13. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Shejh AbduRezzak ibn AbdulMuhsin El Abbad El Bedr (Allahu e ruajt) thotë: “Secili prej jush e di hadithin e vërtetë në të cilin thuhet: “Një femër lavire hyri në Xhenet.” Me çfarë vepre hyri? “I dha ujë një qeni“. Po i dha ujë një qeni dhe Allahu ia fali mëkatin, sepse me këtë ujë ia shoi etjen qenit dhe ai u mbush përsëri me jetë, andaj Allahu e fali për shkak të këtij gjesti nga ana saj. E, nëse dhënia  ujë qenit ishte shkak që Allahu t’ia falë mëkatet, çfarë mendoni për atë që i ujit njerëzit me teuhid? Çfarë mendoni për atë që i ujit njerëzit me teuhid? Teuhidi është pikërisht jeta. Allahu në Kuran thotë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (El-En’am, 122) Dhe thotë: “O besimtarë! Përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë!” (El-Enfal, 24). Dhurata më madhështore që ia jep njeriut është teuhidi, aq më tepër kur ai është i sprovuar me shirkijate e besime të kota. Allahu na ruajt të gjithëve!” (Shkëputur nga komenti i librit të teuhidit).

  • Dijetari i madh El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Gjatë fitneve, maturia është më e mirë sesa zhytja në to, heshtja është me e mirë sesa të folurit, ai që rri ulur është më i mirë se ai që rri në këmbë, ai që rri në këmbë është më i mirë se ai që ecën. Njeriu e ka për detyrë të përmbajë gjuhën dhe të ruajë veshët nga fjalët e padobishme, sepse në to ka vetëm thashetheme dhe pyetje të kota. Njeriu e ruan e fenë e tij në varësi të ruajtjes së gjuhës.” (Me’a rixhalil-hisbeh, fq. 39).

  • Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është i frikësuar prej Allahut ai që qan e i shtrydh sytë, por i frikësuar prej Tij është ai i cili kur ka mundësi ta veprojë haramin që e lakmon shumë, tërhiqet.” (Resail ibën Rexheb, 1/163).

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) e këshilloi një nxënës të tij duke i thënë: “T’i kënaqësh të gjithë njerëzit është një synim i paarritshëm. Assesi nuk do të mund të shpëtosh nga njerëzit, andaj vazhdo i patundur në atë që të sjell dobi dhe lëri njerëzit me punët e tyre.” (El-Hattabij në El-Uzleh).

  • Dijetari i madh El-Mizzij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sikur të heshtte ai që nuk di, do të rehatohej vetë dhe do t’i ishin rehat prej tij edhe tjerët; gabimet (në mesin e njerëzve) do të ishin me të pakta, ndërkaq të qëlluarat më shumë.” (Tehdhibul-Kemal, 4/362).

  • Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush udhëzohet gjatë kësaj jete në rrugën e drejtë të Allahut, me të cilën Ai i çoi të dërguarit dhe i zbriti Librat, do të udhëzohet edhe atje (në ahiret) drejt udhës së drejtë që shpie te xheneti dhe shpërblimi i Tij. Aq sa këmbët e njeriut janë të qëndrueshme në këtë rrugë të cilën Allahu e vendosi për robërit në dynja, po aq do të jetë edhe qëndrueshmëria e këmbëve të tij mbi urën e vendosur sipër xhehenemit. Ashtu siç ishte ecja e tij në këtë rrugë, ashtu do të jetë edhe sipër asaj ure. Disa syresh kalojnë si vetëtima, disa sa përpëlitja e syve, disa si era, disa si kuajt e shpejtë, disa vrapojnë, disa ecin, disa zvarriten këmbadoras, disa do të gërvishten, por do të shpëtojnë, disa do të hidhen në zjarr me duar e këmbë të lidhura. Shikoje mirë sesi ecja jote në urën e Siratit është plotësisht e njëjtë me ecjen tënde në rrugën e fesë (në këtë botë); ky është shpërblim përkatës (i veprave tua). Në Kuran lexojmë: “Ju do të shpërbleheni veç për atë që keni bërë!” (En-Neml, 90) (Medarixhus-Salikin, 1/10).

  • Nga Jahja bin Kethiri (Allahu e mëshiroftë) përcillet të ketë thënë: “Nëse tek njeriu i sheh dy veti, atëherë dije se ato që vijnë pas tyre janë edhe më të mira: nëse e frenon gjuhën dhe e ruan namazin e tij.”(Es-Samtu, i ibën Ebi Ed-Dunja, fq. 564).
  • Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë): Ruajtja dhe frenimi i gjuhës konsiderohet si ruajtje e tërë gjymtyrëve, ngaqë ato e pasojnë atë. Ndërkaq, ruajtja e namazit llogaritet si ndihmesë për njeriun në kryerjen e të gjitha veprave të mira dhe prapësim për të nga të këqijat e mëkatet.” http://al-badr.net/

  • Ebu Hurejre tregon: “I Dërguari i Allahut na e fali drekën. Pasi që dha selam e thirri afër vetes njërin që kishte qenë duke u falur në safat e fundit e i tha: “O filan! A nuk e ke frikë Allahun? A nuk po e sheh veten si je duke u falur? Vërtet, kur ndonjëri prej jush falet, ai flet fshehtas me Zotin e tij, andaj le të shikojë mirë sesi po flet me Të.” (Shejh Albani e ka vlerësuar si të mirë në Sahih ibën Huzejme, 1/241). Fjalët: “ai flet fshehtas me Zotin e tij” tregojnë se njeriu, pasi që është duke qëndruar para Allahut dhe duke folur me Të, duhet të turpërohet nga shikimi dhe afërsia e Allahut ndaj tij. Sikur ta kishte këtë ndjesi, ai do ta përmirësonte e perfeksiononte skajshmërisht namazin e vet; do të bënte ç’është e mundur për të përmirësuar, zbukuruar, rregulluar e plotësuar namazin, në mënyrë që namazi të zë vend te Zoti, dhe kështu përmes tij të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe të afrohet tek Ai.” El-Hushu’u fis-salah fq. 16-17.

  • Nga En-Neuas bin Sem’an (radijallahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka sjellë një shembull për rrugën e drejtë: anëve të saj janë dy mure, në të cilat ka dyer të hapura, ndërsa mbi dyer ka perde të lëshuara. Te porta e rrugës është një thirrës që thërret: “O njerëz! Hyni të gjithë në këtë rrugë dhe mos u shmangni!” Ndërsa, mbi rrugë është një thirrës tjetër, dhe sa herë që njeriu dëshiron ta hapë ndonjërën prej dyerve, ai i thotë: “Mjerë për ty, mos e hap, sepse nëse e hap hyn në të.” Rruga është Islami, muret janë kufijtë e Allahut, dyert e hapura janë ndalesat e Tij. Thirrësi në krye të rrugës është Kurani, ndërsa thirrësi tjetër mbi të është këshilluesi i Allahut në zemrën e çdo muslimani.” (Ahmedi (17634), Tirmidhiu (2859) dhe Hakimi (1/144) i cili e saktësoi. Me të pajtohet Dhehebiu dhe Albani në Sahihul-xhami’ (3887).

  • Dijetari El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë): “Dyshimi në adhurime:

Dyshimi është luhatja midis dy çështjeve (pa e ditur) se cila prej tyre ka ndodhur.

Gjatë adhurimeve, në tri gjendje nuk duhet të merret parasysh dyshimi:

-Nëse është vetëm iluzion joreal, sikur vesveset.

-Nëse i ndodh njeriut shpesh, saqë nuk kryen ndonjë adhurim pa pasur në të mëdyshje.

-Nëse dyshon pas kryerjes së adhurimit; në këtë rast ai nuk e përfillë atë, përderisa nuk është i bindur rreth realitetit të çështjes, dhe kështu vazhdon në bazë të bindjes që e ka.

Ndërsa në raste tjera, pos këtyre të triave, dyshimi duhet të merret parasysh.” www.ibnothaimeen.com/

·        Ubāde bin Sāmit tregon: “Dëshmoj se e kam dëgjuar të Dërguarin (salAllahu alejhi ue selem) të thotë: “Janë pesë namaze të cilat All-llahu i bëri të detyrueshme. Kush merr abdes siç duhet, i fal ato në kohët e tyre, është i plotë në rukutë, sexhdet dhe në përulësi, ka garanci nga All-llahu se do ta falë. Kush nuk vepron kështu, nuk ka kurrfarë garancie nga Ai: nëse do e fal, e nëse do e ndëshkon.  (Ebū Dāūdi nr. 425, Muhamed bin Nasr në “Ta’dhīmu kadris-salāti” nr. 1034, El-Bejhekij nr. 2985, Ed-Dijā nr. 385 dhe Et-Taberānij në “El-Eusat” nr. 4658) (Shejh Albani e ka vlerësuar si të vërtetë në Sahīhul-Xhāmi nr. 3242).

  • O njeri! Çfarë të pengon që disa minuta të caktuara t’i kalosh në namaz dhe me to ta blesh mëshirën e Allahut dhe fitoren në Xhenete? Allahu thotë:“Njerëzit dhe xhinët i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (51/56) Ai me Mëshirën e Tij nuk na ka bërë namazin si të detyrueshëm në shumicën e kohës, por vetëm pesë namaze të lehta e me rekate të pakta, që tek Allahu janë të mëdha. Blije dynjanë dhe ahiretin tënd me namaz, sepse ai është shkak për shtim të riskut, për shëndet dhe është çelës për çdo të mirë. Falu para se të tjerët ta falin ty namazin!

  • Shejh Abdurrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) thotë: “Njeriu e ka për detyrë të ruhet nga pengesat që ia zënë rrugën në shtegtimin e tij drejt Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Ato janë tri: shirku ndaj Allahut, bidati (shpikja) në fenë e Tij dhe mëkatet me të gjitha llojet e tyre. Shpëtimi nga pengesa e shirkut arrihet me teuhid (njësim) të sinqertë për Allahun dhe duke e veçuar vetëm Atë me adhurim. Nga pengesa e bidatit shpëtojmë duke iu përmbajtur sunetit dhe duke ndjekur udhëzimin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ndërsa, nga pengesa e mëkateve shpëtojmë duke u larguar nga to dhe duke u penduar sinqerisht kur t’i veprojmë.” al-badr.net

  • Shejh Abdurrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë): Sa herë që shtohet besimi i njeriut, shtohet edhe mëshira e tij ndaj vëllezërve të vetë. Pra, shtimi i saj është si rezultat i shtimit të besimit të tij, dhe dobësimi i saj është si pasojë e dobësimit të besimit. Këtë e hasim qartë në fjalët e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe ndjenjat e ndërsjella është si shembulli i një trupi të vetëm.” Kjo ngase Zoti ynë, të Cilin e adhurojmë, është shumë i Mëshirshëm dhe i do të mëshirshmit, feja jonë është fe e mëshirës, Profeti ynë është Profet i mëshirës, libri ynë është libër i mëshirës. Allahu i ka cilësuar robërit e Vet besimtar në të duke thënë: “Ata janë të mëshirshëm mes vete.” (El-Fet’h, 29).

  • Allahu i Lartësuar duke treguar për pupëzën e Sulejmanit (alejhis-selam) thotë: “Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti (Sulejman) nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës.” (En-Neml, 22).

-Pupëza e barti mesazhin e teuhidit (njësisë së Allahut),

-Iu dha fjala te Sulejmani (alejhis-selam),

-Arriti sigurinë tek ai dhe

-Allahu e përmendi në Kuran.

Andaj, prej saj merri tri gjëra:

  1. Besnikërinë në bartjen e mesazheve.
  2. Ambicien e lartë dhe
  3. Hallin që e kishte për davetin.

Ebu Mu’adh Er-Razij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpirtvogël është njeriu që pupëza është më e mirë se ai.”

  • Kur banorët e Xhenetit të hyjnë në të dhe nuk i shohin shokët e tyre me të cilët kryenin vepra të mira në dynja, e pyesin Zotin e Madhërishëm: “O Zot, ne kemi pasur vëllezër të cilët faleshin e agjëronin së bashku me ne, mirëpo nuk po i shohim.” Atëherë, Allahu i Lartësuar iu thotë: “Shkoni tek Zjarri dhe nxirrni prej tij këdo që në zemër ka besim sa një thërrmijë.” Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Shpeshtoni shokët besimtarë, sepse ata ndërmjetësojnë në ditën e Gjykimit.” Shoku i vërtetë është ai që të merr me vete në Xhenet. Një ditë, dijetari i madh ibën Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) iu tha të pranishmëve: “Nëse nuk me gjeni në mesin tuaj në Xhenet, pyetni për mua dhe thoni: “O Zoti ynë, robi yt filani na mësonte për Ty!” Pastaj filloi të qante.

  • Imam Esh-Sheukanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sheh dikë sesi kur takohet me gruan e tij bëhet njeriu me moralin më të ulët, me trimërinë më të madhe dhe me mirësinë më të pakët. Ndërsa, kur takohet me të tjerë, karakteri dhe sjellja i zbuten, bëhet shumë bujar dhe i shtohet mirësia. Pa dyshim se njeriu i tillë është i privuar nga suksesi dhe i devijuar nga rruga e drejtë. Nga Allahu kërkojmë shpëtim!” (Nejlul-Eutar, 2/246).

  • Disa prej selefëve kanë thënë: “Në çdo urdhër të Allahut drejtuar njerëzve, shejtani i ka dy joshje: ose i josh ata drejt shkujdesjes e shpërfilljes, ose drejt kalimit të kufijve e teprimit. Dhe nuk i intereson se me cilën prej atyre dyjave ngadhënjen.” Ibën Kajjimi shkruan: “Shumica e njerëzve, përveç një pakice të vogël, kanë hyrë në këto dy lugina: luginën e shkujdesjes dha atë të kalimit të kufijve e teprimit. Shumë pak prej tyre qëndruan të patundur në rrugën në të cilin ishin i Dërguari i Allahut dhe shokët e tij.” (Igathetul-lehfan, 1/136).

  • Dijetari i madh El-Kurtubij (Allahu e mëshiroftë) në tefsirin e tij “El-Xhami’ li Ahkamil-Kuran” përmend se, njeriu që nuk jep lëmoshë nga frika e varfërisë, ka mendim të keq për Allahun, i Cili njerëzve u premtoi zëvendësimin e asaj që e japin për hir të Tij.
  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Kam lexuar në nëntëdhjetë vende në Kuran ku thuhet se Allahu i ka caktuar furnizimet për robërit dhe ua ka siguruar ato. Ndërsa, vetëm në një vend lexova: “Shejtani ju frikëson me skamje e varfëri.” (El-Bekare, 268) Ne, prapëseprapë dyshuam në fjalët e të Vërtetit (Allahut) në nëntëdhjetë vende të Kuranit dhe i besuam fjalës së rrenacakut (djallit) që përmendet vetëm në një vend.”

  • Hoxha i Islamit ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush dëshiron të arrijë gradën e njerëzve të mirë e të zgjedhur dhe t’u ngjasojë atyre, atëherë sa herë që lind dielli le të ketë për qëllim t’iu sjellë dobi njerëzve dhe t’i ndihmojë ata, aq sa ka mundësi. Po ashtu le t’i bindet Allahut në marrjen e hallallit dhe në braktisjen e haramit, dhe le të ruhet aq sa ka mundësi nga gjërat e dyshimta. Pa dyshim që kërkimi i hallallit dhe furnizimi i familjes është një vepër madhështore, me të cilën nuk barazohet asnjë vepër e mirë.” (El-Imanul-Eusat, fq. 609).

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë.” (El-Enfal, 70). Dhuratat e Allahut vijnë në varësi të mirësisë së qëllimeve në zemra.

  • Dijetari i madh ibën Kudame (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dije se, kur Allahu ia do të mirën njeriut, ia mundëson t’i shohë të metat që i ka. Andaj, ai që ka largpamësi i sheh ato. E, kur njeriu i di të metat e tij, atëherë mundet t’i kurojë. Mirëpo, shumica e njerëzve nuk i dinë të metat e veta.” (Muhtesar Minhaxhul-Kasidin, fq.156).

  • Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “E kam dëgjuar hoxhën e Islamit ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) të thotë: “Nëse gjatë kryerjes së veprës së mirë nuk ndien ëmbëlsi dhe gëzim në zemër, atëherë akuzoje atë (zemrën), sepse Allahu është Falënderues.” (Medarixhus-Salikin, 2/68).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit