Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e shtatë

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Tesheh-hudi i fundit:

Në këtë mënyrë përfundon namazi dhe nuk mbetet gjë tjetër, përveç tesheh-hud-it. Pra, kur e kryen rekatin e katërt të drekës, ikindisë dhe të jacisë, apo të tretin të akshamit, apo të dytin të sabahut, xhumasë dhe Bajramit dhe të ngrihet nga sexhdeja e dytë në rekatin e fundit, ulet për ta lexuar et-tehij-jatu. Ashtu siç e ka lexuar në tesheh-hudin e parë e lexon edhe këtu dhe thotë:

التحيات لله والصلوات والطيبات السلام عليك أيها النبي ورحمة الله وبركاته السلام علينا وعلى عباد الله الصالحين أشهد أن لا إله إلا الله وأشهد أن محمدا عبده ورسوله

“Et-tehij-jātu lil-lāhi wes-salewātu wet-taj-jibātu es-selāmu ‘alejke ej-juhen-nebij-ju we rahmetull-llāhi we berekātuhū es-selāmu ‘alejnā we ‘alā ‘ibādil-lāhis-salihīn. Esh’hedu en lā ilāhe il-lAll-llāhu we esh’hedu en-ne Muham-meden ‘abduhū we resuluhū.”

Pastaj dërgon salavate mbi Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë:

اللهم صل على محمد وعلى آل محمد كما صليت على إبراهيم وعلى آل إبراهيم إنك حميد مجيد ، اللهم بارك على محمد وعلى آل محمد كما باركت على إبراهيم وعلى آل إبراهيم إنك حميد مجيد

“All-llāhum-me sal-li ‘alā Muham-medin we ‘alā āli Muham-medin kemā sal-lejte ‘alā Ibrāhīme we ‘alā āli Ibrāhīme in-neke Hamīdun Mexhīd. All-llāhum-me bārik ‘alā Muham-medin we ‘alā āli Muham-medin kemā bārekte ‘alā Ibrāhīme we ‘alā āli Ibrāhīme in-neke Hamīdun Mexhīd.”

Kjo është forma më e përsosur që është përcjellë rreth salavateve mbi të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse namazfalësi e lexon ndonjërën prej formave që janë saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i mjafton.

Lutja pas tesheh-hudit të fundit:

Allahu i Patëmetë na ka ligjësuar përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që në fund të namazit, pas leximit të et-tehij-jatu dhe dërgimit të salavateve mbi Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), të kërkojmë mbrojtjen e Tij nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga sprova e mesīhut (të rrejshëm), Dexhxhālit. Një gjë e tillë ligjësohet si për meshkujt ashtu edhe për femrat, qoftë në namazet e obligueshme, apo në ato të vullnetshme. Është e pëlqyeshme që pas kësaj të lutet me atë lutje që i vije më lehtë, ngaqë, kur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ua mësoi shokëve të vet tesheh-hudin tha: “Pastaj ndonjëri prej jush le ta zgjedhë një lutje që i pëlqen më së shumti dhe le të lutet me të.” (Ebū Dāvūdi, nr. 825) Ndërsa në një version tjetër qëndron: “Pastaj le të zgjedhë çfarëdo lutje që do.” (Muslimi, nr. 609) Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e kishte zakon të lutej me këto fjalë:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَعُوذُ بِكَ مِنْ عَذَابِ جَهَنَّمَ ، وَمِنْ عَذَابِ الْقَبْرِ ، وَمِنْ فِتْنَةِ الْمَحْيَا وَالْمَمَاتِ ، وَمِنْ فِتْنَةِ الْمَسِيحِ الدَّجَّالِ

“All-llāhum-me inī e’ūdhu bike min ‘adhābi Xhehen-neme we min ‘adhābil-kabri we min fitnetil-mahjā wel-memāti we min fitnetil-mesīhid-dexh-xhāl.”

(O Allah! Me Ty mbrohem nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe vdekjes dhe nga sprova e mesīhut, Dexhxhālit.)

Ndërsa, një ditë Mu’ādhit i tha: “O Mu’ādh! Vërtet që unë të dua. Andaj, kurrë mos e lë pa thënë në fund të namazit:

اللهم أعني على ذكرك وشكرك وحسن عبادتك

“All-llāhum-me e’inī ‘alā dhikrike we shukrike we husni ‘ibādetike”

(O Allah! Më ndihmo të të përmend e të të falënderoj dhe më ndihmo të të adhuroj ashtu siç është më së miri!) (Nesāiu, nr. 1286 dhe Ebū Dāvūdi, nr. 1301)

Është saktësuar nga Aliu (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në fund të namazit, para se të jepte selam, thoshte:

اللهم اغفر لي ما قدمت وما أخرت وما أسررت وما أعلنت وما أسرفت وما أنت أعلم به مني أنت المقدم وأنت المؤخر لا إله إلا أنت

“All-llāhum-magfirlī mā kad-demtu we mā eh-hartu we mā esrertu we mā a’lentu we mā esreftu we mā Ente a’lemu bihī min-nī. Entel-Mukad-dimu we Entel-Mueh-hiru lā ilāhe il-lā Ente.”

(O Allah! M’i fal mëkatet e hershme dhe të vonshme; ato që i kam bërë fshehtas dhe ato që i kam bërë haptas; ato me të cilat e kam tepruar dhe ato që Ti i di më mirë se unë. Ti je Ai që çon gjërat përpara dhe Ti je Ai që i lë gjërat prapa (e i vendos nëpër vendet e tyre ashtu siç e kërkon vullneti dhe urtësia e Tij). S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje.) (Ahmedi, nr. 691 dhe 764 dhe Muslimi, nr. 1290).

Po ashtu është saktësuar në Sahīh-un e Buhāriut nga Sa’d bin Ebū Uekkāsi (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thoshte në fund të namazit të tij:

اللهم إني أعوذ بك من البخل وأعوذ بك من الجبن وأعوذ بك أن أرد إلى أرذل العمر وأعوذ بك من فتنة الدنيا ومن عذاب القبر

“All-llāhum-me in-nī e’ūdhu bike minel-buhli we e’ūdhu bike minel-xhubni we e’ūdhu bike min en ured-de ilā erdhelil-‘umuri we e’ūdhu bike min fitnetid-dunjā we min ‘adhābil-kabri.”

(O Allah! Me Ty mbrohem nga koprracia, nga jotrimëria, nga matufosja, nga sprova e jetës dhe nga dënimi i varrit!) (Buhāriu, nr. 790, 5851, 6839 dhe Muslimi, nr. 4876)

Gjithashtu është e pëlqyeshme të thuhet lutja e ardhur në hadithin e Abdullah bin ‘Amër bin ‘Āsit (radijAllahu anhuma) që shënohet në dy Sahīh-ët. Aty përmendet se Ebū Bekri (radijAllahu anhu) tha: “O i Dërguar i Allahut! Më mëso një lutje me të cilën do të lutem gjatë namazit tim!” Ai i tha: “Thuaj:

اللهم إني ظلمت نفسي ظلما كثيرا ولا يغفر الذنوب إلا أنت فاغفر لي مغفرة من عندك وارحمني إنك أنت الغفور الرحيم

“All-llāhum-me in-nī dhalemtu nefsī dhulmen kethīren we lā jagfirudh-dhunūbe il-lā Ente. Fagfirlī magfireten min ‘indike werhamnī in-neke Entel-Gafūrurr-Rrahīm.”

(O Allah! Vërtet, i kam bërë shumë dëm vetes dhe askush nuk mund të falë mëkatet pos Teje. Pra, më fal me faljen Tënde dhe më mëshiro. Vërtet, Ti je Falës i Madh, Mëshirëplotë.)

Pra, këto janë lutje të mira, thënia e të cilave është e ligjësuar në fund të namazit, pasi që të lexohet et-tehij-jatu, shehadeti dhe salavatet mbi të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse lutet me lutje tjera të mira, përpos këtyre, s’ka gjë të keqe.

Në namaz gruaja është sikurse burri:

Duhet të dimë se në të gjitha këto gjëra që u përmendën, gruaja është njësoj me burrin, për shkak të përgjithësimit të ardhur në hadithe.

Dhënia e selamit:

Kur namazfalësi, qoftë burrë apo grua, e përfundon lutjen, jep selam në anën e djathtë duke thënë:

السلام عليكم ورحمة الله

“Es-Selāmu ‘alejkum we rahmetull-llāh”

(Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë me ju!)

pastaj jep selam në anën e majtë duke thënë:

السلام عليكم ورحمة الله

“Es-Selāmu ‘alejkum we rahmetull-llāh”

Kështu vepronte Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Kjo vlen si për burra ashtu edhe për gra; si në namazet e obligueshme ashtu edhe në ato të vullnetshme.

Dhikret që thuhen pas namazit:

Pas dhënies së selamit burri apo gruaja thonë tri herë:

استغفر الله

“Estagfirull-llāh”

(Kërkoj falje nga Allahu!)

Pastaj thotë:

اللهم أنت السلام ومنك السلام تباركت يا ذا الجلال والإكرام

“All-llāhum-me Entes-Selāmu we minkes-selāmu tebārekte jā dhel-xhelāli wel-ikrāmi”

(O Allah! Ti je Paqëdhënësi dhe prej Teje vjen paqja (shpëtimi). I Lartësuar qofsh Ti që je Posedues i Madhërisë dhe i Nderit!)

Pastaj imami kthehet me fytyrë nga njerëzit dhe thotë:

لا إله إلا الله وحده لا شريك له له الملك وله الحمد وهو على كل شيء قدير

“Lā ilāhe il-lAll-llāhu wahdehū lā sherīke lehū lehul-mulku we lehul-hamdu we huwe ‘alā kul-li shej’in Kadīr.”

(S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq. Atij i përket sundimi dhe lavdi/falënderimi dhe Ai është i Fuqishëm të bëjë ç’të dojë.)

Po ashtu edhe ata që falen pas tij, burra e gra, i thonë të njëjtat fjalë. Nganjëherë i shton edhe këto fjalë:

لا إله إلا الله وحده لا شريك له له الملك وله الحمد يحيي ويميت بيده الخير وهو على كل شيء قدير

“Lā ilāhe il-lAll-llāhu wahdehū lā sherīke lehū lehul-mulku we lehul-hamdu juhjī we jumītu bijedihil-hajru we huwe ‘alā kul-li shej’in Kadīr.”

(S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq. Atij i përket sundimi dhe lavdi/falënderimi. Ai jep jetë dhe vdekje, në dorën e Tij janë të mirat dhe Ai është i Fuqishëm të bëjë ç’të dojë.)

e nganjëherë nuk i thotë. Çështja është e gjerë, falënderimi qoftë për Allahun! Pastaj thotë:

لا حول ولا قوة إلا بالله ، لا إله إلا الله ولا نعبد إلا إياه له النعمة وله الفضل وله الثناء الحسن ، لا إله إلا الله مخلصين له الدين ولو كره الكافرون اللهم لا مانع لما أعطيت ولا معطي لما منعت ولا ينفع ذا الجد منك الجد

“Lā hawle we lā kuw-wete il-lā bil-lāhi, lā ilāhe il-lAll-llāhu we lā na’budu il-lā ij-jāhu lehun-n’imetu we lehul-fadlu we lehuth-thenā-ul-hasen. Lā ilāhe il-lAll-llāhu muhlisīne lehud-dīne we lew kerihel-kafirūn. All-llāhum-me lā māni’a limā a’tejte we lā mu’tije limā mena’te we lā jenfe’u dhel-xhed-di minkel-xhed-du.”

(S’ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e Allahut; nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe nuk e adhurojmë askënd tjetër përveç Tij; dhuntitë dhe mirësitë i përkasin Atij dhe vetëm Atij i takon lavdërimi më i mirë. Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut. Me sinqeritet Atë e adhurojmë, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët. O Allah! Askush s’mund ta ndalë atë që jep Ti dhe askush s’mund të japë atë që Ti e ndalë, e as zotërimet/pasuritë e një pronari nuk mund t’i bëjnë dobi para Teje.)

E tërë kjo është e pëlqyeshme të thuhet pas secilit prej pesë namazeve, si nga burrat ashtu edhe nga gratë. Pastaj burri apo gruaja thotë “subhānAllāh, elhamdulil-lāh, All-llāhu ekber” tridhjetetre herë duke i numëruar me gishtat e tij. Pra, gjithsej nëntëdhjetenëntë herë; tridhjetetre herë subhānAllāh, tridhjetetre herë elhamdulil-lāh dhe tridhjetetre herë All-llāhu ekber. Më tej, duke e plotësuar numrin njëqind thotë: “Lā ilāhe il-lAll-llāhu wahdehū lā sherīke lehū lehul-mulku we lehul-hamdu we huwe ‘alā kul-li shej’in Kadīr.”

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush i thotë këto i falen gjynahet edhe nëse janë sa shkuma e detit.” (Muslimi, nr. 939) Kjo është një dhunti dhe mirësi e madhe. Kuptimi është: kush e thotë me pendim dhe me braktisje të mëkateve, jo vetëm me fjalë që dalin nga goja. Porse e thotë me kërkim faljeje, me keqardhje, me pendim dhe me mosvazhdimësi në mëkate. Në këtë rast shpresohet për të se do ta arrijë këtë mirësi të madhe. Kjo vlen edhe për mëkatet e mëdha; pra, nëse e thotë me besim, me vërtetësi, me pendim të vërtetë dhe keqardhje për mëkatet e bëra, atëherë Allahu ia falë gjynahet e mëdha dhe të vogla, për shkak të pendimit, vërtetësisë dhe sinqeritetit të tij.

Në vijim e lexon ajetul-kursijj-in:

اللَّهُ لا إِلَهَ إِلا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ لا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلا نَوْمٌ لَهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ مَنْ ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلا بِإِذْنِهِ يَعْلَمُ مَا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ وَلا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِنْ عِلْمِهِ إِلا بِمَا شَاءَ وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَلا يَئُودُهُ حِفْظُهُمَا وَهُوَ الْعَلِيُّ الْعَظِيمُ

“All-llāhu lā ilāhe il-lā huwel-Hajjul-Kajjūmu lā te’hudhuhū sinetun we lā newmun lehū mā fis-semāwāti we mā fil-erdi men dhel-ledhī jeshfe’u ‘indehū il-lā bi idhnihī ja’lemu mā bejne ejdīhim we mā halfehum we lā juhītūne bi shej’in min ‘ilmihī il-lā bimā shā-e wesi’a kursij-juhus-semāwāti wel-erda we lā jeūduhū hifdhuhumā we huwel-‘Alijjul-‘Adhīm.” (El-Bekare, 255)

(Allahu! Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!)

Këtë ajet e lexon si burri ashtu edhe gruaja pas namazeve të obligueshme. Në disa hadithe përcillet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e lexon ajetul-kursijj-in pas çdo namazi, asgjë nuk e pengon nga hyrja në Xhenet përveç vdekjes.” Hadithi që flet për këtë ka rrugë të shumta që tregojnë për vërtetësinë dhe saktësinë e tij nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ky ajet është ajeti më madhështorë dhe më me vlerë në Librin e Allahut. Është e pëlqyeshme që të thuhet pas selamit, pas dhikrit që u përmend më lart, si dhe gjatë rënies në gjumë. Leximi i tij është shkak që Allahu ta ruaj robin nga shejtani dhe nga çdo e keqe, siç saktësohet një gjë e tillë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Po ashtu është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet, nëse njeriu e thotë atë pas çdo namazi të detyrueshëm, siç u përmend më lart. Gjithashtu pëlqehet që imami, ai që falet pas tij dhe ai që falet vetë të lexojnë heshtas suret El-Ihlās, El-Felek dhe En-Nās nga njëherë në namazin e drekës, të ikindisë dhe të jacisë. Ndërsa, në namazin e akshamit dhe të sabahut (secilën prej tyre) nga tri herë. Gjithashtu është e pëlqyeshme që pas namazit të sabahut dhe të akshamit të thotë nga dhjetë herë:

“Lā ilāhe il-lAll-llāhu wahdehū lā sherīke lehū lehul-mulku we lehul-hamdu juhjī we jumītu we huwe ‘alā kul-li shej’in Kadīr.”

si shtesë ndaj dhikrit të ligjësuar që u përmend më lart. Kjo është përcjellë në disa hadithe të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

E lusim Allahun e Madhërishëm që të gjithëve të na jap sukses drejt pasimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), zbatimit të sunetit të tij dhe qëndrueshmërisë në fenë e Tij derisa ta takojmë Atë!

Salatet dhe selamet e Allahut qofshin për Profetin tonë, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Fund

Shtesë:

Shejh Muhamed bin Sālih El-Uthejmīn (Allahu e mëshiroftë) në fund të librit të tij “Sifetu salātin-nebijji sal-lAllahu alejhi ue sel-lem” (Forma e namazit të Pejgamberit) thotë:

“Sipas mendimit tim, gjëja më e rëndësishme në namaz, pasi që njeriu ta kryej atë sipas sunetit, është prania e zemrës. Sepse sot, shumë njerëz nuk mposhten nga mendimet dhe vesveset, veçse kur lidhen në namaz, dhe, posa të përfundojë namazin e tij, menjëherë i largohen këto mendime dhe vesvese.”

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit