14. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë) gjatë shpjegimit të ajetit të tretë të sures El-Gafir, përcjellë: “Ishte një njeri i fuqishëm nga banorët e Shamit që vinte shpesh nëpër ndejat e Umerit (radijAllahu anhu). Mirëpo pas një kohe Umeri nuk e shihte, andaj pyeti: “Ku është filani i biri i filanit?” I thanë: “O prijës i besimtarëve, ka filluar të pijë alkool.” Pa humbur kohë, Umeri e thirri qatipin dhe i tha: “Shkruaj! Nga Umer bin Hattabi drejtuar filanit birit të filanit! Selamun alejke! Më tej: “Falëndero Allahun, përveç të Cilit s’ka të adhuruar të vërtetë; Falësin e gjynaheve dhe Pranuesin e pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesin e të mirave. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai është kthimi.” Pastaj iu drejtua të pranishmëve: “Luteni Allahun që ta ndryshojë zemrën e vëllait tuaj dhe t’ia pranojë pendimin.”

Kur i arriti letra, njeriu filloi ta lexonte dha ta përsëriste: “Falësin e gjynaheve dhe Pranuesin e pendimit, që dënon ashpër.” Më paralajmëroi nga ndëshkimi i Tij dhe më premtoi se do të më falë.” Vazhdimisht ia përsëriste vetes ato fjalë, derisa filloi të qante. Më tej u pendua dhe u  bë musliman i mirë. Kur Umerit i arriti lajmi i tij tha: “Kështu veproni; kur të shihni vëllanë tuaj se ka bërë një gabim, atëherë drejtojeni kah rruga e drejtë dhe suksesi, dhe luteni Allahun që t’ia pranojë pendimin, e mos u bëni ndihmës të shejtanit kundër tij.”

  • Aun bin Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dijetarët e mëdhenj e këshillonin njëri-tjetrin duke shkëmbyer letra që përmbanin tri porosi: Kush punon për botën tjetër, Allahu ia merr përsipër çështjet e dunjasë, Kush e përmirëson brendësinë e tij, Allahu ia përmirëson të jashtmen, Kush e përmirëson gjendjen mes tij dhe Allahut, Ai ia përmirëson gjendjen mes tij dhe njerëzve.” (Hiljetul-Eulija, 247).

  • Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Bazat e kufrit janë katër: mendjemadhësia, zilia, hidhërimi dhe pasioni. Mendjemadhësinë e largon nënshtrimi ndaj Allahut. Zilinë e largon pranimi i këshillës dhe gjithashtu dhënia e saj për të tjerët. Hidhërimin e largon drejtësia. Pasionin e largon angazhimi me adhurim.” (Bedaiu El-Feuaid, 1/157).

  • Një njeri i dërgoi letër ibën Umerit (radijAllahu anhuma) dhe i tha: “Ma shkruaj tërë dijen!” Ibën Umeri ia ktheu: “Dija është shumë e gjerë, mirëpo nëse mundesh të takosh Allahun duke mos mbart mbi supe gjakun e muslimanëve, duke mos futur në bark pa të drejtë asgjë nga pasuria e tyre, duke ruajtur gjuhën nga nderet e tyre dhe duke u kapur pas bashkësisë të tyre, atëherë bëje.” (Sejr A’lamin-Nubela’, 3/222).

  • Jahja ibën Auni (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Së bashku me Suhnunin (Allahu e mëshiroftë) shkuam ta vizitojmë ibën Kassarin (Allahu e mëshiroftë) gjersa ishte i sëmurë. Suhnuni e pyeti: “Ç’është gjithë ky shqetësim?” “Ah! Nga vdekja dhe dalja para Allahut!” – ia ktheu ai. Atëherë Suhnuni i tha: “A nuk beson në të gjithë pejgamberët, në ringjallje dhe llogaridhënie, në Xhenet dhe në Zjarr, (a nuk beson) se Ebu Bekri është më i miri i këtij ummeti, e pastaj Umeri, se Kurani është fjalë e Allahut e jo i krijuar, se Allahu do të shihet në ditën e Kiametit, se Ai është ngritur e qëndron mbi Arsh dhe se nuk lejohet të dalim me shpatë kundër pushtetarëve, edhe nëse ata janë të padrejtë?” “Po, pasha Allahun” – ia ktheu ai. “Atëherë, vdis kur të dëshirosh, atëherë vdis kur të dëshirosh!” – i tha Suhnuni. (Sijer A’lam En-Nubela’, 23/61)

  • Shejh AbdurRrezzaku (Allahu e ruajttë) shpjegon: “E tërë çështja vërtitet te besimi i saktë dhe i shëndoshë. Së këtejmi, feja dhe jetesa e njerëzve përmirësohen nëpërmjet saktësisë së besimit. Ndërsa, nëse ai është i prishur, prishet edhe feja dhe jetesa e tyre. E, kur të vijë exheli, s’ka mundësi për shtim të veprave, përveç vdekjes në besim të saktë e të vërtetë, për atë që ishte prej ithtarëve të tij.” al-badr.net

  • Hoxha i Islamit, ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të shohësh njeriun sesi i qorton të tjerët për shkak se ata e fyejnë atë dhe nuk e qorton veten e nuk kërkon falje për mëkatet e tij, atëherë dije se fatkeqësia e tij është një fatkeqësi reale. E, nëse pendohet, kërkon falje dhe thotë: “Kjo është për shkak të mëkateve të mia”, atëherë ajo fyerje e tyre shndërrohet në begati për të.” (Xhamiul-Mesail, 1/169).

  • Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë): “Unë e shoh se ai që ia mëson fëmijës së vet gjuhën angleze që nga vegjëlia, do të llogaritet për këtë në ditën e Gjykimit, sepse një gjë e tillë shpie në dashuri të fëmijës për këtë gjuhë dhe dhënie përparësi asaj ndaj gjuhës arabe. Andaj, kjo rezulton në dashuri për atë që e flet atë gjuhë dhe në nënçmim ndaj atyre që flasin me gjuhë tjera.” (Esh-Sherhul-mumti’, 12/43).

  • Hubejsh Eth-Thekafij (Allahu e msëhiroftë) thotë: “Kam shoqëruar Ahmed ibn Hanbelin dhe Jahja ibn Meinin, ndërkohë që kishte edhe dijetarë tjerë të shumtë, dhe që të gjithë ishin të njëzëri se nuk njohin ndonjë njeri të mirë e që është koprrac.” (Tabekatul-Hanabile, 1/392).

  • Kur njerëzit zgjoheshin në mëngjes gjatë kohës së Haxhaxh ibn Jusufit dhe takoheshin mes vete, pyesnin: “Kush u vra mbrëmë? Kush u gozhdua? Kush u fshikullua me kamxhik?”, e pyetje të kësaj natyre. Gjatë kohës së sundimit të Welid ibn AbdulMelikut flisnin me njëri-tjetrin për ndërtesat e pallatet dhe për rrjedhat e lumenjve dhe mbjelljen e pemëve. Në kohën e sundimit të Sulejman ibn AbdulMelikut bisedonin për ushqimet e shijshme dhe për rrobat e shtrenjta; e tepronin në martesa e marrjen e robëreshave dhe i mbushnin ndejat duke folur për gjëra të tilla. Ndërsa, gjatë sundimit të Umer ibn AbdulAzizit e pyesnin njërti-tjetrin: “Sa di përmendsh nga Kurani? Sa lexon Kuran gjatë natës? Kur e përfundon leximin e tij? Sa ditë në muaj agjëron?”, e pyetje të ngjashme. Kështu pra ishin… varësisht nga ndryshimi i kohëve, sjelljeve dhe traditave që ishin mësuar me to. (Ez-Zehrat El-Menthureh i ibën Semmak El-Granatij, 2/8)

  • Sa herë që shtohet lëmosha, shtohet edhe risku.

Sa herë që shtohet përulja në namaz, shtohet edhe lumturia.

Sa herë që shtohet mirësjellja ndaj prindërve, shtohet edhe suksesi në jetën tënde.

Allahu thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak, 2-3). “Atij që i frikësohet Allahut” – ky është kushti; “Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)” – ky është premtimi; “dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” – ky është shpërblimi. Andaj realizoje kushtin, që të meritosh premtimin dhe të arrish shpërblimin.

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u dëshpëro nga fjalët e tyre! Ne e dimë çfarë fshehin dhe çfarë shpallin.” (Ja Sin, 76). Ngushëllim madhështor nga Zoti për zemrën e besimtarit, kur mendja e tij preokupohet me thëniet e njerëzve kundër tij.

  • Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu e edukon robin e Tij besimtar, të cilin e do dhe i cili ka vlerë tek Ai, nëpërmjet shkarjes apo gabimit më të vogël, dhe kështu ai vazhdon të jetë syhapur dhe i kujdesshëm. Ndërkaq, njeriun i cili nuk ka kurrfarë vlere e pozite tek Ai, e lë të kryejë mëkate, dhe sa herë që mëkaton, i jep begati. Kështu, ky i gjorë e i mashtruar, mendon se kjo është për shkak të pozitës që e gëzon tek Allahu, e nuk e di se pikërisht ky është poshtërimi dhe se Ai dëshiron ta ndëshkojë me një dënim të ashpër, i cili s’lë asgjë pas vete.” (Zad El-Mead, 3/506).

  • Imam ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) në veprën e tij “Fet’hul-Bari” (10/610) shkruan: “Ibën AbdulBerri përcjell me zinxhir të mirë se gjersa Ebu Davudi, autori i librit “Es-Sunen”, ishte hipur në një anije, e dëgjoi dikë në plazh duke falënderuar Allahun pasi që teshtiu. Menjëherë e mori me qira një barkë me një dërhem dhe shkoi tek ai që teshtiu e i tha: “JerhamukAllah” (Allahu të mëshiroftë), pastaj u kthye në anije. Të pranishmit e pyetën për këtë, e ai ua ktheu: “Ndoshta është prej atyre që u pranohet lutja.” (dmth kur t’ia kthejë: “Jehdikumullahu ue juslih balekum”- Allahu ju udhëzoftë dhe ua përmirësoftë gjendjen!) Pasi që ranë për të fjetur e dëgjuan një zë duke thënë: “O udhëtarë të anijes! Ebu Davudi e bleu xhenetin prej Allahut me një dërhem.”

  • Jusufit (alejhis-selam) gjersa ishte në burg i thanë: “Ne, me të vërtetë, shohim se ti je njeri i mirë.” (Jusuf, 36). Gjithashtu, gjersa ishte përgjegjës për depot e Egjiptit, i thanë: “Ne po shohim se ti je bamirës.” (Jusuf, 78). Brendësinë e mirë të njeriut nuk e ndryshojnë gjendjet e postet. Andaj, bëhu bamirës edhe nëse këtë nuk e gjen tek njerëzit. Mirëpo, mos u bëj i tillë për hir të tyre, por për atë se “Allahu i do bamirësit.” (El-Bekare, 195, Alu Imran, 134 dhe 148, El-Maide, 13 dhe 93).

  • Ebu Hatim El-Bustij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej shenjave të budallallëkut tek njeriu janë: shpejtimi në dhënien e përgjigjes, mos konfirmimi i lajmeve që i vijnë, qeshja e pakontrolluar, kthimi i shpeshtë i kokës, përgojimi i njerëzve të mirë dhe përzierja me njerëz të këqij.” (Reudatul-Ukala, 164).

  • Ibën Bettutah (Allahu e mëshiroftë v. 779 H. 1377 G.) ishte eksplorues, udhëpërshkrues, historian, kadi dhe dijetar marokenë. Krejt i vetëm, ai përshkoi rreth 121000 km duke udhëtuar, vizituar vende e mbledhur informata rreth e përqark globit. Ai kaloi afërsisht gjysmë shekulli në këto udhëtime. Ibën Bettutah njihet si njëri ndër eksploruesit dhe udhëpërshkruesit më të famshëm botëror. Përvojat dhe përjetimet e tij gjatë këtyre udhëtimeve i mblodhi në veprën e quajtur “Tuhfetun-nedhdhar fi garaibil emsar ue axhaibil esfar”. Kjo vepër e tij është përkthyer në gjuhën angleze, frënge dhe spanjolle. Po ashtu, pjesë të saj janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në faqen 261 të këtij libri ai shkruan: “Më kanë treguar njerëz të besueshëm të ishujve Maldive (ishuj në Oqeanin Indian) si: dijetarët Isa El-Jemenij, El-Mual-lim Alij, El-Kadi Abdullah dhe shumë të tjerë, se banorët e tyre ishin jobesimtarë. Në çdo muaj, nga ana e detit, atyre u shfaqej një shejtan (xhin) i ashpër e i fuqishëm, sikur të ishte hipur mbi një barkë përplot me kandila. Ata e kishin bërë zakon që sa herë e shihnin atë, të merrnin një vajzë të re e të virgjër, ta zbukuronin, pastaj ta fusnin brenda një shtëpie të idhujve. Kjo shtëpi ishte e ndërtuar në breg dhe kishte një dritare të vogël, prej nga e shihnin ardhjen e tij. Vajzën e re e linin aty tërë natën dhe kur vinin në mëngjes e gjenin të vdekur e të dhunuar. Banorët hidhnin short për çdo muaj dhe kujt i binte shorti, detyrohej të jepte vajzën e vet.

Një ditë prej ditësh, (viti 548 H apo 1153 G) andej pari kaloi një thirrës musliman maroken, që quhej Ebu El-Berekat Jusuf El-Berberij (Allahu e mëshiroftë). Ai ishte hafëz i Kuranit. U vendos në shtëpinë e një plake dhe gjatë një nate, kur hyri në shtëpi, i pa anëtarët e saj të grumbulluar, e që vajtonin sikur të ishin duke përcjellë ndonjë xhenaze. Ai i pyeti se çfarë po ndodhte, porse ata nuk e kuptonin. Menjëherë e mori me vete përkthyesin dhe plaka i tregoi se shorti i kishte rënë asaj dhe se ajo kishte vetëm një vajzë, të cilën do e mbyste xhini. Ebu El-Berekati i tha: “Unë do të shkoj në vend të vajzës tënde.” Ai ishte një burrë qose, pa mjekër. Banorët e ishullit e futën në shtëpinë e idhujve, ndërkohë që ai më parë kishte marr abdes. Me të hyrë në të, filloi të lexonte Kuran. Pas pak iu shfaq xhini nga ana e dritares, mirëpo ai vazhdoi të lexonte. Kur xhini iu afrua aq sa mund të dëgjonte Kuranin, u zhyt në ujë dhe iku. Ai vazhdoi të lexonte Kuran deri në mëngjes.

Plaka, familja e saj dhe banorët e tjerë të ishullit, erdhën për të nxjerrë nga aty dhe pastaj t’ia digjnin kufomën, siç vepronin me kufomat e vajzave. Mirëpo, atë e gjetën të gjallë dhe duke lexuar Kuran. E morën dhe e dërguan te mbreti i tyre që quhej Shenurazeh, ku i treguan për ngjarjen dhe ai mbeti i mahnitur. Ebu El-Berekati ia shfaqi Islamin dhe e nxiti drejt tij, mirëpo mbreti i tha: “Rri tek ne edhe një muaj. E, nëse e përsërit këtë që e bëre dhe shpëton nga xhini, unë do të bëhem musliman.”

Mirëpo para se të plotësohej muaji, Allahu  ia hapi zemrën mbretit dhe ai së bashku me familjen, fëmijët dhe banorët e mbretërisë u bënë muslimanë. Pastaj, e futën marokenin përsëri në shtëpinë e idhujve. Xhini nuk u dukë askund, mirëpo ai, prapëseprapë lexoi Kurani deri në mëngjes. Në mëngjes erdhi mbreti së bashku me banorët e tjerë dhe gjetën ashtu siç e kishin lënë: duke lexuar Kuran. Atëherë, mbreti urdhëroi të thyheshin idhujt dhe të rrënohej shtëpia. Të gjithë banorët e ishullit u bënë muslimanë dhe mesazhin e Islamit e bartën edhe tek ishujt tjerë dhe që të gjithë hynë në Islam.

Thirrësi islam jetoi atje si shumë i respektuar. Banorët, po ashtu e ndërtuan një xhami, të cilës ia vunë emrin e tij. Ibën Bettutah thotë: “Kam lexuar në një copë druri të xhamisë ku ishte gdhendur: “Mbreti Ahmed Shenurazeh u bë musliman nëpërmjet Ebul El-Berekat El-Berberij El-Magribij.” Më tej, mbreti urdhëroi që një e treta e fitimeve të ishujve të jepej si lëmoshë për udhëtarët që kalonin andej, ngaqë ata ishin shkak për hyrjen e tij në Islam.

Historia nuk përmend se Ebu El-Berekati kërkoi ndonjë pozitë, apo pasuri, apo se i vrau dhe i largoi me forcë banorët e Maldiveve, apo se shkatërroi ato vende. Sot e kësaj dite varri i tij gjendet në kryeqytetin e Maldiveve, që quhet Male.

  • Dijetari i madh ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë) e kishte një copë tokë në një zonë të Rijadit. Toka e tij ishte ngjit me një pjesë tjetër të tokës, ku ishin pjesëmarrës disa familje të Rijadit. Një ditë prej ditësh, përgjegjësi i punëve të shejhut hyri i shqetësuar tek ai dhe i tha: “O shejh! Fqinjët tanë i kanë caktuar kufijtë e tokave të tyre dhe kanë marrë një pjesë të tokës tënde!” Shejhu ia ktheu: “Elhamdulilah! Shpresoj të jenë ndarë të kënaqur! Ndoshta nuk ju ka ngelur hatri?” Përgjegjësi i tha: “Po të them se të kanë marrë tokën!” Shejhu: “Për mua është njëjtë, si e morën si s’e morën. Allahu do të na begatojë në pjesën që na ka mbetur. Shpresoj se janë ndarë të kënaqur!” (Meusuatu imam el-muslimin fil-karni el-ishrin, 1/90 e AbdulAziz Es’ad).

  • Dijetari i madh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) shkruan: “Shoqëria e cila nuk udhëhiqet nga besimi i vërtetë, është një shoqëri shtazarake (e shfrenuar), që i mungon çdo element i jetës së lumtur.” (Akidetu Et-Teuhid, 13).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit