A falet i sëmuri para apo pas operacionit?

http://binbaz.org.sa/mat/1256

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Pyetje: Është e ditur se, pas kryerjes së operacionit, i sëmuri mbetet nën ndikimin e anestezionit (pa ndjenja) për një kohë dhe, pasi të zgjohet, ndien dhimbje edhe për disa ora tjera. Andaj, a të falet para kryerjes së operacionit, duke qenë se koha e namazit ende s’ka hyrë, apo ta vonojë namazin, derisa të jetë në gjendje ta fal atë në praninë e të gjitha shqisave, edhe nëse kjo ndodh një apo disa ditë më vonë? Na jepni përgjigje, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: Është detyrë mbi mjekun të këqyrë në këtë çështje. Kështu, nëse ka mundësi që fillimi i operacionit të shtyhet deri sa të hyjë koha e namazit, për shembull atij të drekës, atëherë, i sëmuri e fal drekën dhe ikindinë së bashku, pasi të ketë hyrë koha e drekës. Kështu vepron edhe gjatë natës; para fillimit të operacionit, ai e fal akshamin dhe jacinë së bashku, dhe atë pasi të ketë perënduar dielli. E, nëse operimi duhet patjetër të kryhet paradite, para hyrjes së kohës së namazit, atëherë, i sëmuri justifikohet. Mirëpo, ai duhet që, pasi të vijë në vete, të kompensojë namazet e ikura, edhe nëse kjo ndodhë një apo dy ditë më vonë. Pra, momentin që kthjellet, ai e ka për detyrë të kompensojë namazet që i kanë ikur, dhe, elhamdulilah, nuk ka kurrfarë gjynahu për të. Gjendja e tij është e njëjtë me atë që e ka zënë gjumi; kur i fjeturi të zgjohet e të vijë në vete, duhet të falë me rend namazet e ikura. Pra, së pari e falë drekën, pastaj ikindinë, e kështu radhazi, derisa t’i kompensojë të gjitha. Kjo për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kujt nuk i del gjumi për namaz apo harron të falet, atëherë le ta fal atë kur t’i kujtohet, sepse nuk ka shpagim tjetër (për namazin) përveç kësaj.” (Buhariu dhe Muslimi).

Kështu, vendimi për humbjen e vetëdijes që e shkakton sëmundja apo trajtimi mjekësor është i njëjtë me (vendimin për) gjumin e gjatë. E, nëse ajo zgjatë më shumë se tri ditë, atëherë ai nuk e ka obligim kompensimin e namazeve të ikura dhe vendimi për të është i njëjtë me vendimin për të matufosurin. Kështu, ai e fillon namazin pasi t’i jetë kthyer mendja, për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Lapsi nuk shkruan për tre persona: për të fjeturin derisa të zgjohet, për të voglin derisa të rritet (hyjë në pubertet) dhe për të çmendurin derisa t’i kthehet mendja.” (Ibën Maxhe dhe Nesaiu). Pra, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk e përmendi kompensimin për të voglin dhe për të çmendurin, por ajo çfarë saktësohet prej tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është urdhri për kompensimin e namazeve drejtuar atij që e ka zënë gjumi dhe atij që ka harruar. Suksesi është prej Allahut.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit