Fjala e mirë ndaj prindërve

Fjala e mirë ndaj prindërve

Hoxhë Jeton Bozhlani

Sjellja dhe edukata ndaj prindit duhet të jetë të veçanta. Por edhe fjalët, mënyra e të folurit dhe të biseduarit duhet të jenë të veçanta ndaj tyre. Kur bisedohet me prindin, duhet që fjalët të jenë të buta dhe të tregohet mëshirë në fjalë. Prindi duhet të veçohet me mirësjellje. Përveç kësaj, pjesë e kësaj mirësjelljeje është fjala e mirë ndaj tyre.

Fjala e mirë përfshin shumë, si:

-ulja e zërit,

-thirrja me emër respektues, si: nënë, baba, e jo me emrat e tyre,

-të bëhet lutje për ta,

– të jenë të zgjedhura, jo të ashpra, qortuese e fyese.

Ka ardhur një transmetim i gjatë dhe i rëndësishëm që përfshin shumë mësime, nga një tabiinë, Fajl ibn Mejas, i cili thotë:

“Kam qenë në një grup së bashku me disa njerëz të cilët quheshin El Nexhde.”

El Nexhde kanë qenë një prej grupeve të Havarixhëve. E ka marrë emrin kështu në bazë të prijësit të tyre me emrin Nexhde. Shumë grupe të devijuara e marrin emrin në bazë të emrit të themeluesit të atij grupi, prijësit apo në bazë të vendit në të cilin kanë jetuar. Kaderitë quhen kështu për shkak se e kanë mohuar kaderin. Xhehmitë janë një grup i humbur të cilët i kanë mohuar Emrat dhe Cilësitë e Allahut duke thënë se Allahu nuk ka Emra dhe nuk ka Cilësi, emërtohen kështu në bazë të personit të quajtur Xhehm bin Safuan. Sektet bashkëkohore, si Ahmeditë, të cilët kanë dal nga Islami, quhen kështu sepse konsiderojnë se Ahmedi, që është prijësi i tyre, është Pejgamber.

Ndërsa, ehli sunneti nuk marrin llagape apo emra në bazë të personave. Ata quhen pasues të sunnetit, apo quhen selefijë, gjë që nuk ka të bëjë me sekt apo me ndonjë emër të një personi, sepse nuk ka person me këtë emër. Por, selefi do të thotë pasues i selefëve, të gjeneratave të para, dhe kjo është nderë.

Havarixhtë janë një grup i devijuar të cilët konsiderojnë se çdo njeri, çdo mysliman, i cili e vepron një mëkat të madh, ai del nga Islami dhe nuk është më mysliman. Sipas tyre, nëse dikush pi alkool, apo bën amoralitet, nuk është mysliman. Dhe shumë mëkate të tjera të mëdha.

Prej parimeve të ehli sunnetit është se ai i cili e vepron mëkatin e madh, nuk del prej Islamit, mbetet mysliman, por është mëkatar. E nëse nuk pendohet tek Allahu prej atij mëkati, ka dënim tek Ai, megjithatë ai mbetet mysliman.

Madje, havarixhtë thonë se nëse njeriu e vepron një mëkat të vogël, por e vepron atë vazhdimisht, edhe ai del nga Islami.

Havarixhtë kanë ekzistuar qysh në kohën e sahabëve. Këta e kanë vrarë Uthmanin dhe Aliun radijAllahu anhuma sepse i kanë konsideruar mëkatarë, duke thënë për ta se kanë dal nga Islami dhe nuk lejohet që ata të jenë udhëheqësit tanë, ndaj dhe i kanë vrarë. Ata vranë sahabët më të zgjedhur të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem!

Havarixhtë kanë edhe një cilësi tjetër të keqe, e që është: përpjekja për t’i larguar njerëzit nga dijetarët. Abdullah ibn Abasi radijAllahu anhu (njëri nga dijetarët e këtij ummeti) ka shkuar te vendi i tyre dhe ka polemizuar me ta. Ai u ka thënë: “Jam njëri nga sahabët. E kam parë të gjallë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Jam nga një gjeneratë e cila e ka përjetuar zbritjen e Kuranit. Kam ardhur te ju për të biseduar me ju, ndërsa në mesin tuaj nuk gjendet askush që e ka parë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, as që ka jetuar në kohën e zbritjes së Kuranit.” Ai ka polemizuar me ta duke iu sjellu argumente. Thuhet se 3000 persona janë penduar nga gabimi i tyre. Por, kur ai u ka thënë se është shok i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, se e ka parë atë dhe se në mesin e gjeneratës së tij ka zbritur Kuranit, shumë prej tyre kanë thënë mos e dëgjoni atë sepse ai është prej Kurejshëve, dhe Allahu ka zbrit ajet në Kuran duke thënë se Kurejshët janë polemizues. Disa nga ta e kanë dëgjuar dhe kur kanë parë argumentet, janë tërhequr nga gabimi. Pra, ata janë munduar që njerëzit t’i largojnë prej Abdullah ibn Mesudin, duke ngjallë dyshime tek njerëzit që mos ta dëgjojnë atë.

Edhe sot ka mendime të Havarixhëve në numër të madh të cilët nuk hezitojnë nga bërja si jobesimtarë njerëzit dhe dijetarët. Atyre nuk u bëhet vonë të thonë se filan dijetari është hipokrit, apo se është ashtu e kështu. ata fusin dyshime ndër njerëz për t’i larguar prej dijetarëve, madje prej dijetarëve më eminent në botë të shekullit të kaluar (shejkh bin Baz, shejkh Uthejmin etj). Mirëpo, ka tamam Havarixhë, por ka dhe më të lehtë që i kanë vetëm disa cilësi prej grupit të Havarixhëve.

Fajl ibn Mejas thotë: “Kam qenë në një grup së bashku me disa njerëz të cilët quheshin El Nexhdet. Kam bërë disa mëkate, për të cilat kisha mendimin se janë mëkate të mëdha. Kam shkuar tek Abdullah ibn Umeri për ta pyetur rreth kësaj.”

Pra, ai thotë se ka qenë në grupin e Havarixhëve dhe është ndikuar nga ta në gjykimin e tyre se çdo mëkat që bëhet në vazhdimësi është mëkat i madh dhe në këtë mënyrë njeriu del nga Islami. Ai thotë për veten e tij se ka bërë disa mëkate për të cilat kishte mendimin se janë mëkate të mëdha.

Njeriu duhet të ketë kujdes, ngase ndikohet prej grupit me të cilin shoqërohet, pa marrë parasysh se çfarë është ai grup. Edhe ky njeri është ndikuar.

Havarixhtë e kanë në qejf që kur shohin ndokënd duke bërë mëkate të mëdha, i thonë: “KAFIR! Ose thuaje shehadetin ose me mua s’ke punë më!”

Ai synoi ta takojë Abdullah ibn Umerin, sahab i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe djali i Umerit radijallahu anhu. Ia tregoi mëkatet e tij dhe e pyet se a janë ato mëkate të mëdha. Abdullah ibn Umeri i thotë: “Këto që i përmende nuk janë mëkate të mëdha. Por, dëgjo mirë se cilat janë mëkatet e mëdha…” Dhe fillon t’ia numërojë disa prej mëkateve të mëdha:

  1. Shirku në adhurimin ndaj Allahut– këtu është fjala për shirkun e vogël. Shirku i vogël nuk e nxjerr njeriun nga Islami, por është prej mëkateve të mëdha.

  1. Vrasja e njeriut– ai që e vret një njeri nuk del nga Islami, por ka bërë mëkat të madh. Nëse ka qenë vrasje e qëllimshme dhe e padrejtë, vrasësi ka dënim në këtë botë. Nëse familja e të vrarit nuk e falin vrasësin, shteti islam e ekzekuton, vrasje për vrasje. Nëse familja e të vrarit e falin, ai lihet i lirë. Nëse pendohet Allahu e fal. Mirëpo, ai nuk del nga Islami.

  1. Ikja nga lufta.

  1. Shpifja ndaj grave të ndershme– nëse një grua është e njohur si e ndershme dhe ndokush e akuzon në moralin e saj duke i thënë: “Je e pandershme, e pamoralshme!”, kjo është mëkat i madh. Ndaj, shumë njerëz nuk e kanë frikë Allahun, për dy minuta janë në gjendje të shpifin dhe të akuzojnë ndaj një femre të ndershme, duke i thënë fjalë të ulëta.

  1. Marrja e kamatës.

  1. Marrja e pasurisë së jetimit– nëse ndokush e ka nën përkujdesje një jetim derisa të rritet, të cilit babai i ka lënë pasuri (jetim konsiderohet ai të cilit i ka vdekur babai duke qenë nën moshën madhore), duhet të ketë kujdes që të mos ia marrë pasurinë, të mos e keqpërdorë atë, të mos e përvetësojë atë. Por, duhet t’ia ruajë atë, të shpenzojë për dobinë e atij jetimi, por jo për vetveten. Shumë njerëz pasi e marrin jetimin nën përkujdesje, e shfrytëzojnë rastin që në emër të kësaj përkujdesje të thonë se atyre u takon hise në pasurinë e tij. Kështu ua kanë marrë pasurinë, tokën, shtëpinë e të tjera. Kjo është nga mëkatet e mëdha.

  1. Përdorimi i xhamisë për diçka tjetër përveç adhurimit ndaj Allahut– shembull: të përdoret për ndonjë lojë, dëfrim, apo diçka tjetër që është në kundërshtim me synimin për të cilin është ndërtuar ajo dhe për të cilin është ajo.

  1. Tallja me njerëzit– Allahu thotë: “Dhe askush mos të tallet me të tjerët.” Tallja me njeriun është mëkat i madh, nuk është çështje e lehtë.

Kur mund të dihet se një mëkat është i madh apo i vogël? Dijetarët kanë përmendur se kur në një ajet kuranor apo në një hadith profetik përmendet një mëkat për të cilin Allahu kërcënon me dënim, përmend mallkim për vepruesin dhe përmend pasojat e rënda të atij mëkati, atëherë kjo tregon se ajo vepër është mëkat i madh, siç ka ardhur hadithi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili ka thënë: “Allahu e mallkoftë atë femër e cila i nduk vetullat e saj apo ia ndukë një femre tjetër!” Kjo do të thotë se ndukja e vetullave është mallkim i Allahut, e që është mëkat i madh ngase për këtë vepër është përmend mallkimi. Apo siç ka ardhur në hadith: Vrasja e myslimanit është kufër.” Ne e dimë se vrasja nuk të nxjerr nga islami, por në rastet kur përmendet një mëkat që nuk të nxjerr nga Islami, mirëpo përmendet kufri/mohimi, atëherë është për qëllim kufri i vogël, i cili është mëkat i madh. Pra, kur vjen kërcënim me zjarr të xhehenemit apo vjen mallkim për ndonjë vepër, kjo nënkupton se ajo vepër është mëkat i madh.

  1. Qarja e prindit për shkak të sjelljes së keqe të fëmijës– kjo nënkupton atë që fëmija me arrogancën dhe mosrespektim ndaj prindit bën që prindi të qajë. Kjo është mëkat i madh ndaj të cilit duhet pasur kujdes, në mënyrë që mos të përfshihemi nën kërcënimin e Allahut me atë vepër.

Abdullah ibn umeri i thotë këtij tabiini: “A ke frikë nga zjarri i xhehenemit dhe a ke dëshirë të hysh në xhenet?” Ai thotë: “Po, pasha Allahun!” I thotë: “Atëherë a i ke të gjallë prindërit?” I thotë: “Po, nënën.” I thotë: “Pasha Allahun! Nëse ti ndaj nënës tënde përdor fjalë të buta, të mira e të zgjedhura dhe e ushqen atë, do hysh në xhenet, nëse nuk vepron mëkate të mëdha.”

Pra, nëse ruhesh prej mëkateve të mëdha, përdor fjalë të mira me nënën, e ushqen atë, do hysh në xhenet. Mëkatet e vogla Allahu do t’i falë, por të kesh kujdes nga ato të mëdha, ngase për të mëdhatë patjetër duhet të pendohesh. Mëkati i madh nuk mjafton që të fshihet nëse njeriu vepron një vepër të mirë, patjetër kërkohet pendim dhe të kthehet e drejta nëse ai mëkat është bërë ndaj një njeriu.

Në një hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Namazi mes namazit, xhumaja mes xhumasë, Ramazani mes Ramazanit janë falje të mëkateve, nëse u largoheni mëkateve të mëdha.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmendur këtu veprat kryesore të Islamit: namazin, agjërimin, namazin e xhumasë, ngase në mes namazeve është falje e mëkateve nëse largohet njeriu nga mëkatet e mëdha, ose duhet patjetër pendim për to.

Ndaj, Abdullah ibn Umeri i thotë atij se meqë e ka nënën gjallë, nëse tregohet me fjalë të zgjedhura, me lutje, me zë të ulët dhe e ushqen atë, do hyjë në xhenet, nëse u ruhet mëkateve të mëdha.

Prindërit tanë nuk kanë nevojë që ne t’u dhurojmë atyre ushqime, në shumicën e rasteve ata na dhënë neve. Ajo që ata kanë nevojë më së shumti, është mirësjellja ndaj tyre dhe fjalët e mira.

Allahu në disa vende në Kuran, menjëherë pas adhurimit ndaj Tij, përmend mirësjelljen ndaj prindërve, për të treguar kështu se kjo gjë është e rëndësisë së veçantë. Por, pjesë e rëndësisë që duhet treguar ndaj prindit është dhe fjala.

Edhe sikur asgjë të mos kesh prej veprave të mira[1], së paku ndaj prindit zgjidh fjalët më të mira, sepse ai i meriton ato, po ashtu bëj dhe lutje për ta në prezencën e tyre duke thënë: “Allahu të ruajttë! Allahu të shpërbleftë me të mira! Allahu të faltë!” Gjatë ditës dhe bisedës me të, duhet të kesh këto lloj sjellje dhe të bësh të tilla lutje.

Ajo që ata kanë nevoje, është dhe ulja e zërit ndaj tyre. Nëse pasurinë e botës ua jep ndërsa mungojnë këto gjëra, ata nuk kënaqen. Allahu thotë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” Surja Isra, 24.

Sa i përket këtij ajeti në të cilin Allahu thotë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës…”, kanë ardhur shpjegime nga gjeneratat e para të cilët thonë se qëllimi është: “Kujdesu që të bësh dhe t’u afrosh çdo gjë që ata e duan.”

Para çdo gjëje për të cilën ata kanë nevojë është fjala e mirë, e butë dhe me zë të ulët, e zgjedhura, edhe nëse me të tjerët nuk e përdor.

Nga këto transmetime vërejtëm se sa shpërblim të madh ka kjo vepër. Ndonjëherë, edhe nëse njeriu nuk vepron ndonjë vepër të keqe ndaj tyre, mirëpo fjala e tij e keqe mund të bëjë që prindërit të qajnë. Një fjalë e vrazhdë, një refuzim apo një fjalë e rastit mjafton që t’i bëjë ata të qajnë.

Nga mëkatet e mëdha që Abdullah ibn Umeri përmend, ishte dhe kur mosrespekti i fëmijës bën që të qajë prindi. Ai përmend afërsisht nëntë mëkate të mëdha. Ai nuk ka për qëllim se vetëm këto nëntë janë mëkatet e mëdha. Por, ka për qëllim që t’i tregojë Fajl ibn Mejasit se mëkatet e mëdha janë të këtij niveli/lloji/rangu, e jo ato që ai i ka bërë duke i konsideruar të mëdha për shkak se është ndikuar nga Havarixhtë.

Siç ka ardhur në transmetimin nga Abdullah ibn Abbasi, mëkatet e mëdha janë rreth 70, që dijetarët i kanë numëruar. E nuk janë vetëm 9 që u përmenden.

Në hadithin e përmendur me lartë, njëherë vjen kërcënimi në atë kur Abdullah ibn Umeri tregon se është mëkat i madh kur njeriu bëhet shkak që me veprën e tij jo të mirë ndaj prindit ta bëjë atë që qajë, kjo është një kërcënim i madh dhe serioz që duhet ta ketë në mendje secili prej nesh. Pastaj në fund vjen inkurajimi për shpërblimin në atë që Abdullah ibn Umeri thotë: “Pa Allahun, nëse ti tregohesh fjalëmirë dhe fjalëbutë, i mëshirshëm në fjalë dhe e ushqen atë (nëse ka nevojë), do hysh në xhenet nëse u ruhesh mëkateve të mëdha.”

Është dhe hadithi tjetër shumë i njohur, ku tregohet se Xhibrili vjen te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur është në hytbe. Ai salAllahu alejhi ue selem thotë tri herë: “Amin! Amin! Amin!” Pasi e përfundon hytben, sahabët iu afruan dhe i thanë: “Nuk jemi mësuar të të shohim të ngjitesh për hytbe duke thënë: “Amin! Amin! Amin!” Ai salAllahu alejhi ue selem: “(Veprova ashtu sepse) Më erdhi Xhibrili dhe më tregoi për tri gjëra.” Njëra ndër to ishte se i tha: “U shkatërroftë ai njeri i cili i ka gjallë të dy prindërit dhe nuk bëhen shkak që ai të hyjë në xhenet!”

Pra, do të thotë se aq është rasti i mirë dhe i madh për të përfituar prej tij duke u përkujdesur ndaj prindërve, sa që kush e lë anash veç u shkatërroftë për shkak që nuk e ka shfrytëzuar këtë rast për të arritur shpërblimin e madh që e ka.

Edhe ky hadith është një inkurajim dhe një kërcënim. Inkurajimi është: rasti është shumë i madh për të përfituar për shpërblimin tek Allahu. Kërcënimi është: u shkatërroftë ai i cili i ka prindërit gjallë dhe nuk hynë në xhenet, pra ky njeri ka një rast të madh për të arritur këtë shpërblim, por që nuk e shfrytëzon.

Pjesë e kujdesit ndaj prindërve është fjala e mirë ndaj tyre. Nganjëherë më shumë ka rëndësi për prindin fjala e mirë sesa vepra, sepse fjala e mirë sjell gëzim në zemrat e tyre dhe kënaqësinë e tyre. Ndërsa, fjala e keqe sjell hidhërimin e tyre dhe mund të bëjë që ata të qajnë.

[1] Kjo nuk do të thotë, siç mund ta keqkuptojë ndokush, që besimtari të mos veprojë/punojë punë të mira të tjera. Por, duhet të punojë sa më shumë punë të mira, e njëkohësisht të ketë sjellje të mirë ndaj prindit.

Shkëputur nga ligjëratat e tij.

Transkriptoi: Albiona Olluri.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit