15. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Njëra nga vajzat e dijetarit Abdullah El-Gudejjan (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Një ditë e pyeta babanë: “Si t’i edukoj fëmijët në këtë kohë të vështirë?” Edukoji me lutje dhe me shembull. Shpeshtoji lutjet për ta dhe bëhu shembull, në atë mënyrë që mos të të shohin në ato gjëra që i ke ndaluar dhe mos të të humbasin aty ku i ke urdhëruar të jenë- më tha ai.”

  • Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shkaku i shfaqjes së bidateve në çdo popull është fshehja/zhdukja e suneteve të të Dërguarve me të cilat u erdhën, dhe kështu ndodhte shkatërrimi. Për këtë arsye thuhej: “Kapja pas sunetit është shpëtim.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 4/137).

  • Mos lejo që jeta e kësaj bote të vjedh prej teje këto pesë gjëra: sinqeritetin në vepra., momentin e çiltërsisë me Zotin tënd, mirësjelljen ndaj prindërve, dashurinë ndaj familjes dhe bamirësinë ndaj atyre që i ke përreth.

  • Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Pasi që hoxhës së Islamit, ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ia shpeshtoja përmendjen e mendimeve dhe opinioneve të njerëzve, më tha: “Mos e bëj zemrën tënde karshi opinioneve dhe dyshimeve sikur të ishte sfungjer që thith, sepse pastaj prej saj rrjedhin vetëm gjëra të tilla. Mirëpo bëje atë sikur qelqi i lëmuar; dyshimet kalojnë anës së jashtme tij dhe nuk ngjitën për të. Kështu, ajo i sheh ato përmes kthjelltësisë së vet dhe i largon nëpërmjet fortësisë që e ka. Në të kundërtën, nëse zemra jote thith çdo dyshim që i vjen, atëherë ajo shndërrohet në vendqëndrim të dyshimeve.” Ibën Kajjimi vazhdon: “Nuk di që ndonjë këshillë për largimin e dyshimeve të me ketë bërë dobi sikur këto fjalë të tij.” (Medarixhus-Salikin, 1/140).

  • Janë tri sëmundje që i kanë tri zgjidhje:

Sëmundja e parë: Nëse je sprovuar me dashuri ndaj epsheve.

Zgjidhja: Kontrolloje gjendjen tënde në namazet e tua.

Argument: Fjala e Allahut: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta.” (Merjem, 59).

Sëmundja e dytë: Nëse ndien mjerim shpirtëror dhe mossukses.

Zgjidhja: Kontrolloje sjelljen tënde me nënën.

Argument: Fjala e Allahut duke treguar për Isën (alejhis-selam): “Dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë arrogant dhe të mjerë.” (Merjem, 32).

Sëmundja e tretë: Nëse ndien depresion dhe ndrydhje në shpirt.

Zgjidhja: Kontrolloje gjendjen tënde me Kuranin.

Argument: Fjala e Allahut: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime (Kuranit), do të ketë jetë të rëndë.” (Ta Ha, 124).

  • Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “El-Uabilus-Sajjib” përmend se njerëzit karshi namazit ndahen në pesë grupe:
  1. I dënuar– Allahu do e dënojë për namazin e tij.
  2. I llogaritur- Allahu do e llogarisë për namazin e tij.
  3. I falur- Allahu e fal për shkak të namazit të tij.
  4. I shpërblyer- Allahu do e shpërblejë për namazin e tij.
  5. I afërt- Allahu e afron tek Vetja për shkak të namazit të tij.

 

I dënuar: është ai që nuk i kushton rëndësi dhe nuk e kryen ashtu siç duhet abdesin, shtyllat, obligimet dhe kushtet e namazit. Pra, ky do të dënohet.

I llogaritur: Njeriu që do të merret në llogari është ai që i vepron shtyllat, obligimet dhe kushtet e namazit, mirëpo prej se hyn në namaz e derisa të dalë prej tij, nuk di çfarë është duke thënë në të. Mendja e tij bredh nëpër dynja, derisa të thotë: “Esselamu alejkum”. Bile, bile mezi pret të përfundojë namazi e t’u kthehet punëve të dynjasë. Sa të shumtë janë njerëzit e këtij grupi! Pra ky do të merret në llogari për këtë namaz.

I falur: ai që i kryen shtyllat, obligimet dhe kushtet e namazit, mirëpo prej se hyn në të e derisa të dalë prej tij, është në luftë të vazhdueshme me shpirtin dhe me shejtanin, në mënyrë që zemra të mos i largohet nga namazi. Pra, ai është në luftë të vazhdueshme me shpirtin, në mënyrë që ta përmirësojë sa më shumë namazin e vet. Këtë njeri Allahu e fal.

I shpërblyer: ai që i vepron shtyllat, obligimet, kushtet dhe sunetet e namazit dhe që është i përulur në të. Këtë njeri Allahu e shpërblen.

I afërt (tek Allahu): kjo është grada më e lartë: ai që i vepron shtyllat, obligimet, kushtet dhe sunetet e namazit dhe që është i përulur në të, mirëpo vazhdimisht e sjell ndërmend që Allahun e ka përpara. Ky është dallimi mes tij dhe njeriut të grupit të katërt, i cili ka përulje në namaz, porse nuk e sjell ndërmend se është duke biseduar me Allahun.

Pra, kush i vepron të gjitha kushtet, shtyllat, obligimet, e sunetet e namazit, kush është i përulur në të dhe e sjell ndërmend se po bisedon me Allahun dhe se Ai e sheh atë, do të afrohet tek Allahu. E ti, në cilin prej këtyre grupeve e klasifikon veten?!

  • Kur njeriu shoqërohet me njerëz të mirë, ndodh që prej tyre të dëgjojë ndonjë këshillë të ashpër. Ndërsa kur shoqërohet me të këqijtë, shpesh ndodh që prej tyre të hasë servilizëm dhe laritje (shtirje). Allahu e mëshiroftë Malik ibn Dinarin, i cili thoshte: “Më mirë të bartësh gurë me njerëz të mirë, sesa të hash ëmbëlsira me njerëz të këqij.” Dijetari i madh bin Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëlla i mirëfilltë i yti është ai që të këshillon dhe që të përkujton. E jo ai që tregohet i shkujdesur ndaj teje, që nuk merret me ty dhe që të shtiret. Vëlla i vërtetë është ai që të thërret drejt Allahut dhe që ta qartëson rrugën e shpëtimit, në mënyrë që të ecësh nëpër të. Është ai që të paralajmëron nga rruga e shkatërrimit dhe që të tregon për përfundimin e keq të saj, në mënyrë që t’i shmangesh.” (Mexhmu’u fetaua ue mekalat mutenewwiah, 14/21).

  • Dijetari i madh ibn Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dija jonë është e mangët sepse atë që e mësojmë nuk e zbatojmë në jetët tona. Ajo çfarë ne dimë është vetëm vendimi fetar rreth një çështje, mirëpo që ta praktikojmë atë, kjo haset shumë pak – Allahu na faltë! Dobia që duhet të përfitohet nga dija është zbatimi i saj në vepër, në atë mënyrë që gjurmët e saj të shfaqen në fytyrën e njeriut, në sjelljen, moralin, adhurimin, ndjenjat, në frikën e tij ndaj Allahut etj. Kjo është ajo që ka rëndësi. Qëllimi i nxënies së dijes nuk është njohja e çështjeve teorike – o Allah, na jep dije të dobishme! Jo, dobia nga nxënia e dijes është që njeriu të përfitojë në anën praktike. Sa e sa njerëz janë të thjeshtë, e të paditur, mirëpo tek ta gjejmë frikë ndaj Allahut, vetëkontroll, sjellje e morale të mira dhe kryerje të adhurimeve, shumë më tepër sesa te nxënësit e dijes.” (Esh-Sherhul-Mumti’ 7/166).

  • Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Disa kohanikë të tij më me famë thoshin: “Dëshiroj shumë që me shokët e mi të jem ashtu siç ishte ai (ibn Tejmija) me armiqtë dhe kundërshtarët e tij.” Ibn Kajimi vazhdon: “Kurrë nuk e kam dëgjuar të lutej kundër ndonjërit prej armiqve e kundërshtarëve të tij. Përkundrazi, ai lutej për ta. Një ditë, i erdha dhe e përgëzova me vdekjen e njërit prej armiqve më të mëdhenj të tij, i cili e fyente dhe e lëndonte më së shumti. Mirëpo, ai më qortoi, mi zuri për të mëdha fjalët e mia dhe tha: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!” Pastaj, menjëherë u ngrit dhe shkoi tek familja e të vdekurit që t’i ngushëllonte dhe u tha: “Prej sot e tutje, për ju, unë jam në vend të tij. Për çdo gjë që keni nevojë, unë do t’ju ndihmoj”, si dhe fjalë tjera të ngjashme me këto. Familja u gëzuan, u lutën për të dhe respektuan shumë këtë gjest nga ana e tij. Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me të!” (Medarixhus-Salikin, 2/345).

  • Dijetari i madh ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përfundimi i keq i njeriut (gjatë daljes nga kjo jetë) vjen për shkak të ndonjë sëmundje të fshehtë (të zemrës), të cilën njerëzit nuk e dinë.” (Xhamiul-Ulumi uel-Hikem, 1/57).

Nga Ma’ruf El-Kerhij (Allahu e mëshiroftë) përcillet të ketë thënë: “Kur Allahu ia do të mirën njeriut, ia hap derën e veprave të mira dhe ia mbyll derën e polemikave. Ndërsa, kur nuk ia do të mirën, ia hap derën e polemikave dhe ia mbyll derën e veprave të mira.” (Tabekat El-Hanabile, 1/384).

  • Dijetari Abdullah ibn Aun (Allahu mëshiroftë) nuk zemërohej kurrë. E, edhe kur dikush e zemëronte, ai ia kthente: “Allahu të begatoftë!” (Hiljetul-Eulija, i ibn Nuajm, 3/39). Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë): “Sikur të merrnim mësim dhe të krahasonim këtë me gjendjen dhe fjalët tona gjatë hidhërimit! Ai lutej me këtë lutje madhështore për atë që e zemëronte; e çfarë thoshte kur ishte në rehati e gëzim! Kjo tregon për fuqinë e madhe shpirtërore që e kishte në përmbajtjen e zemërimit.” (www.al-badr.net).

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mos i kushto vëmendje secilit injorant që pason verbërisht dhe mos të të vijë rëndë fyerja e tij, e as thënia për ty se je jobesimtar apo i devijuar, sepse fjalët e tij janë sikurse të lehurat e qenit. Andaj, mos lejo që qeni të ketë pozitë dhe vlerë tek ti.” (Es-Sauaik El-Mursele, 3/1158).

  • Në Kuran fjala “rëndë” është përmendur dy herë:

“Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të rëndë, që do t’u vijë.” (El-Insan, 27). Qëllimi me “Ditën e rëndë” është Dita e Kiametit.

“(O Muhamed) Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë të rëndë.” (El-Muzzemmil, 5). Qëllimi me “fjalën e rëndë” është Kurani. Andaj, kush dëshiron të shpëtojë nga “Dita e rëndë“, le të kapet pas “fjalës së rëndë.”

  • Sufjan ibn Ujejne thotë: “Sikur të mos ishte mbulesa e Allahut ndaj të metave të njerëzve, nuk do të uleshim me askënd.” (Shu’abul-Iman, 6/290).

  • Fudajl ibn Ijadi thotë: “Besimtari ia mbulon të metat tjetrit dhe e këshillon, ndërsa i keqi ia përhap ato dhe e nënçmon.” (Xhamiul-Ulumi uel-Hikem, 1/225).

  • Ibn Rexhebi shkruan: “Nga disa prej selefëve përcillen këto fjalë: “Kam takuar njerëz që nuk kishin të meta. Mirëpo, pasi që filluan të përmendnin të metat e njerëzve, edhe ata filluan të përmendnin të metat e tyre. Gjithashtu kam takuar njerëz që kishin të meta, mirëpo pasi që nuk flisnin për të metat e të tjerëve, të metat e tyre u harruan.” (Xhamiul-Ulumi uel-Hikem, 2/291).

  • Hoxha i Islamit ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Gjatë urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, patjetër duhet të kihen tri gjëra: dija, butësia dhe durimi; dija para se ta urdhërosh apo ndalosh dikë; butësia gjatë urdhrit apo ndalimit; durimi pas urdhrit apo ndalimit.” (El-Istikameh, 466).

  • Dijetari i madh ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kujdes nga mëkatet, sepse ato e privojnë faljen e Allahut në sezonat kur zbret mëshira e Tij!” (Letaiful-Me’arif, 295).

  • Ibn Kutejbe Ed-Dejnurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shembulli i njeriut për fëmijët dhe familjen e vet është sikur shembulli i temjanit i cili digjet, ndërkohë që të tjerët kënaqën me erën e mirë të tij.” (El-Muxhalesetu ue Xheuahirul-Ilmi).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit