Prishja e agjërimit nga ata që punojnë punë të rënda

Shejh: Salih El Feuzan (Allahu e ruajt)

“El Munteka” 4/71

Pyetje: Ata të cilët kryejnë punë të lodhshme e që s’kanë ndonjë punë tjetër nga e cila do të fitonin, a u lejohet ta prishin agjërimin ashtu siç i lejohet plakut dhe gruas së moshuar apo jo? Na jepni përgjigje, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: Puna nuk është arsye për prishjen e agjërimit, edhe nëse është e rëndë, sepse myslimanët vazhdimisht kanë punuar gjatë kohërave të ndryshme dhe nuk e kanë prishur agjërimin për shkak të punës. Gjithashtu, (nuk lejohet) sepse puna nuk hyn në tërësinë e arsyeve, për shkak të të cilave lejohet mos agjërimi, siç na ka treguar Allahu i Madhërishëm.

Arsyet për shkak të të cilave lejohet mos agjërimi janë të kufizuara. Ato janë: udhëtimi, sëmundja, menstruacionet, lehonia, pleqëria e thellë, sëmundja e vazhdueshme, gjithashtu shtatzënia dhe gjidhënia, nëse ato (gratë) frikohen për shëndetin e tyre apo të fëmijës.

Këto janë arsyet për të cilat kanë ardhur argumentet që aludojnë në lejueshmërinë e mos agjërimit për shkak të tyre. Ndërsa puna, në vetvete, nuk e lejon mosagjërimin, sepse s’ka argument për një gjë të tillë. Punëtori e ka obligim të agjëroj së bashku me myslimanët, e nëse e sheh se puna e ka rraskapitur së tepërmi dhe i frikohet vdekjes, atëherë ai merr (nga ushqimi dhe pirja) aq sa të mbetet gjallë, pastaj përmbahet nga ngrënia e pirja gjatë tërë ditës, dhe e zëvendëson atë ditë (pas Ramazanit). Ndërsa, që të mos agjëroj fillimisht për shkak të punës, kjo nuk është arsye fetare.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit