Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e gjashtë

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Ngritja për në rekatin e dytë dhe leximi në të:

Pasi që të ngrihet në rekatin e dytë, në të i bën të njëjtat gjëra që i bëri në të parin: e lexon “e’ūdhu bil-lāhi minesh-shejtānirr-rraxhīm, bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm” dhe pastaj El-Fātiha-në. Nëse nuk thotë “e’ūdhu bil-lāhi …” dhe mjaftohet me atë të rekatit të parë, s’ka gjë. Mirëpo nëse e përsëritë, kjo është më mirë, sepse fillon lexim të ri. Pra, ai e lexon “e’ūdhu bil-lāhi minesh-shejtānirr-rraxhīm, bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm”, pastaj El-Fātiha-në dhe më tej një sure, apo disa ajete, ashtu siç bëri në rekatin e parë. Mirëpo, surja që lexohet në rekatin e dytë është më e shkurtë sesa ajo e të parit, siç saktësohet një gjë e tillë në dy Sahīh-ët nga hadithi i Ebū Katāde El-Ensārij (radijAllahu anhu).

Rukuja e dytë:

Kur ta përfundojë leximin thotë “All-llāhu ekber” për t’u përulur në ruku, ashtu siç veproi në rekatin e parë. Pra, ai e thotë tekbīrin (“All-llāhu ekber”) duke i ngritur duart, pastaj ato i vendos mbi gjunjë me gishta të ndarë nga njëri-tjetri, ndërkohë që kokën e drejton në të njëjtën vijë me shpinën, ashtu siç bëri në rekatin e parë. Kësisoj vepronte Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Derisa është në këtë gjendje thotë tri, pesë, shtatë, apo më shumë herë:

سبحان ربي العظيم

“Subhāne rab-bijel-‘adhīm”

mirëpo, me kusht që të mos i rëndojë ata që falen pas tij, nëse është imam. Është e pëlqyeshme që kësaj t’ia bashkëngjitë edhe:

سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي

“SubhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.”

siç e përmendëm më lartë. E, nëse thotë:

سبحان ذي الجبروت والملكوت والكبرياء والعظمة

“Subhāne dhil-xheberūti wel-melekūti wel-kibrijāi wel-‘adhameti”

سبوح قدوس رب الملائكة والروح

“Sub-būhun, Kud-dūsun, rab-bul-melāiketi werr-rrūhi”

është një gjë e mirë. Të gjitha këto janë të dhikre të mira dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i thoshte gjatë rukusë dhe sexhdesë.

Ngritja pas rukusë së dytë:

Në vijim, pasi që i thotë dhikret e ligjësuara në ruku, çohet duke i ngritur duart dhe duke thënë:

سمع الله لمن حمده

“Semi’All-llāhu limen hamideh”

nëse është imam, apo duke u falur vetë. Pastaj i bënë të gjitha ato që i ka bërë në rekatin e parë. Pas kësaj bie në sexhde, siç u përmend më lartë, pa i ngritur duart dhe thotë “All-llāhu ekber” në momentin kur fillon të bjerë. Derisa është në sexhde thotë:

سبحان ربي الأعلى

“Subhāne rab-bijel-a’lā”

dhe lutet me ato lutje që i vijnë më lehtë, siç u përmend më lartë. Në vijim ngrihet nga sexhdeja duke thënë: “All-llāhu ekber”, ulet, qetësohet dhe thotë:

رب اغفر لي

“Rab-bigfirlī

dhe vepron ashtu siç veproi në rekatin e parë. Më tej, thotë “All-llāhu ekber” dhe bie në sexhden e dytë dhe vepron siç është përmendur më herët.

Tesheh-hudi i parë:

Pastaj ngrihet dhe ulet në tesheh-hud-in e parë nëse namazi i ka katër rekate si dreka, ikindia dhe jacia, apo tri rekate si akshami; ulet mbi këmbën e majtë të shtrirë, ndërkohë që të djathtën e mbanë drejtë (me gishta të kthyer drejt Kibles), ashtu siç u ul më parë mes dy sexhdeve. Kjo është më mirë, mirëpo sido që të ulet mjafton. Në vijim [e zgjeron shuplakën e tij të majtë në gjurin e majtë, i mbledh gishtat e dorës së djathtë, e drejton gishtin tregues kah Kibla, e fikson shikimin në të dhe duke e lëvizur] thotë tesheh-hud-in:

التحيات لله والصلوات والطيبات السلام عليك أيها النبي ورحمة الله وبركاته السلام علينا وعلى عباد الله الصالحين أشهد أن لا إله إلا الله وأشهد أن محمدا عبده ورسوله

“Et-tehij-jātu lil-lāhi wes-salewātu wet-taj-jibātu es-selāmu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju we rahmetull-llāhi we berekātuhū es-selāmu ‘alejnā we ‘alā ‘ibādil-lāhis-salihīn. Esh’hedu en lā ilāhe il-lAll-llāhu we esh’hedu en-ne Muham-meden ‘abduhū we resuluhū.”

(Të gjitha lavdërimet, duatë dhe fjalët e dëlira i takojnë Allahut. Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguar, dhe po ashtu mëshira dhe bekimi i Allahut. Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e drejtë të Allahut. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij.)

Kjo është forma që saktësohet në dy Sahīh-ët nga Abdullah bin Mes’ūdi (radijAllahu anhu). Nëse i thotë format tjera që saktësohen në hadithe të vërteta, mjafton, mirëpo kjo është më e mira, ngaqë është më e sakta dhe më e vërteta. Në vijim thotë:

اللهم صل على محمد وعلى آل محمد كما صليت على إبراهيم وعلى آل إبراهيم إنك حميد مجيد ، اللهم بارك على محمد وعلى آل محمد كما باركت على إبراهيم وعلى آل إبراهيم إنك حميد مجيد

“All-llāhum-me sal-li ‘alā Muham-medin we ‘alā āli Muham-medin kemā sal-lejte ‘alā Ibrāhīme we ‘alā āli Ibrāhīme in-neke Hamīdun Mexhīd. All-llāhum-me bārik ‘alā Muham-medin we ‘alā āli Muham-medin kemā bārekte ‘alā Ibrāhīme we ‘alā āli Ibrāhīme in-neke Hamīdun Mexhīd.”

(O Allah! Dërgo salavate mbi Muhammedin dhe mbi familjen e Muhammedit siç ke dërguar salavate mbi Ibrahimin dhe mbi familjen e Ibrahimit; Ti, me të vërtetë, je i denjë për Lavdërim, përplot Madhështi. O Allah! Bekoje Muhammedin dhe familjen e Muhammedit, siç ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit; Ti, me të vërtetë, je i denjë për Lavdërim, përplot Madhështi.)

Pastaj ngrihet në rekatin e tretë. Nëse nuk i thotë salavatet mbi Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), por ngrihet menjëherë pas thënies së shehadetit: “esh’hedu en lā ilāhe il-lAll-llāhu we esh’hedu en-ne Muham-meden ‘abduhū we resuluhū” s’ka gjë, sepse disa dijetarë thanë: dërgimi i salavateve mbi Pejgmaberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk pëlqehet në këtë rast, por në tesheh-hudin e fundit. Mirëpo, hadithet e vërteta tregojnë se dërgimi i salavateve ligjësohet në dy tesheh-hudet. Ky është mendimi më i saktë për shkak të përgjithësimit të ardhur në hadithe, mirëpo nuk është i detyrueshëm; dërgimi i tyre është i obligueshëm vetëm në tesheh-hudin e fundit, siç thanë një numër i madh dijetarësh.

Ngritja në rekatin e tretë dhe të katërt:

Kur ta përfundojë tesheh-hudin e parë dhe dërgimin e salavateve mbi Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) – ngaqë kjo (dërgimi i tyre) është më mirë – ngrihet duke thënë “All-llāhu ekber” dhe i ngritë duart, siç saktësohet një gjë e tillë në hadithin e Abdullah bin ‘Umerit (radijAllahu anhuma), i cili shënohet në Sahīh-un e Buhāriut (Allahu e mëshiroftë); ngrihet në rekatin e tretë të akshamit, apo në rekatin e tretë dhe të katërt të drekës, ikindisë dhe të jacisë dhe lexon El-Fātiha-në. Leximi vetëm i El-Fātiha-së i mjafton, siç saktësohet në hadithin e Ebū Katādes se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në dy rekatet e fundit e lexonte vetëm El-Fātiha-në. Mirëpo, nëse nganjëherë në namazin e drekës lexon Kuran pas saj (në dy rekatet e fundit), është një gjë e mirë, sepse kjo saktësohet në hadithin e Ebū Se’īdit (radijAllahu anhu). Aty përmendet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në dy rekatet e para të ikindisë lexonte aq sa lexonte në dy rekatet e fundit të drekës. Kjo tregon se ai nganjëherë, në dy rekatet e fundit të drekës lexonte Kuran pas El-Fātiha-së. Andaj, nëse njeriu ndonjëherë lexon Kuran pas El-Fātiha-së në këto dy rekate, s’ka gjë të keqe, përkundrazi, kjo është mirë. Mirëpo, në shumicën e rasteve e lexon vetëm El-Fātiha-në në drekë, duke bashkuar kështu midis hadithit të Ebū Se’īdit dhe atij të Ebū Katādes. Pra, nëse namazfalësi në rekatin e tretë dhe të katërt të drekës ndonjëherë lexon Kuran pas El-Fātiha-së, kjo është një gjë e mirë, duke e vënë kështu në praktikë hadithin e Ebū Se’īdit. E, nëse në shumicën e rasteve nuk e bën këtë, atëherë kjo është më mirë, duke e praktikuar kështu hadithin e Ebū Katādes, ngaqë ai është më i saktë dhe më i qartë sesa hadithi i Ebū Se’īdit. Kësisoj, herë le ta bëjë këtë, e herë atë. Ndërsa, në rekatin e tretë dhe të katërt të ikindisë dhe të jacisë, si dhe në rekatin e tretë të akshamit, nuk ka veçse lexim të sures El-Fātiha. Andaj, nuk është e pëlqyeshme që në to të shtohet leximi i ndonjë pjese të Kuranit pas El-Fātiha-së, ngaqë nuk ka argument për këtë.

Rukuja, ngritja prej saj dhe sexhdeja në dy rekatet e fundit:

Më pas, kur të përfundojë leximin e El-Fātiha-së në rekatin e tretë dhe të katërt të ikindisë dhe jacisë, si dhe në rekatin e tretë të akshamit, thotë “All-llāhu ekber” për t’u përulur në rukunë e ligjësuar dhe në të vepron ashtu siç veproi më herët. Pastaj ngrihet duke thënë:

سمع الله لمن حمده

“Semi’All-llāhu limen hamideh”

nëse është imam apo duke u falur vetë. Ndërsa, nëse është duke u falur pas imamit thotë:

ربنا ولك الحمد

“Rab-benā we lekel-hamdu”

Pastaj, si imami, ashtu edhe ai që falet pas tij, apo ai që falet vetë, e vazhdojnë dhikrin e përmendur në hadithe për këtë gjendje, ashtu siç e shpjeguam më lartë. Në vazhdim bie në sexhde duke thënë “All-llāhu ekber” dhe e bën atë, siç u përmend më lartë. Më tej, ulet mes dy sexhdeve, pastaj e bën sexhden e dytë. Të gjitha këto i vepron ashtu siç u shpjeguan më herët. Në rekatin e katërt i bën po ato gjëra që i bëri në rekatin e tretë. Të njëjtat i vepron edhe në rekatin e tretë të akshamit. Ndërsa, në namazin e sabahut, të xhumasë dhe të Bajramit nuk ka rekat të tretë dhe të katërt; vetëm dy rekate janë të obligueshme. Në to e lexon El-Fātiha-në dhe çfarë i vjen më lehtë nga Kurani Fisnik, siç dihet një gjë e tillë nga suneti i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Në tërë këtë mundohet t’ia qëllojë pjesëve të Kuranit që janë të njohura në sunetin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit