Nga ‘Ubejdullāh bin Mihsan El-Hatmij (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo prej jush që zgjohet i sigurt në sirb-in e tij, i shëndoshë në trupin e tij, e ka ushqimin për atë ditë, atëherë sikur t’i jetë mbledhur dynjaja me çfarë ka në të.” (Buhāriu në “Edebul-mufred” nr.300, Tirmidhiu nr. 2346, ibën Māxhe nr. 4141 dhe El-Bejhekij në “Shu’abul-Īmān” nr. 10362. Shejh Albani e ka vlerësuar për të mirë (hasen) në “Sahīhut-Tergīb uet-Terhīb, nr. 826).

El-Mubārekfūrij në “Tuhfetul-Ahuedhij bisherhi Xhāmi’it-Tirmidhij” shpjegon:

“prej jush” domethënë: o ju besimtarë.

“i sigurt” do të thotë: që nuk frikohet nga armiku.

“në sirb-in e tij”: me vokalin “i”, domethënë në veten e tij. Gjithashtu kanë thënë së është për qëllim bashkësia; domethënë: në familjen dhe anëtarët e saj. Disa e kanë vokalizuar me “e” (serbihi) që ka kuptimin në drejtimin dhe rrugën e tij. Disa të tjerë e kanë vokalizuar me dy “e” (serebihi), që do të thotë në shtëpinë e tij.

“i shëndoshë”: domethënë: i paprekur nga ndonjë defekt apo sëmundje.

“në trupin e tij”: jashtë dhe brenda.

“e ka ushqimin për atë ditë”: e ka ushqimin që i nevojitet për atë ditë, të cilin e ka fituar në mënyrë hallall.

“sikur t’i jetë mbledhur dynjaja me çfarë ka në të”: sikur t’i jetë dhuruar dynjaja me çfarë ka në të.”

Përktheu: Petrit Perçuku