Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e dytë

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Mënyra e marrjes së abdesit:

Sa i përket pyetjes tënde për abdesin dhe formën e namazit, përgjigjja është si vijon:

Së pari: Abdesi është kusht për vlefshmërinë e namazit dhe assesi nuk bën pa të. Allahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me duar të lagëta; lani edhe këmbët deri në nyje.” (El-Mā’ide, 6) Kësisoj Allahu i Patëmetë i urdhëroi besimtarët në suren El-Mā’ide.

Ndërsa, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Namazi pa abdes nuk pranohet.” (Muslimi, nr. 329).

“Allahu nuk e pranon namazin e ndonjërit prej jush që ka kryer nevojën, derisa të marr abdes.” (Buhariu, nr. 6440 dhe Muslimi, nr. 330) Pra, abdesi është i domosdoshëm.

Kështu, së pari njeriu pastrohet nga jashtëqitjet, nëse e ka kryer nevojën e madhe apo të vogël. Burri dhe gruaja e pastrojnë atë që ka dal prej tyre qoftë para apo prapa, me ujë, apo me gurë, apo me faculeta të trasha e të pastra, tri herë apo më shumë, derisa t’u pastrohen mirë vendet (e turpshme) nga gjurmët e fekaleve dhe urinës. Më së miri është të përdoret uji; mirëpo nëse bashkon mes tyre, pra njëherë pastrohet me gurë/faculeta e pastaj me ujë, është edhe më e plotë.

Pastaj fillon të merr abdes sipas formës së ligjësuar në fe.

Abdesin e fillon duke thënë bismil-lāh (me emrin e Allahut). Kjo është ajo që ligjësohet. Ndërsa, disa dijetarë kanë thënë se është obligim të thuhet bismil-lāh gjatë fillimit të abdesit.

Pastaj i lanë shuplakat e duarve tri herë. Kjo është më mirë.

Më tej e shpërlanë gojën dhe hundën tri herë, me tre grushte ujë.

Pastaj e lanë fytyrën tri herë, prej ku fillojnë flokët në pjesën e sipërme, e gjer tek mjekra poshtë, ndërkaq horizontalisht: prej (fillimit të) veshit (deri) në veshin tjetër. Kështu lahet fytyra.

Pastaj i lanë duart prej majave të gishtërinjve e deri tek bërrylat; edhe bërryli duhet të lahet. Së pari e lanë dorën e djathtë, pastaj të majtën, sikur burri ashtu edhe gruaja.

Pas kësaj, edhe burri edhe gruaja, (me duar të lagëta) e fshijnë/fërkojnë tërë kokën (prej ku dalin flokët e deri ku fillon qafa, pastaj i kthen mbrapsht deri ku ka filluar) dhe dy veshët (me gishtin tregues brendësinë e tyre, ndërsa me të madhin anën e pasme).

Në vijim e lanë këmbën e djathtë së bashku me nyellin tri herë, e pastaj të majtën po ashtu tri herë, deri ku fillon kërciri. Pra, duhet të lahen edhe nyejt.

Prej sunetit është që shpëlarja e gojës dhe e hundës, larja e fytyrës, e duarve dhe këmbëve të bëhet nga tri herë. Ndërsa, koka dhe veshët fërkohen vetëm një herë. Nëse të gjitha gjymtyrët, fytyrën, duart, këmbët, i lanë/përfshinë tërësisht me ujë vetëm nga një herë apo nga dy herë, mjafton. Mirëpo, më mirë është të lahen nga tri herë. Është saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të ketë larë gjymtyrët gjatë abdesit nga një herë, dy herë dhe tri herë. Po ashtu është saktësuar prej tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se disa gjymtyrë i lante tri herë, e disa dy herë. Pra, çështja është e gjerë, falënderimi qoftë për Allahun! Obligim është që njeriu të lajë/përfshijë tërësisht me ujë secilën gjymtyrë nga një herë: fytyrën, së bashku me shpëlarjen e gojës dhe hundës, pastaj duart së bashku me bërryla, pastaj e fërkon kokën dhe dy veshët; kokën e fërkon të tërën. Pastaj i lanë/përfshinë tërësisht këmbët nga një herë së bashku me nyej. Ky është obligimi, mirëpo nëse e përsëritë dhe i lanë nga dy apo nga tri herë, kjo është më mirë. Në këtë mënyrë përfundon abdesi.

Pas marrjes së abdesit thotë:

أشهد أن لا الله إلا الله وحده لا شريك له وأشهد أن محمدا عبده ورسوله اللهم اجعلني من التوابين واجعلني من المتطهرين

“Eshhedu en lā ilāhe il-lAll-llahu wahdehū lā sherīke lehū, we eshhedu en-ne Muhammeden abduhū we resūluhū. All-llahum-mexh’alnī minet-tew-wābīne wexh’alnī minel-mutetah-hirīne!”

(Dëshmoj se s’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, i Cili është Një dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. O Allah, më bëj prej atyre që pendohen shumë dhe prej atyre që pastrohen!) Kështu i mësonte Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) shokët e tij të thoshin.

Është saktësuar prej tij të ketë thënë: “Kushdo prej jush që merr abdes ashtu siç është më së miri dhe pastaj thotë:

أشهد أن لا الله إلا الله وحده لا شريك له وأشهد أن محمدا عبده “Eshhedu en lā ilāhe il-lAll-llahu wahdehū lā sherīke lehū, we eshhedu en-ne Muhammeden abduhū we resūluhū. (Dëshmoj se s’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, i Cili është Një dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij), do t’i hapen të tetë portat e Xhenetit, dhe do të hyj prej cilës portë që dëshiron.” Përcjellë nga Muslimi në Sahīh-un e tij. (nr. 345). Ndërsa Tirmidhiu (nr. 50) ka shtuar me zinxhir të vërtetë edhe këto fjalë: اللهم اجعلني من التوابين واجعلني من المتطهرين All-llahum-mexh’alnī minet-tew-wābīne wexh’alnī minel-mutetah-hirīne!” (O Allah, më bëj prej atyre që pendohen shumë dhe prej atyre që pastrohen!)

Këto lutje thuhen pas përfundimit të abdesit si nga burri ashtu edhe nga gruaja, jashtë tualetit.

Kësisoj, ti u njohe me abdesin fetar, i cili është çelësi i namazit, siç thotë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Çelësi i namazit është abdesi, nisja e tij është tekbiri, ndërsa fundi i tij është selami.” (Ahmedi, nr. 957, Tirmidhiu, nr. 3 dhe ibën Māxhe, nr. 271)

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit