Lëshimi i mjekrës është obligim

 

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/1697

Pyetje: “A konsiderohet lëshimi i mjekrës prej gjërave që patjetër duhet të gjenden tek myslimani?”

Përgjigje: Myslimani e ka për detyrë të ketë mjekër, ta lëshojë atë dhe të mos e prekë (shkurtojë), duke e zbatuar kështu urdhrin e zotërisë së të parëve dhe të mbramëve, të Dërguarit të Zotit të botëve, Muhamed bin Abdullah (alejhis-salatu ues-selam), i cili ka thënë, siç transmetohet nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhuma): “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat, kundërshtoni idhujtarët!” (Përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi). Dhe ka thënë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat, kundërshtoni mexhusët (adhuruesit e zjarrit).” (Muslimi nga Ebu Hurejre – radijAllahu anhu).

Dihet fare mirë se të mirat e kësaj dhe botës tjetër arrihen nëpërmjet bindjes ndaj të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe pasimit të tij. Ndërsa, i tërë sherri është në mosbindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit, si dhe në ecjen pas epsheve (tekave) e shejtanit. I Lartësuari thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, se Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet.” (Al ‘Imran, 31). Dhe thotë: Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote, sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin. Kurse ai që i është frikësuar daljes para Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (En-Nazi’at, 37-41).

Allahu i patëmeta i ka qortuar idhujtarët për shkak të pasimit të hamendjes dhe tekave të tyre. Allahu thotë: “Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).” (En-Nexhm, 23).

Ndërkaq, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “I gjithë ummeti im do të hyjë në Xhenet, përveç atij që nuk do.” “E kush është ai që nuk do, o i Dërguar i Allahut?” – thanë të pranishmit. Ai tha: “Kush më bindet mua do të hyjë në Xhenet, ndërsa kush nuk më bindet, veçse ka kundërshtuar.” (Përcjellë nga Buhariu).

Ajetet dhe hadithet që urdhërojnë për bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që ndalojnë nga mosbindja ndaj tyre janë tepër të shumta.

E lusim Allahun t’u jap myslimanëve sukses drejt bindjes ndaj Tij, drejt teuhidit (njësimit) dhe sinqeritetit ndaj Tij, si dhe drejt pasimit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)! Vërtet, Ai dëgjon gjithçka dhe është afër.

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit