bëhen gjatë këtyre ditëve”. Ata i thanë: “O i dërguar i Allahut, as xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai u përgjigj: “As xhihadi në rrugën e Allahut! Përveç nëse një njeri shkon në xhihad me trupin dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet më!”

Ndër veçoritë e këtyre ditëve është se: Gjatë tyre grumbullohen ibadetet më të mëdha, të cilat nuk grumbullohen gjatë ditëve të tjera të vitit. Gjatë këtyre dhjetë ditëve bashkohen ibadetet më të mëdha: namazi, agjërimi, haxhi, zekati dhe ibadete tjera të mëdha, të cilat nuk përsëriten së bashku përveçse në këtë kohë të vlefshme.

Ndër veçoritë e tyre është se: Allahu ka caktuar që gjatë tyre të kryhet haxhi. Pra në këto ditë i bie dita e tervijes, kur haxhinjtë nisen nga Meka për në Mina, duke përsëritur duanë “Të përgjigjem Ty o Allah, të përgjigjem Ty i Cili nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Teje, të përgjigjem Ty të Clit i takon lavdërimi, falënderimi, begatia dhe sundimi, Ti nuk ke ortak”.

Në këto ditë i bie dita e Arafatit, dita më e mirë që ka lindë dielli.

Gjatë këtyre ditëve i bie dita e therrjes së kurbanit, e cila është dita më e madhe tek Allahu, siq është saktësuar në hadithin e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem): “Dita më madhështore tek Allahu është dita e therrjes së kurbanit”.

Robër të Allahut, këto janë një grumbull veçorishë dhe vlerash të këtyre ditëve, por çka jemi duke vepruar ne gjatë tyre?!

Robër të Allahut, këto janë disa nga veçoritë e këtyre ditëve të vlefshme, por çfarë jemi duke punuar gjatë tyre? A është gjendja e jonë në këto ditë e njëjtë me gjendjen në ditët e tjera të vitit!! A e kemi kuptuar vlerën dhe pozitën e këtyre ditëve të vlefshme?! Apo mendojmë se këto janë të njëjta me ditët e tjera të vitit!! Robër të Allahut, A kanë lëvizur zemrat tona gjatë këtyre ditëve që të pendohen dhe të kthehen tek Allahut, apo ato nuk kanë lavizur fare?

Robër të Allahut, është traditë e tregtarëve të kësaj bote që mos t’i humbin sezonat që sjellin fitim, bile përgatiten më herët për t’u furnizuar me mall, duke harxhuar mund dhe kohë të madhe. Ndërsa kjo sezonë, është fitimprurëse për tregëtinë e botës tjetër, andaj si është gjendja e jonë gjatë këtyre ditëve?!

Robër të Allahut, imani i dobët i një personi dhe mëkatet e tija të grumbulluara e privojnë atë nga të mirat e këtyre ditëve. Për këtë, duhet që t’i shfrytëzojmë këto ditë me pendim tek Allahu, me përpjekje për ibadet dhe sa më shumë dua, sepse kjo është një kohë madhështore për të shtuar përmendjen e Allahut, i Cili thotë: “Dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara” (El Haxh: 28), Ibnu Abasi dhe të tjerë thonë: “(Ditët e caktuara) në këtë ajet janë dhjetë ditët e para të muajit të haxhit”.

Prandaj duhet që të kujdesemi për këtë kohë të vlefshme duke përmendur Allahun sa më shumë, duke bërë dua, duke kërkuar faljen e mëkateve si dhe duke u kujdesur për kryerjen e ibadeteve tjera, sidomos atyre që janë farze (obligative). Allahu thotë: “Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi Im janë farzet”. Për këtë, gjatë këtyre ditëve besimtari duhet të kujdeset që namazet t’i kryej duke shkuar më herët në xhami, i përulur, i qetë, duke shpresuar mëshirën e Allahut dhe duke patur frikë ndëshkimin e Tij.

Robër të Allahut, Allahu e ka caktuar që këto ditë të përfundojnë me festën e muslimanëve, në të cilën ata gëzohen që Allahu ua lehtësoi t’i kryejnë ibadetet gjatë këtyre dhjetë ditëve. Pra këtë ditë e përjeton secili, ai që ka kryer haxhin dhe ai që nuk e ka kryer, të gjithë takohen mes veti, duke uruar njëri-tjetrin me urimin e praktikuar nga sahabët: “Tekabbel Allahu minna ve minkum (Allahu i pranoftë veprat e mira nga ne dhe ju)”. Ky urim ka pozitën dhe peshën e vet për atë që ka garuar të bëj ibadet, ndërsa ai që ka qenë neglizhent, ka humbur rastin dhe ka vazhduar në mëkate, atëherë për çfarë t’ urohet këtij!! Për çfarë t’i thuhet “Allahu i pranoftë veprat e mira nga ne dhe ju”!! Për këtë, duhet që ditën e bajramit të bëjmë një llogari duke numëruar veprat e mira, për të cilat gëzohemi në atë ditë. Në fund, lusim Allahun të na ndihmojë, të na jap sukses dhe të na udhëzojë në fenë tonë.

Në fund dijeni se “Imençur është ai rob i Allahut i cili i bën llogari vetes dhe punon për jetën pas vdekjes, ndërsa i pamençur është ai që veten e dërgon pas tekeve të tij dhe më pas mbanë shpresa të kota tek Allahu”.

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit