Mirësitë e sheriatit dhe të metat e ligjeve njerëzore

Mirësitë e sheriatit

Nuk është e lehtë për askënd që t’i numërojë dhe sqarojë mirësitë e sheriatit dhe aspektet e të mirave në të, sepse ky është sheriat i të gjitha mirësive, siç thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): Allahu ka urdhëruar të kihet mirësi ndaj çdo gjëje… pa bërë asnjë përjashtim, bile edhe gjatë therjes së kafshës duhet të kihet mirësi, e edhe në ato raste kur njeriut nuk i shkon mendja te kuptimi i mirësisë, siç thotë Pejgamberi salallahu alejhi ve selem): Kur të therni kafshën bëjeni në formën më të mirë…. Bile nëse shikojmë me kujdes në fushat e jetës do të vërejmë se mirësia është në majë të tyre, bile qëllimi me krijimin e njeriut, me vdekjen dhe jetën e tij është mirësia, siç thotë Allahu: Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë! Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë (El Mulk,1-2), dhe thotë: Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë” (El Kehf, 7). Kurse në hadithin e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) pasi sqarohet Islami, ngrihet në gradën e sqarimit të Imanit e më pas në majë të të gjithave sqarohet Ihsani (bëmirësia). Kjo është feja e Allahut, siç thotë Allahu: Thoni: “Kjo fe është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!” (El Bekare, 138)

Nëse fillojmë t’i numërojmë aspektet e mirësisë në sheriat, qoftë edhe në formë të përgjithshme, do të vërejmë se mirësia së pari fillon në fjalë, ku thotë Allahu:Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira (El Isra, 53), e bile mirësia vije në shprehje edhe gjatë polemikës, ku thotë Allahu: Polemizo me ata në mënyrën më të mirë (En Nahl, 125), e po ashtu gjatë thirrjes së njerëzve në Islam: Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të mirë (En Nahl, 125), e bile mirësia vije në shprehje edhe me atë që sillet keq: Largoje të keqen me atë që është më e mira (El Mu’minun, 96),Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë (Fussilet, 34), edhe me sjellje ndaj bashkëshorteve: Gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të shkojë me të mirë (El Bekare, 229), e gjithashtu edhe me prindërit: të silleni mirë me prindërit (El Bekare, 83), gjë që nuk mund të arrijmë në fund të mirësive… por si përfundim e përmendim ajetin:por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit(El Bekare, 195).

Ky është sheriati i Allahut i cili ka zbritur në Librin, ajetet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e të Urtit të Gjithëdijshmit, kanë zbritur mbi njeriun e zgjedhur dhe vulën e të Dërguarve, i cili është i butë dhe i mëshirshëm me besimtarët, ka zbritur mbi njerëzit më të mirë, të cilët urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja dhe besojnë Allahun.

Ky është sheriati të cilin e zgjodhi Allahu, e përsosi dhe e plotësoi:Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj(El Maide, 3).

Kishte sheriate edhe më herët, pra edhe ata që ishin para nesh patën fetë e tyre, u zbritën libra dhe u erdhën pejgamberë. Më pas erdhi ky sheriat më i ploti, erdhi kjo fe më e përsosura, e cila u zbrit në Librin që vërteton librat e mëhershëm. Kurse ky Pejgamber ishte vula e pejgamberëve, të cilin e zgjodhi Allahu tek njerëzit e zgjedhur dhe tek umeti më i mirë. Pra ky është sheriati më i mirë që është zbritur tek njeriu më i mirë, i cili është dërguar tek umeti më i mirë.

Kurse nëse flasim nga një aspekt tjetër: ky sheriat është shpallje nga Allahu, që është shpallur me fjalën e Allahut, pra është e lidhur me cilësitë e Allahut. Kurse përkryerja e cilësive të Allahut është degë e përkryerjes së qenies së Tij: Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë (El En’am, 115).

Kjo është drita e Allahut, me të cilën i nxori njerëzit nga errësira: Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë. (Nur: 35).

Vijon…

Autor: Atije Muhamed Salim

Përktheu: Jeton Bozhlani

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit