Thënie rreth qëndrueshmërisë në fe- Shejkh Abdurrezak el Bedr

Thënie rreth qëndrueshmërisë në fe

Shkëputur nga libri “10 rregulla rreth qëndrueshmërisë në fe”

Shejkh AbduRrezak el Bedr

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Baza e parë e qëndrueshmërisë në fe, është lutja e sinqertë drejtuar Allahut, për arritjen e saj, ngase qëndrueshmëria është në Dorën e Allahut dhe Ai është Udhëzuesi për rrugën e drejtë. Prej lutjeve më të shpeshta të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem lidhur me këtë ishte: “O ndryshues i zemrave, përforcoje zemrën time në fenë tënde!” Pikërisht përforcimi i zemrave është qëndrimi i paluhatshëm në rrugën e drejtë.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Qëndrueshmëria e njeriut në fe është në Dorën e Allahut. Personi që e dëshiron atë, le ta kërkojë prej Tij.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Kërkimi i udhëzimit nga Allahu radhitet ndër kërkesat më të rëndësishme dhe më të larta. Ai i detyroi robërit e tij që të kërkojnë prej Tij udhëzimin për në rrugën e drejtë disa herë gjatë ditës dhe natës përmes sures Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejt. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” 6-7.

Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Kam menduar gjatë se cila lutje është më e dobishmja dhe arrita në përfundimin se ajo është kërkimi i ndihmës së Allahut për kryerjen e veprimeve që e kënaqin Atë, gjë që e gjeta në suren el Fatiha: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Njeriu është urdhëruar nga Allahu për ta kërkuar vazhdimisht udhëzimin për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë.” Iktidaus siratal mustekim.

Komentimim mbi ajetin: “Vërtetë ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” e pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…”

  • Ebu Bekri radijAllahu anhu duke e shpjeguar ajetin: “Vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” e pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” thotë: “Këta janë ata të cilët nuk i shoqërojnë asgjë Allahut në adhurimin që ia bëjnë Atij.” Tefsiru Taberiut.

  • Hasan el Basriu rahimehullah kur e lexonte ajetin: “Vërtetë ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” e pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” thoshte: “O Allah, Ti je Zoti ynë, andaj na dhuro qëndrueshmëri në fe!” Taberaniu në tefsirin e tij.

  • Transmetohet se Umeri radijAllahu anhu duke qenë në minber lexoi: “Vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” pastaj tha: “Ata që nuk përdridhen (nuk shmangen) si dhelpra.” Tefsiru i Taberiut.

 

  • Ibn Abbasi radijAllahu anhu pjesën e ajetit: “…pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” komentoi: “(Qëndrojnë) Në dëshminë “La ilahe ilAllah.” Po ashtu ai ka thënë: “Qëndrojnë në kryerjen e detyrimeve ndaj Tij.” Tefsiri i Taberiut.

  • Ebu Alije komenton: “Pastaj tregohen të sinqertë në besimin dhe në veprat e tyre.” En nuket uel ujun.

  • Katade thotë: “Qëndrojnë në bindje ndaj Allahut.” Musannef.

 Ibn Rexhepi rahimehullah thotë: “Qëndrueshmëria në fe është të ecurit në rrugën e drejtë, në fenë e drejtë, pa devijuar nga ajo as djathtas e as majtas. Kjo përfshin kryerjen e të gjitha akteve të bindjes, të dukshme a të fshehta, po ashtu braktisjen e të gjitha punëve të ndaluara.” Xhamiul ulumi uel hikem.

 Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Qëndrueshmëria në fe është një fjalë përmbledhëse që përfshin tërë fenë dhe nënkupton ushtrim të sinqeritetit ndaj Allahut dhe respektimin të besëlidhjes që ke bërë me Të.” Medarixhus salikin.

 Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimi i njeriut nuk mund të jetë i qëndrueshëm derisa të bëhet e qëndrueshme zemra e tij.” Imam Ahmedi.

 Shejkh Abdurrezak el Bedr: “Origjina e qëndrueshmërisë është në zemër, ndaj kur zemra përmirësohet dhe bëhet e qëndrueshme, ndiqet nga trupi.”

 Ibn Rexhepi rahimehullah thotë: “Origjina e qëndrueshmërisë është në qëndrimin e patundur të zemrës në teuhid/njësimin e Allahut, ashtu siç edhe kanë komentuar Ebu bekri radijAllahu anhu dhe të tjerë ajetin: “Vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” e pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” shtuan se janë ata që nuk i drejtohen tjetër kujt përveç Allahut.”

 Ibn Rexhepi rahimehullah thotë: “Kur zemra të qëndrojë e paluhatshme në njohjen e Allahut, në frikën ndaj Tij, në madhërim të Tij, në Dashuri ndaj Tij, në dëshirim të Tij, në shpresën tek Ai, në lutjen drejtuar Atij, në mbështetjen tek Ai dhe në shmangien nga çdo gjë tjetër përveç Tij, edhe gjymtyrët do të jenë të qëndrueshme në bindje ndaj Tij. Zemra është mbreti i gjymtyrëve, ndërsa ato janë ushtarët e tij. Ndaj, nëse mbreti është i qëndrueshëm, edhe ushtarët dhe populli do jenë të tillë.” Xhamiul ulumi uel hikem.

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Zemra është mbreti i gjymtyrëve, ndërsa ato ekzekutojnë urdhrin e saj dhe pranojnë dhuratën që vjen nga ajo. Asnjë vepër e gjymtyrëve nuk është e drejtë, nëse nuk rrjedh nga nijeti i zemrës. Zemra është përgjegjëse për gjymtyrët.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Nga njeriu kërkohet përpjekje e madhe për t’ia qëlluar të drejtës, udhëzimit të Profetit salAllahu alejhi ue selem, rrugës dhe shtegut të tij dhe që ta luftojë veten për arritjen e këtij qëllimi. Nëse nuk arrin dot ta bëjë këtë, atëherë së paku duhet t’i afrohet.”

Ibn Rexhepi rahimehullah shkruan: “Tek Fjalët e Allahut: “…ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij!” (Fussilet, 6) ka tregues se patjetër do të ketë lëshime në qëndrueshmërinë për të cilën jemi urdhëruar. Mirëpo, kjo mund të korrigjohet përmes kërkimit të faljes, gjë që sjell kthimin me pendesë tek Allahu dhe kthimin e qëndrueshmërisë së fe. Kjo është e ngjashme me porosinë e Profetit salAllahu alejhi ue selem drejtuar Muadhit radijAllahu anhu: “Ki frikë Allahun kudo të jesh! Të keqën përcille me të mirë sepse ajo do ta fshijë atë!” Xhamiul ulumi uel hikem.

Ibn Rexhepi rahimehullah ka thënë: “Pas zemrës, gjymtyra më e rëndësishme për qëndrueshmërinë e së cilës duhet bërë është gjuha, sepse ajo flet në emër të zemrës.” Xhamiul ulumi uel hikem. Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Këtu shihet qartë rreziku që paraqesin zemra dhe gjuha për qëndrueshmërinë e njeriut në fe apo për largimin e tij nga ajo. Në këtë kuptim kemi edhe fjalët e disa dijetarëve: “Njeriu vlerësohet sipas dy organeve më të vogla të tij: zemrës dhe gjuhës.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Edhe pse zemra dhe gjuha janë dy copëza mishi, të gjitha gjymtyrët e njeriut i pasojnë ato. Ndaj, nëse zemra dhe gjuha janë të qëndrueshme në rrugë të drejtë, edhe gjymtyrët do të jenë.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Kur zemra e urdhëron gjuhën për diçka, ajo menjëherë e zbaton atë, sepse e ndjek atë. Gjymtyrët e trupit ecin pas këtyre dyjave.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Muslimani e ka për detyrë të kujdeset për përmirësimin e zemrës, t’i lutet Zotit t’ia përmirësojë atë, t’ia largojë prej saj sëmundjet e ndryshme dhe t’ia pastrojë atë nga ligësitë. Po ashtu, duhet të përpiqet që ta përmirësojë gjuhën përmes fjalëve të pastra dhe t’i përmirësojë gjymtyrët duke bërë vepra të mira.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Sado që njeriu të bëjë punë të mira duke qëndruar në rrugën e drejtë, assesi nuk guxon të mbështetet te punët e tij, të mashtrohet me adhurimet që i kryen apo me përmendjen e shumtë të Allahut, apo me çfarëdo akti të bindjes.”

Ibn Kajjim thotë: “Qëndrimi në rrugën e drejtë apo afër saj, në vetvete nuk e shpëton dot njeriun në Ditën e Gjykimit. Ndaj, askush nuk duhet të mbështetet te veprat që i bën, as të mburret me to dhe as të mendojë se do të shpëtojë përmes tyre. përkundrazi, ai do mund të shpëtojë vetëm me mëshirën, faljen dhe mirësinë e Allahut.” Medarixhus salikin.

Shejkh Abdurrezak El Bedr thotë: “Kush udhëzohet gjatë kësaj bote në rrugën e drejtë të Allahut, do të udhëzohet edhe për rrugën e drejtë të Siratit në botën tjetër, e cila do të vendoset mbi xhehenem. Në Ditën e Gjykimit, mbi xhehenem do të vendoset një Urë më e mprehtë sesa shpata dhe më e hollë sesa qimja e flokut. Njerëzit do të urdhërohen të kalojnë nëpër të. Ata do të dallojnë në kalimin e asaj Ure sipas veprave të tyre dhe sipas qëndrueshmërisë që kanë pasur në rrugën e drejtë sa ishin në këtë botë.”

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Aq sa këmbët e njeriut të jenë të qëndrueshme në rrugën e Allahut në këtë botë, aq do të jenë të qëndrueshme mbi Urën e Siratit e vendosur mbi xhehenem në botën tjetër.”

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Ki kujdes nga dyshimet dhe pasionet të cilat të pengojnë nga ecja në rrugën e drejtë, sepse këto do të jenë grepat e mëdhenj anash Urës së Siratit, që do të të rrëmbejnë dhe nuk do të lënë të kalosh nëpër të. Nëse ato shpeshtohen dhe forcohen në këtë jetë, do të shpeshtohen edhe grepat në Urën e Siratit. Dhe: “Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” Fussilet, 46.” Medarixhus salikin.

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Dyshimet dhe pasionet janë pengesa që zmbrapsin nga qëndrueshmëria në rrugën e drejtë. Ai i cili ecën rrugës së drejtë të Allahut, vazhdimisht përballet me dyshime dhe pasione të cilat mund ta largojnë dhe ta devijojnë nga ajo rrugë.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Çdokush që devijon nga qëndrimi në rrugën e drejtë, e bën këtë ose për shkak të ndonjë pasioni, ose të ndonjë dyshimi. Pasioni është prishje në vepër, ndërsa dyshimi prishje në dije.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Shejtani i cili e thërret njeriun të devijojë nga rruga e drejtë e Allahut, e bën këtë ose përmes dyshimit ose pasionit. Nëse shejtani sheh tek ai shkujdesje, ia bën të dashura pasionet. E nëse sheh përkushtim dhe qëndresë në fe, i fut dyshime.”

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Selefët thoshin: “Në çdo urdhër të Allahut drejtuar njerëzve, shejtani i josh ata në dy mënyra: ose ua bën joshëse shkujdesjen e shpërfilljen, ose kalimin e kufijve dhe teprimin.”

Ibn Kajjim rahimehullah thotë: “Shumica e njerëzve përveç një pakice të vogël, kanë hyrë në njërën nga këto dy lugina: në luginën e shkujdesjes dhe në atë të kalimit të kufijve dhe teprimit. Pak prej tyre qëndruan të patundur në rrugën në të cilën ishin i Dërguari salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij.” Igathetul Iehfan.

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Çifutëve u erdhi prishja nga ana e të vepruarit, ndërsa të krishterëve nga ana e dijes. Pra, çifutët ditën, por nuk vepruan me dijen që kishin. Kurse të krishterët vepruan pa pasur dije.”

Ibn Tejmije rahimehullah: “Kerameti më i madh është qëndrimi i patundur në rrugën e drejtë.” Medarixhus salikin.

Ibn Tejmije rahimehullah thotë: “Kerameti i përkryer është qëndrimi në rrugën e drejtë.”

 

 

Shejkh Abdurrezak el Bedr thotë: “Njeriu duhet ta luftojë veten vazhdimisht për të qëndruar në rrugën e drejtë të Allahut dhe për t’i kryer aktet e bindjes ndaj Tij, në mënyrë që të arrijë fitoren më të plotë dhe dhuratën më të madhe, e cila tregohet në Fjalët e Zotit tënd: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju  dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Dhe: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” Ahkaf, 13-14.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit