Thesare nga Kurani

Shejh AbdulMuhsin El-Abbad (Allahu e ruajt)

Ajeti: Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë.” (El-Bekare, 23).

Në këtë ajet qartësohet mrekullia e Kuranit dhe se ata të cilëve u zbriti ai, e që janë ithtarë të rrjedhshmërisë në të folur dhe të elokuencës (arabët), u sfiduan që të sjellin një sure të ngjashme me të tijën. Suret më të shkurta të Kuranit janë: El- A’sr, El-Keuther dhe El-Ihlas, mirëpo megjithëkëtë ata nuk mundën të sillnin diçka të ngjashme me to. Fillimisht ata u sfiduan të sillnin të ngjashmen e Kuranit, pastaj dhjetë sure si të tijat dhe në fund një sure si të tijën. Dhe ky sfidim vazhdon sot e kësaj dite. Allahu ka treguar për pamundësinë e xhinëve dhe njerëzve që të sjellin të ngjashmen e Kuranit, edhe nëse ata bëhen të gjithë së bashku. Ashtu siç thotë Ai: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.” (El-Isra’, 88). Ndër gjuhëtarët e rrjedhshëm e elokuent pati të tillë që e pohuan stilin e lartë dhe elokuencën e Kuranit. Në Sahih-un e Buhariut (4854) shënohet se Xhubejr bin Mut’im (radijAllahu anhu) kishte thënë: “E dëgjova Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke e kënduar suren Et-Tur në namazin e akshamit dhe kur arriti tek vargu: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” (Et-Tur, 35-37) gati sa nuk më fluturoi zemra.” Po ashtu në Sahih-un e Buhariut (4023) shënohet fjala e Xhubejrit: “E dëgjova Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke e kënduar suren Et-Tur në namazin e akshamit dhe kjo ishte hera e parë që imani zuri vend të zemrën time.”

Thënia e Nedhdham El-Mu’tezilij se arabët mundeshin të sillnin të ngjashmen e Kuranit, mirëpo në momentin që hasën në sfidim, ata s’mundën të bënin diçka të tillë (u penguan), është thënie e kotë. Sepse në momentin kur u sfiduan, prapë ishte në mundësinë e tyre që t’u referoheshin shkrimeve të tyre para sfidimit, shkrime këto që përmbanin thënie elokuente, me të cilat bënin gara nëpër tregjet e tyre, dhe kështu prej tyre të zgjidhnin atë që i kundërvihej Kuranit. Mirëpo ata nuk e bënë, ngaqë nuk posedonin asgjë të ngjashme me të (Kuranin) me të cilën do t’i kundërviheshin atij.

Prej fjalëve elokuente e të shkurtra (përmbledhëse) arabe është edhe thënia që përmendet në shkencën e elokuencës: “Vrasjen më së shumti e parandalon vrasja”. Në këtë kuptim ka ardhur fjala e Allahut të Madhërishëm në Kuranin fisnik: “Në ligjin e barazisë në ndëshkim (Kisas) ka jetë për ju…” (El-Bekare, 179). Mirëpo, fjalia e parë nuk shpëtoi nga gabimi, si nga ana tekstuale po ashtu edhe ajo kuptimore. Gabimi tekstual në të është se ajo përbëhet nga tri fjalë, ku njëra prej tyre përsëritet dy herë. Ndërsa, gabimi kuptimor në të është se, jo çdo vrasje e parandalon vrasjen, përkundrazi ka prej vrasjeve që bëhen shkak për vrasje tjera, madje edhe për luftim. Ndërsa në ajetin e Kuranit përmendet kisasi dhe vetëm përmes tij parandalohet vrasja dhe sigurohet jeta, sepse ai i cili e di se në qoftë se e vret dikë do të vritet, përmbahet nga vrasja dhe e ruan jetën e tij dhe jetën e të tjerëve.

Kushdo që është munduar të hartojë diçka të ngjashme me Kuranin është zhgënjyer dhe haptazi ka treguar për paaftësinë dhe dështimin e tij, apo ka ardhur me fjalë të cilat dëshmojnë për idiotësinë dhe absurditetin (marrëzinë) e tij. Shembull për të parin (d.m.th. zhgënjimin, paaftësinë, dështimin) është ajo të cilën e përmendi Esh-Sheukanij në shpjegimin e ajetit të parë të sures El-Maide. Ai shënon: “Ky ajet përmban asi elokuence tek e cila shuhet çdo fuqi njerëzore, dhe krahas kësaj përfshinë disa vendime (fetare), si: plotësimin e detyrimeve, lejimin e ngrënies së kafshëve, përjashtimin e atyre (kafshëve) që nuk lejohen, njoftimi për të cilat do të vijoj, ndalimin e gjuetisë në gjendje ihrami dhe lejimin e saj për atë që nuk është ihram. En-Nekkash tregoi se nxënësit e filozofit El-Kindij, i thanë atij: “O urtar, harto për ne diçka të ngjashme me Kuranin!”. Ai ua ktheu: “Në rregull, do të hartoj diçka të ngjashme me disa pjesë të tij”. Kështu, ai u fsheh nga sytë e njerëzve për shumë ditë, pastaj doli dhe tha: “Për Allahun! As unë dhe askush tjetër s’mundet të bëjë diçka të tillë. E hapa mus’hafin dhe më doli para surja El-Maide. E këqyra atë, kur ja, ai fliste për plotësimin e detyrimeve dhe (njëkohësisht) ndalonte nga shkelja e tyre. Më tej lejonte në mënyrë të përgjithshme, pastaj përjashtonte pas një përjashtimi (paraprak). Më tutje, në dy rreshta lajmëronte për fuqinë dhe urtësinë e Tij (Allahut). Askush s’mundet të sjellë diçka të ngjashme më këtë.”

Ndërsa shembull për të dytin (d.m.th. idiotësinë dhe marrëzinë) është ajo që e shënon shejhu Muhamed Reshid Rida në veprën e tij “Tefsirul-Menar” (1/78) me titull: “Kundërvënie e marrë krishtere ndaj Fatihas së nderuar”. Aty përmendi se një i krishterë u përpoq t’i kundërvihej sures El-Fatiha përmes disa fjalëve, për të cilat pretendonte se mjaftojnë në vend të saj. Ai gjithashtu pretendoi se fjalët pas: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” janë pleonazëm dhe të panevojshme. Shkak për këtë ishte se ato fjalë i përshkruajnë të krishterët si të humbur. Dhe pasi që shejhu Muhamed Reshid Rida sqaroi pak a shumë atë që përmban surja El-Fatiha prej kuptimeve sublime dhe rrjedhshmërisë e elokuencës, tha: “O ti lexues, për këtë sure të madhërishme, pasi që të përkujtuam me përmbledhjen e disave nga ato që i kemi shtjelluar gjatë shpjegimit të saj, njëri nga thirrësit drejt krishterimit në këtë kohë pretendoi se ajo është larg elokuencës. Duke qenë se çdo fjalë pas “Udhëzona në rrugën e drejtë!” është pleonazëm dhe arritje e diçkaje që veç është e pranishme, dhe se ajetet para saj (para “Udhëzona në rrugën e drejtë!”) mund të shkurtohen dhe atë pa humbur asgjë nga kuptimet e tyre. Gjë që edhe e bën disa prej tyre. Këto fjalë i tha një thirrës prej “përgëzuesve” të paguar nga ana e organizatave “përgëzuese” angleze e amerikane, në një libër të cilin, sipas mendimit të tij, e gatoi (fabrikoi) për të shpallur si të kotë mrekullinë e Kuranit. Bile ai e mohoi në thelb elokuencën e tij. Ai shënon: “Sa e mirë është thënia e disave se sikur ai (Kurani) të thoshte: “El-Hamdu liRrahman, Rabbil-Ekuan, El-Melikid-Dejjan, lekel-i’badetu ue bikel-muste’an, ihdina siratal-iman”, do t’i pakësonte fjalët, do të mblidhte të gjitha kuptimet, do të shpëtonte nga formulimi i dobët dhe nga pleonazma, si dhe do të dilte nga shprehjet e varfra, siç janë ato midis “Er-Rehim” dhe “neste’in”.

Them (shejh Muhamed Reshidi): “Do të ishte më mirë për këtë fanatik (ekstremist) të paguar për devijimin e masës së rëndomtë të myslimanëve, me kusht që të mos e përmendte emrin e tij në atë libërth të tij dhe të mos e turpëronte veten para popullit të vet, (pra do të ishte më mirë për të) t’ua pakësonte atyre që e paguajnë zotat dhe librat, të cilat i penguan nga feja e tyre të gjithë ata që kishin mendime të pavarura ndër popull, bile disa prej tyre i penguan nga çdo fe. Vërtet që është më i lehtë pakësimi i shtatë planetëve në Qiell sesa shkurtimi i shtatë ajeteve të El-Fatihas në Tokë. Ndërsa njeriu i thjeshtë e i paditur, i cili ndodh që mashtrohet me fjalët e çdokujt, aq më tepër kur akuzat janë nga një fe tjetër, ndoshta ka nevojë të përkujtohet (nga ana jonë) për skandalet e këtij shkurtimi, edhe pse ato nuk janë të fshehura për largpamësit.” Pastaj përmendi një pjesë të skandaleve që i shkakton ky shkurtim i pretenduar i sures El-Fatiha, nga ana e këtij të krishteri të humbur, injorant dhe ziliqar.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit