Ummu Fatimeh Zejneb, për pyetjet e së cilës Ibën Tejmijje duhej të përgatitej

Marrë nga:
www.giftsofknowledge.wordpress.com

Komentuesi i madh i Kuranit, Imam Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dhe në ditën e Arafatit ka ndërruar jetë shejha, e ndershmja, besimtarja, e devotshmja: Ummu Zejneb Fatimeh, vajza e Abas Ibën Ebil Fat’h Ibën Muhamed El-Bagdadijjeh, në periferi të Kajros. Një numër i madh njerëzish e përcollën funeralin. Ajo ishte prej dijetareve të moralshme / të drejta / të vyeshme, urdhëronte në të mirën dhe ndalonte nga e keqja, dhe qëndronte fort kundër Ahmedive (sekt sufi), dhe lidhjes së tyre me gra dhe fëmijë. Ajo e refuzonte / kundërshtonte gjendjen e tyre dhe bazat e njerëzve të bidatit dhe të tjerëve, dhe prej këtyre gjërave ajo mund ta bënte atë që burrat nuk kishin aftësi ta bënin.

Ajo prezantonte në tubimet e Shejhul Islam Ibën Tejmijjes dhe përfitonte nga ai dhe të tjerë, dhe e kam dëgjuar shejh Ibën Tejmijjen duke e lavdëruar dhe duke e përshkruar me fisnikëri / bujari dhe dije, dhe gjithashtu e ka përmendur se ajo e ka mësuar (përmendësh) shumë ose pothuajse të tërën nga ‘El Mugni’ dhe se ai (Ibën Tejmijje) përgatitej për të për shkak të çështjeve të shumta që ajo i diskutonte dhe për shkak të natyrës së shkëlqyeshme të pyetjeve që ajo i parashtronte, dhe shpejtësinë e të kuptuarit të saj. Ajo u bë shkak që shumë gra ta përfundonin mësimin përmendësh të Kuranit, e prej tyre ishte nëna e gruas sime (vjehrra) Aisheh bint Siddik, gruaja e Shejh Xhemaluddin El Mizzi, dhe ajo e mësoi edhe vajzën e saj, gruan time, Emeturrahim Zejneb, se si ta lexonin Kuranin, Allahu i mëshiroftë të gjitha, qoftë bujar me mëshirën e Tij ndaj tyre, si dhe me Xhennetin e Tij. Amin.”

Es-Safedi ka thënë: “Fatimeh, e bija e Abbas Ibën Ebil Fet’h, shejha, dijetarja, grua e cila kishte aftësi të jepte fetua (muftijjeh), dijetarja e fikhut (el fekiheh), e cila e braktisi dynjanë (Ez-Zahideh), adhuruesja e devotshme (El-Abideh), Ummu Zejneb el Bagdadijjeh, El-Hanbelijjeh, këshilluesja.

Ajo ngrihej në minber dhe i këshillonte gratë, dhe kështu ato ktheheshin në drejtësi për shkak të këshillave të saj, dhe e linin të keqen. Grupe grash përfituan nga këshillat e saj, dhe pasi kishin zemra të forta, ato u zbutën drejt bindjes, dhe Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, mahnitej nga veprat e tij, dhe e lavdëronte inteligjencën e saj, devotshmërinë dhe të qarit e saj.

Më shumë se një person më kanë treguar se Shejh Ibën Tejmijje ka thënë: “Pata mbetur i merakosur për një çështje që lidhej me të, meqë ajo ngrihej në minber dhe i këshillonte gratë, dhe unë doja ta ndaloja atë nga kjo…”

Dhe ajo, Allahu e mëshiroftë, vdiq në Ditën e Arafatit në vitin 714 pas hixhretit (1314).

Marrë nga: “El Bidajjeh ue En-Nihajjeh” e Ibën Kethirit, vëllimi 14, fq 82. “A’janul-Asr ue A’uanun-Nasr”, e Safediut. Vëllimi 4, fq.28.

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit