Thënia e ibën Abbasit: "Kufër nën kufrin (e madh)"

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/19322

Pyetje: Si shpjegohet fjala e Allahut të Lartësuar: Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ai është mohues i vërtetë” (El-Maide, 44). Dhe, thënia e ibën Abbasit “kufër nën kufrin (e madh)”, a i adresohet atij që e heq sheriatin në mënyrë të tërësishme apo që e pezullon atë, apo është kufër që e nxjerrë njeriun nga feja?

Përgjigje: Ajo çfarë është e njohur tek dijetarët është e njëjtë me fjalën e ibën Abbasit, domethënë se është kufër nën kufrin (e madh); mirëpo, kjo vlen për atë që beson se të gjykuarit me ligjin e Allahut është obligim dhe se, gjykimi me diçka tjetër përveç asaj që Ai ka zbritur nuk lejohet, por, që gjykon me këto ligje për shkaqe të tjera. Në këtë rast, ai është fâsik (mëkatar), dhâlim (zullumqar) dhe kâfir (jobesimtar), mirëpo vepra e tij është padrejtësi nën padrejtësinë (e madhe që e nxjerrë njeriun nga feja), mëkat nën mëkatin (e madh që e nxjerrë njeriun nga feja) dhe kufër nën kufrin (e madh që e nxjerrë njeriun nga feja). Kjo ngaqë ai e di se është i padrejtë, i gabuar dhe i pabindur ndaj Allahut, mirëpo, ajo çfarë e shtynë atë të gjykojë me ligje tjera nga ato të Allahut, janë disa shkaqe, për të cilat mendon se e arsyetojnë këtë vepër të tij të keqe, si marrja e ryshfetit, posti i tij si udhëheqës, e gjëra të tjera të kësaj natyre. Pra, kjo është kufër nën kufrin (e madh), padrejtësi nën padrejtësinë (e madhe) dhe mëkat nën mëkatin (e madh).

Mirëpo, ai që gjykon me ligje tjera nga ato të Allahut duke besuar se një gjë e tillë lejohet dhe se ato janë më të mira se ligjet e Tij, atëherë ky është kâfir që ka bërë kufër të madh. Disa njerëz, Allahu na ruajt, besojnë se gjykimit me ligjin e Allahut i ka kaluar koha, dhe se ai nuk është i përshtatshëm për këtë kohë. Kjo renditet ndër kufrin më të madh, nga Allahu kërkojmë shpëtim! Ngjashëm me këtë është edhe nëse beson se lejohet gjykimi me ligje tjera, edhe pse beson se ato nuk janë më të mira se ligji i Allahut; e gjithë kjo është kufër (i madh). Patjetër duhet të besojë se gjykimi me ligjin e Allahut është obligim dhe detyrë, se duhet të braktiset gjykimi me ligje tjera dhe se një gjë e tillë është e keqe. Ndërsa, nëse e lejon gjykimin me ato ligje, edhe nëse beson se sheriati është më i mirë, ai prapëseprapë është kâfir. Nga Allahu kërkojmë shpëtim!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit