Obligimet e gruas – 7 – Përgjegjësia financiare

Kemi parë më herët se gruaja e bart përgjegjësinë e mirëqenies financiare të shtëpisë së saj.

Ruajtja e posedimeve të tij

Një e drejtë e madhe që ka burri ndaj gruas së tij është që ajo ta ruajë pronën e tij në mungesë të tij. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Gratë e mira janë ato të dëgjueshmet (ndaj Allahut), që në mungesë (të burrave të tyre) ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu (nderin e burrave të tyre, pronën, fshehtësitë etj)” [En-Nisa 4:34]

Përmbushja e këtij obligimi është një vepër e mirë të cilën e ka lavdëruar i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) njëherë deshi të martonte një grua nga Kurejshët, Ummu Hani bint Ebi Talibi, e cila kishte pesë ose gjashtë djem të vegjël me burrin që i kishte vdekur. Ajo e refuzoi propozimin e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Ti je krijesa më e dashur e Allahut te unë, dhe je më i dashur te unë sesa dëgjimi dhe shikimi im. Por do të urreja për ty bezdisjen nga këta djem mëngjes e mbrëmje. Dhe, me të vërtetë e drejta e burrit është e madhe. Andaj, unë kam frikë se nëse e drejtoj kujdesin tim ndaj burrit, do të bëhem e pakujdesshme ndaj fëmijëve të mi; dhe nëse e drejtoj kujdesin tim ndaj fëmijëve, do të shpërfilli të drejtat e burrit”.

Ndërsa, i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha:

“Gratë më të mira që ngasin devetë janë Kurejshitet; ato janë më të kujdesshmet ndaj fëmijëve të tyre në fëmijëri, dhe më të kujdesshmet ndaj burrave të tyre për sa i përket ruajtjes së pronës së tyre”. Transmetuar nga Ahmedi dhe Ibn Sa’d. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 2523). Teksti i fjalëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) po ashtu transmetohet nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë, nga Ebu Hurejra dhe Muavija, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre (shih Sahihah nr. 2524)

Të shpenzuarit me lejen e tij

Gruaja nuk duhet të shpenzojë prej pasurisë së burrit të saj pa lejen e tij, apo një miratimi që vetëkuptohet nga ana e tij, qoftë edhe për bamirësi. Abdullah Ibën Amër, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet gruas të japë ndonjë kontribut, pa lejen e burrit të saj’’. Transmetuar nga Ebu Davudi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7626 dhe Sahihah nr. 825).

Ushqimi është pjesë e besimit

Ushqimi është lënë në besimin e gruas, të cilin ajo nuk duhet ta jap si lëmoshë pa lejen e burrit të saj. Ebu Umame el Bahili, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe të tjerë kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) në një fjalim gjatë haxhit lamtumirës pati thënë: “Allahu ka caktuar për çdo njeri të drejtën e tij të duhur; andaj, asnjë trashëgimi nuk duhet të bëhet për trashëgimtarin (e zakonshëm). Dhe gruaja nuk mund të shpenzojë asgjë nga shtëpia e saj pa lejen e burrit të saj”.

Dikush e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! As edhe ushqimin?”.

Ai u përgjigj: “Ajo është pasuria jonë më e mirë”. Transmetuar nga Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahih Ebi Davud nr. 3044)

Shpërblimi i përbashkët

Nëse gruaja jep lëmoshë nga pasuria e burrit të saj, duke e ditur se ai nuk e kundërshton këtë, ajo do të marrë gjysmën e shpërblimit dhe ai do të marrë gjysmën tjetër.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur gruaja jep lëmoshë nga fitimet e burrit të saj, pa porosinë e tij, ai merr gjysmën e shpërblimit”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Po ashtu Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet gruas të agjërojë pa lejen e burrit të saj, kur burri i saj është prezent përveçse në Ramazan. E as nuk i lejohet asaj ta lejojë dikë në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Dhe çdo lloj lëmoshe që ajo jep pa porosinë e tij, ajo merr gjysmën e shpërblimit”. Transmetuar nga Buhariu.

Aisha, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur gruaja jep (lëmoshë) nga ushqimi i shtëpisë së saj, pa shkaktuar dëm (për familjen), ajo merr shpërblim për shpenzimin e saj, dhe burri i saj merr shpërblimin e tij sepse ai e ka siguruar (ushqimin)”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Përdorimi i parave të saj

Islami i jep gruas të drejtën e posedimit të pasurisë, dhe burri nuk ka të drejtë të marrë nga pasuria e saj (duke përfshirë këtu stolitë e saj, prika, rrobat, etj) pa lejen e saj. Megjithatë, për të ruajtur harmoninë dhe rregullin në familje, duke qenë se burri është drejtues, islami ka përcaktuar disa kufizime për gruan për mënyrën e shpenzimit të parave të saj. Sikur gruaja ta ketë lirinë e shpenzimit të parave të saj sipas dëshirës së saj dhe pa kurrfarë miratimi nga ana e burrit, konfliktet mund të lindin shpejtë kur shpenzimet e saj bien ndesh me disa nga vendimet e burrit të saj, gjë që shkakton nënvlerësim të autoritetit të tij. Një shembull i thjeshtë do të ishte
rasti kur burri vendos të mos i blejë veturë djalit të tij adoleshent, mirëpo gruaja ndërhyn duke thënë: “Unë do t’ia blej atë me paratë e mia”.

Andaj, Allahu i lartësuar, më i Mençuri, ka përcaktuar që gruaja të mos shpenzojë nga pasuria e saj pa lejen e burrit të saj (ose një pëlqimi që vetëkuptohet).

Abdullah Ibën Amër dhe Ka’b Bin Maliki, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Gruas nuk i lejohet të jap nga pasuria e saj, që nga momenti që ajo martohet, përveçse me lejen e burrit të saj”. Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7238).

Abdullah Ibën Amëri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet gruas që (në mënyrë të pavarur) të shpenzojë nga paratë e saj – prej kur burri i saj merr mbikëqyrjen ndaj saj (në martesë)”. Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7625 dhe Sahihah nr. 825).

Uathiletu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet gruas të shpenzojë nga pasuria e saj veçse me lejen e burrit të saj”. Transmetuar nga Taberani (në El-Kebir) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 5424 dhe Sahihah nr. 775).

Islami kundërshton ligjet joislame

Këtu është i nevojshëm një shënim i rëndësishëm sa u takon myslimanëve që jetojnë në vendet joislame. Pa marrë parasysh se cili nga dy bashkëshortët ka paguar për shtëpinë apo diçka tjetër të rëndësishme, ligjet e shteteve, siç janë Shtetet e Bashkuara detyrojnë që pasuria të ndahet baras mes dy bashkëshortëve. Kjo nuk është e drejtë, dhe nuk i lejohet asnjërit të marrë atë që nuk i takon. Andaj, nëse gruas i jepet gjysma e pasurisë së burrit, kur ai vdes apo ndahen, ajo nuk duhet të mendojë se ka të drejtë në këtë pasuri. Më saktë, ajo duhet të kërkojë pjesën e saj që i takon sipas Islamit dhe të japë çdo gjë tjetër përveç asaj, duke kujtuar Ditën kur ajo do të qëndrojë para Allahut (subhanehu ue teala) dhe Ai do të gjykojë drejtë mes asaj dhe të gjithë atyre ndaj të cilëve ajo ka mëkatuar.

 

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit