Bashkimi mes haditheve "Nga Islami i mirë i njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë" dhe "Kush nga ju sheh ndonjë të keqe…"

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://www.binbaz.org.sa/mat/21015

Pyetje: Cili është dallimi mes hadithit: “Nga Islami i mirë i njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë” dhe hadithit tjetër: “Kush nga ju sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij…”?

Përgjigje: Nuk ka kundërshti midis këtyre dy haditheve. Secili prej tyre ka kuptim në vete.

Hadithi:Nga Islami i mirë i njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë” do të thotë: të lihen gjërat që njeriut nuk i hyjnë në punë dhe nuk i interesojnë. Pra, ai nuk angazhohet me to dhe nuk e fut veten në gjëra që nuk kërkohen prej tij. Për shembull njeriu shkon ta vizitojë vëllanë e tij, e ky i thotë: “Pse po e viziton?” apo: “Çfarë po lyp që po e viziton?”. Domethënë, nuk pyet për gjëra që nuk i interesojnë dhe që nuk i hyjnë në punë. Nuk pyet për gjëra që nuk kërkohen prej tij dhe nuk e fut veten në to. Ndërsa e keqja është prej gjërave që i hyjnë në punë, sepse Allahu dhe i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kanë urdhëruar që e keqja të ndryshohet. I Madhërishmi thotë: “Le të jetë prej jush një grup që thërret për në mirësi, që urdhëron për vepra të mira dhe që ndalon prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Al ‘Imran, 104). Dhe thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Al ‘Imran, 110). Po ashtu thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen punë të mira dhe i ndalojnë të këqijat.” (Et-Teube, 71).

Ndërkaq, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush nga ju sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij. E nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij. E nëse nuk mundet, atëherë (le ta urrejë) me zemrën e tij, ndonëse ky është besimi më i dobët.” Pra, kjo (ndryshimi i të keqes) i intereson çdo besimtari e besimtareje, madje ndryshimi i të keqes është obligim mbi të gjithë dhe nuk hyn brenda hadithit: Nga Islami i mirë i njeriut është lënia e gjërave që nuk i interesojnë”, sepse këto janë dy gjëra të ndryshme.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit