Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8374

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për të gjithë ata që ecin shtegut të tyre, deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Vërtet që Allahu i Lartësuar urdhëron drejtësinë e mirësinë si dhe ndalon padrejtësinë, dhunën dhe armiqësinë. Allahu e çoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me të njëjtin mesazh me të cilin i çoi edhe të gjithë të dërguarit e tjerë: thirrjen në teuhid dhe në kryerjen e adhurimit sinqerisht, vetëm për Të. Allahu e urdhëroi atë (salallahu alejhi ue selem) të mbante drejtësinë dhe e ndaloi nga e kundërta e saj, si: adhurimi i të tjerëve në vend të Allahut, përçarja, ndarja dhe cenimi i të drejtave të njerëzve.

Në ditët e sotme është përhapur gjithandej një dukuri, e cila është se: shumica e atyre që i atribuohen dijes dhe thirrjes tek e vërteta, e cenojnë dhe e marrin nëpër gojë nderin e shumë vëllezërve të tyre, që janë thirrës të njohur, nxënës të dijes apo ligjërues. Këtë e bëjnë fshehtas nëpër ndejat e tyre apo ndoshta edhe e incizojnë në kaseta, të cilat pastaj u shpërndahen njerëzve. Ndodh që këtë e bëjnë edhe haptas në ligjëratat e përgjithshme që mbahen nëpër xhami.

Kjo rrugë (metodë) e tyre e kundërshton atë që e urdhëroi Allahu dhe i Dërguari i Tij nga disa aspekte:

1. Kjo është cenim i të drejtës së myslimanëve, madje i njerëzve të veçantë në mesin e tyre, si: nxënësve të dijes dhe thirrësve të cilët nuk kursyen asgjë për vetëdijesimin dhe udhëzimin e njerëzve, si dhe për përmirësimin e besimit dhe metodologjisë së tyre; të cilët u përpoqën fort për rregullimin e mësimeve e ligjëratave dhe për shkrimin e librave të dobishëm.

2. Është përçarje e unitetit të myslimanëve dhe grisje e radhëve të tyre, duke qenë se myslimanët më së shumti kanë nevojë për unitet dhe largim nga ndarja, përçarja dhe nga thashethemet e shumta mes tyre. Aq më tepër kur thirrësit e përfolur janë nga Ehlu Suneti dhe Xhemati, dhe njihen me luftimin ndaj bidateve e besëtytnive; njihen që i bëjnë ballë thirrësve drejt bidatit dhe i zbulojnë planet (komplotet) dhe lojërat e tyre. Nuk shohim ndonjë përfitim në këtë punë, veçse për armiqtë: jobesimtarët, hipokritët apo ithtarët e bidateve dhe humbjes, të cilët presin me padurim fatkeqësi mbi myslimanët.

3. Në këtë vepër ka përkrahje dhe ndihmë për tendenciozët në radhët e sekularistëve dhe të mashtruarve me jetën perëndimore dhe për jofetarët e tjerë, të cilët njihen me akuzat dhe rrenat e tyre ndaj thirrësve, si dhe me nxitjen e njerëzve kundër tyre (thirrësve), përmes shkrimeve e incizimeve. Nuk është prej të drejtës së vëllazërisë islame, që këta njerëz të ngutshëm t’i ndihmojnë armiqtë e tyre kundër vëllezërve të tyre në radhët e nxënësve të dijes, thirrësve dhe të tjerëve.

4. Në këtë ka prishje të zemrave të njerëzve të rëndomtë dhe të veçantë, përhapje dhe reklamim (mbështetje) të rrenave dhe thashethemeve të kota. (Kjo vepër) është shkak për shpeshtimin e përgojimit dhe bartjes së fjalëve; është hapje e tërësishme e derës së sherrit për shpirtligët, të cilët vazhdimisht përhapin dyshime, nxisin fitne dhe janë të përkushtuar që t’i lëndojnë besimtarët për diçka që nuk kanë bërë.

5. Shumica e fjalëve që fliten nuk janë të vërteta, por janë iluzione, të cilat shejtani ua ka hijeshuar këtyre njerëzve dhe i ka mashtruar me to. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin!” (El- Huxhurât, 12) Besimtari, fjalës së vëllait të vet mysliman, duhet t’ia jap kahjen më të mirë të mundshme. Disa nga selefët thanë: “Mos mendo keq për fjalën e vëllait tënd, duke qenë se i gjen kahje në të mirë”.

6. Kur disa dijetarë apo nxënës të dijës të bëjnë ixhtihad në gjërat që lejohet të ketë ixhtihad, atëherë atyre ajo nuk u merret për të madhe dhe nuk qortohen, nëse janë të denjë për të (ixhtihadin). E, nëse dikush e kundërshton në atë ixhtihad, atëherë është e udhës që të diskutojë me të në mënyrën më të mirë, ashtu që të ketë përkushtim në arritjen e së vërtetës përmes rrugës më të afërt dhe largim të vesveseve të shejtanit dhe ngatërresave që ai i fut në mesin e besimtarëve. E nëse s’ka mundësi të bëhet një gjë e tillë dhe dikush mendon se gjithsesi duhet të qartësohet kundërshtimi që ai ia ka bërë të vërtetës, atëherë kjo duhet të bëhet me fjalët dhe gjestet më të mira e më të buta, pa ofendime, akuza dhe fjalë të gënjeshtërta, të cilat ndodh që shkaktojnë refuzimin e të vërtetës apo që njeriu t’ia kthejë kurrizin asaj.

Gjithashtu duhet të bëhet pa iu drejtuar njerëzve personalisht dhe pa i akuzuar nijetet apo pa shtuar fjalë, për të cilat s’ka kurrfarë nevoje. I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) kur fliste për këto gjëra thoshte: “Ç’është me disa njerëz që thonë kështu e ashtu”.

Këshilla ime drejtuar atyre që kanë cenuar nderin e thirrësve dhe i kanë përfolur ata, është që të kthehen me pendesë tek Allahu për gjërat që i kanë shkruar apo që i kanë folur, gjë që ishte shkak për prishjen e zemrave të disa të rinjve dhe mbushjen e tyre me urrejtje e antipati, dhe për pengimin e tyre nga marrja e dijes së dobishme dhe nga thirrja drejt Allahut. Të gjitha këto përmes thashethemeve dhe fjalëve për filanin e fistekun dhe përmes hulumtimit e gjurmimit të gjërave që i konsideronin si gabime të të tjerëve, pastaj angazhimit të tepërt në një gjë të tillë.

Gjithashtu i këshilloj që të shlyejnë gabimin që kanë bërë përmes shkrimeve apo gjërave të tjera, duke e distancuar veten nga një vepër e tillë dhe duke e hequr atë që është ngjitur në mendjet e atyre që i dëgjojnë ata, dhe t’u qasen veprave frytdhënëse, të cilat afrojnë tek Allahu dhe u bëjnë dobi njerëzve. Gjithashtu, të kenë kujdes nga nxitimi në shpalljen e njerëzve si jobesimtarë apo fasik apo bidatçi, pa pasur kurrfarë dëshmie e argumenti. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush i thotë vëllait të vet: “O qafir”, atëherë ajo fjalë do t’i kthehet njërit nga ta.” (Mut-tefekun alejhi)

Është e ligjshme për nxënësit e dijes dhe thirrësit që kur të kenë të paqartë ndonjë fjalë të dijetarëve apo të tjerëve, t’u kthehen dijetarëve të mirëfilltë dhe t’i pyesin për të, në mënyrë që t’ua sqarojnë mirë çështjen dhe t’ua tregojnë realitetin e saj, si dhe t’ua heqin mëdyshjet dhe dyshimet që i kanë përbrenda; gjithmonë duke vepruar sipas fjalës së Allahut të Madhërishëm: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” (En-Nisâ’, 83)

E lusim Allahun që ta përmirësojë gjendjen e myslimanëve, t’i bashkojë zemrat dhe veprat e tyre në devotshmëri, t’u dhurojë sukses të gjithë dijetarëve të myslimanëve dhe të gjithë thirrësve tek e vërteta drejt çdo gjëje që e kënaq Atë dhe u bën dobi njerëzve! E lusim Atë që të bashkojë fjalët e tyre në udhëzim, t’i mbrojë nga shkaqet e përçarjes dhe kundërshtive, ta ndihmojë me ta të vërtetën dhe përmes tyre ta ulë të kotën! Vërtet që Ai posedon një gjë të tillë dha ka fuqi ta bëjë atë. Salati dhe selami qofshin për profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për gjithë ata që ecin shtegut të tyre, deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetje: Para disa javëve shkëlqesia juaj dha një qartësim rreth mënyrës së kritikës midis thirrësve. Disa njerëz këtë qartësim e interpretuan me interpretime nga më të ndryshmet. Çfarë ka për të thënë shkëlqesia juaj rreth kësaj?

Përgjigje: Lavdi Allahut. Salati dhe selami qofshin për të Dërguarin e Allahut dhe ata që udhëzohen me udhëzimin e tij.

Më tej:

Përmes qartësimit të cilin e përmendi pyetësi, unë dëshirova t’i këshilloj vëllezërit e mi dijetarë dhe thirrës, që kritika ndaj thënieve të vëllezërve apo simpoziumeve dhe ligjëratave të tyre, të jetë e ngritur mbi dëshmi dhe larg çdo akuze apo përmendje emrash, ngaqë kjo shkakton urrejtje dhe armiqësi midis tyre. Prej zakonit dhe metodës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) ishte që kur e arrinte ndonjë lajm për shokët e tij, që nuk ishte në përputhje me fenë, ai tërhiqte vërejtjen ndaj saj me fjalët: “Ç’është me disa njerëz që thonë kështu e ashtu”, pastaj e sqaronte çështjen se si duhet të jetë ajo sipas fesë. Në këtë hyn ngjarja që përcillet se, Profetit (salallahu alejhi ue selem) një ditë i erdhi lajmi se njëri nga shokët e tij kishte thënë: “Unë do të falem dhe s’do të fle”. Tjetri kishte thënë: “Unë do të agjëroj dhe s’do të ndërpres agjërimin”. Ndërsa i treti tha: “Unë kurrë s’do të martohem”. Atëherë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u mbajti fjalim njerëzve, dhe pasi që e falënderoi dhe lavdëroi Allahun, tha: “Ç’është me disa njerëz që thonë kështu e ashtu. Unë falem dhe flejë. Agjëroj dhe ha dhe martohem me gra. Kushdo që ia kthen shpinën sunetit tim, nuk është nga unë.”

Pra, unë kisha për qëllim atë që e tha Profeti (salallahu alejhi ue selem), domethënë: që tërheqja e vërejtjes të jetë me kësi lloj fjalë: disa njerëz thanë apo thonë kështu, ndërkohë që e ligjësuar është kështu apo është për detyrë kështu.

Kështu, në kritikë s’ka akuzë ndaj askujt në veçanti, por ajo bëhet për të qartësuar çështjen se si duhet të jetë sipas fesë, në mënyrë që të mbetet dashuria midis dijetarëve, vëllezërve dhe thirrësve.

Nuk kisha për qëllim dikë në veçanti, por doja të përgjithësoja të gjithë thirrësit dhe dijetarët nga brenda dhe jashtë vendit. Pra, këshilla ime drejtuar të gjithëve është që dhënia e këshillës dhe kritikës të bëhet në mënyrë të pacaktuar dhe jo që përmes saj të përmendet dikush në veçanti. Kjo duke qenë se qëllimi nga këshilla është theksimi i gabimit dhe lëshimit si dhe qartësimi i të drejtës dhe të vërtetës, pa pasur nevojë të akuzohet filani apo fisteku. Allahu u dhëntë sukses të gjithëve!

Përktheu: Petrit Perçuku