Shkaku i gjashtë: Dijetari beson se evidenca për të cilën bëhet fjalë e kundërshton ose ndonjë tekst më të fortë, ose një konsensus dijetarësh

Marrë nga:

Mospajtimet në mesin e dijetarëve – Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre.

Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin

Me fjalë tjera, ai është i vetëdijshëm për evidencën, por e sheh se ajo bie në kundërshtim me një evidencë më të fortë, qoftë një tekst tjetër, ose një konsensus dijetarësh.

Kjo shpesh është arsye për mospajtime mes dijetarësh.

Sa e sa shpesh e dëgjojmë ndonjë duke pohuar se ka konsensus të dijetarëve për një çështje të caktuar? Por pas shqyrtimit, realisht nuk ka pasur fare konsensus.

Një nga rastet më mahnitëse që është treguar në lidhje me këtë, është se një grup pohuan se kishte konsensus dijetarësh për pranimin e dëshmisë së robit, ndërsa të tjerë pohonin se kishte konsensus për refuzimin e dëshmisë së robit! Vërtetë, ky është tregimi më i pazakontë.

Kjo ndodh, sepse për një lloj njeriu, kur është i rrethuar me njerëz që pajtohen me të në një çështje, ai beson se nuk ka asnjë që nuk pajtohet me të, për shkak të bindjes së tij të plotë se ky gjykim është saktësisht çfarë ka për qëllim teksti. Kështu, në kokën e tij krijohen dy evidenca: teksti dhe konsensusi i dijetarëve. Për më shumë, ai madje mund të mendojë se gjykimi i tij mbështetet në kijas (analogji të saktë) dhe arsye të shëndoshë.

Kështu, në nxjerrjen e përfundimeve, ai gjykon se të gjithë pajtohen në këtë tekst, i cili për të mbështetet nga analogji të sakta. Mirëpo, realiteti i çështjes është krejtësisht e kundërta.

Është e mundur të merret një shembull për këtë kategori, pozicioni i marrë nga Ibën Abasi për riba el-fadl [1] (kamata e shtesës së çmimit).

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kamata është vetëm në nesieh (kamata me fajde).” [2]

Ubadeh Ibën es-Samit dhe sahabë të tjerë kanë transmetuar se ai (salAllahu alejhi ue selem) gjithashtu ka thënë: “Kamata është në nesieh (fajde) dhe zijadeh (d.m.th. fadl/shtesë).” [3]

Dijetarët pas Ibën Abasit të gjithë kanë rënë në ujdi (janë pajtuar) se riba (kamata) është dy llojesh: el-fadl dhe en-nesieh. Sa i përket Ibën Abasit, ai ishte i paepur në atë se kamata është vetëm në en-nesieh.

Një shembull i kamatës el-fadl është kur një person shet një sasi gruri, për dy sasi sosh, dhe shkëmbimi bëhet sy më sy. Kjo nuk do të llogaritej si kamatë nga Ibën Abasi, meqë ai e ka parë si kamatë vetëm atë ‘nesieh’.

Njëjtë, nëse dikush e shet një gram ari, për dy gram, dhe shkëmbimi bëhet aty për aty, kjo nuk do të llogaritej si kamatë nga Ibën Abasi. Mirëpo, nëse shkëmbimi nuk bëhet aty për aty, në atë kohë dhe vend, ku pala e parë e jep një gram ari, dhe pala e dytë nuk i jep dy gramët deri më vonë, ose pasi të ndahen, atëherë edhe kjo llogaritet si kamatë. [4]

Kjo është kështu, sepse Ibën Abasi ka qëndruar në atë se kufizimi [5], e ka ndaluar të ndodhurit e kamatës në cilindo lloj të transaksioneve përveç en-nesieh.

Zakonisht, fjala ‘vetëm’ (në hadith) ka për qëllim kufizimin, dhe si pasojë ka për qëllim që çdo formë e transaksioneve përveç en-nesieh, nuk është riba (kamatë), por realiteti i kësaj çështje është se hadithi i transmetuar nga Ubadeh tregon se transaksionet e natyrës së fadlit, janë vërtetë kamatë, për shkak të thënies së Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem):

“Kush e shton çmimin për shkak të vlerës, ose kush kërkon t’i shtohet, vërtetë ka bërë kamatë.”

Tash, cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj përdorimit të hadithit të Ibën Abasit si evidencë?

Qëndrimi ynë duhet të jetë i tillë që ta kuptojmë atë në një mënyrë e cila është në harmoni me hadithin tjetër i cili e përfshin edhe fajdenë si kamatë. Kështu, ne themi: “Forma më e ashpër e kamatës me të cilën kishin të bënin njerëzit në kohën e injorancës, dhe e cila përmendet në ajetin:

“O ju që keni besuar! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë!” [Alu-Imran (3):130]

nuk është tjetër veçse kamata en-nesieh. Sa i përket kamatës el-fadl, ajo nuk është forma më e vrazhdë e kamatës[6]. Për këtë arsye Ibën Kajimi në librin e tij “I’lam El-Muvekki’in” qëndron në atë se kamata me fadl ka qenë një masë parandaluese, e jo për shkak të vetë transaksionit.

Vazhdon inshaAllah…

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Riba (kamata) është dy llojesh:

-en-nesieh (fajde): kamatë e fituar në produktin e marrë hua.

-el-fadl (ose ez-zijadeh): kamatë e fituar nga shkëmbimi i të njëjtit produkt, me kualitet të ndryshëm.

[2] Transmetuar nga Muslimi.

[3] Transmetuar nga Muslimi.

[4] Kjo tash bie në kategorinë e en-nesiah, për ndalimin e së cilës nuk ka mospajtime në mes të Ibën Abasit dhe dijetarëve të tjerë.

[5] Kufizimi i përmendur nga Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) në hadithin e parë, ku ai thotë: “Kamata është vetëm në en-nasieh”. Prandaj, Ibën Abasi ka qëndruar në atë se nëse produkti i njëjtë i cili dallon në kualitet, ndërrohet, atëherë kjo nuk do të ishte kamatë, por, nëse ndërrimi nuk ndodh aty për aty, atëherë do të jetë kamatë, meqë bie nën kategorinë e en-nesieh, meqë këtu është futur edhe elementi kohë.

[6] Kuptohet qartë, nga konteksti. Shumë ajete Kuranore dhe hadithe të të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) tregojnë madhësinë e këtij mëkati, dhe pasojat e tij kërcënuese dhe dënimet. Po përmendim disa: Ata që merren me të do të ngjallen nga varret e tyre dhe do të ngrihen nga aty si njerëzit e çmendur, ata janë kërcënuar me zjarrin e Xhehenemit, janë cilësuar si skajshmërisht mosmirënjohës dhe mëkatarë, dhe janë mallkuar. Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë shpallur luftë personit që merret me të, sikur të ishte armik. Allahu heq çdo bereqet nga paratë e fituara nga kamata dhe Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) e ka futur këtë mëkat në shtatë mëkatet shkatërruese.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit