• Dijetari i madh Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Gjatë rinisë sime kam takuar dijetarë të shumtë, të cilët dallonin në sasinë e dijes që e kishin. Mirëpo, më së shumti përfitoja nga ai që vepronte me dijen e vet, edhe pse kishte të tjerë më të ditur. Po ashtu kam takuar dijetarë të hadithit, që mësonin përmendsh hadithe dhe kishin dije rreth tyre, mirëpo e toleronin gibetin (përgojimin) dhe i jepnin kahe në shkencën e xherhit dhe ta’dilit. Ata po ashtu merrnin para për tregimin e haditheve dhe shpejtonin në dhënien e përgjigjes, edhe nëse ishte gabim, në mënyrë që të mos iu ulej pozita në sy të njerëzve.

Pastaj, takova dijetarin Abdul Uehhab El-Enmatij, i cili ishte në rrugën e selefëve (gjeneratave të para të muslimanëve). Ai nuk lejonte që dikush të përgojohej në ligjëratat e tij dhe nuk kërkonte të holla për hadithet që i tregonte. Kur ia lexoja hadithet që zbusin zemrën, qante shumë dhe pandërprerë. Atëbotë, duke qenë ende i ri në moshë, kjo e qarë e tij ndikonte shumë në zemrën time dhe vendoste themele të forta. Ai ishte në rrugën e dijetarëve të mëparshëm, për cilësitë e të cilëve lexonim nëpër libra e transmetime.

Po ashtu takova edhe Ebu Mensur El-Xheualikij; ai heshtte shumë dhe i zgjidhte me kujdes të madh fjalët që i thoshte; ishte preciz dhe verifikues. Ndodhte të pyetej për ndonjë çështje të qartë, përgjigjen e të cilës shpejtonin ta jepnin disa të rinj, mirëpo ai ndalej dhe mendohej derisa të sigurohej e të bindej rreth saktësisë së përgjigjes. Ai agjëronte shpesh dhe heshtte gjatë.

Nga këta dy njerëz përfitova më shumë sesa nga të gjithë të tjerët. Së këtejmi, arrita në përfundim se, udhëzimi në rrugë të drejtë me anë të veprës ndikon më shumë sesa ai që bëhet me fjalë. Andaj, kini kujdes dhe veproni me atë që e dini, sepse ky është themeli kryesor i çështjeve. Ndërkaq, meskini më i madh është ai që e humb jetën në nxënien e dijes me të cilën nuk vepron, dhe kështu i ikin kënaqësitë e kësaj bote dhe të mirat e botës tjetër.” (Sajdul-Hatir, 138).

  • Ndër kërkesat më të mëdha të kësaj jete është që Allahu të të kursejë nga brengat. Ndërsa, ndër kërkesat më të mëdha të jetës tjetër është që Allahu të t’i falë mëkatet. Dhe që të dyja këto i përmban dhe i siguron shpeshtimi i salavateve për të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Në një hadith lexojmë se Ubej ibn Ka’bi (radijAllahu anhu) e pyeti të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “O i Dërguar i Allahut! Unë shpeshherë dërgoj salavate për ty. Andaj, sa pjesë të ditës të ndaj për një gjë të tillë? Ai i tha: “Sa të duash.” “Një të katërtën?” “Sa të duash. Nëse shton kjo është më mirë për ty.”Gjysmën?” “Sa të duash. Nëse shton, kjo është më mirë për ty.”Dy të tretat?” “Sa të duash. Nëse shton kjo është më mirë për ty.” “Atëherë, do të dërgoj salavate për ty gjatë gjithë kohës.” I Dërguari ia ktheu: “Atëherë, do të kursehesh nga brengat dhe do të të falën mëkatet.” (Tirmidhiu, 2457 dhe të tjerë. Imam Albani e ka vlerësuar si të saktë në “Sahihu Et-Tergib” (1670) dhe libra tjerë.

  • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “El-Bejhekij përcjell me zinxhir të vërtetë se Seid ibn Musejjibi e pa një njeri duke falur më shumë se dy rekate pas namazit të sabahut; në ato rekate ai shtonte në numrin e rukuve dhe sexhdeve. Pasi që Seidi e ndaloi nga një gjë e tillë, ai i tha: “O Ebu Muhamed! A më dënon Allahu për shkak të namazit?!” Seidi iu përgjigj: “Jo, mirëpo të dënon për shkak të kundërshtimit të sunetit.”

  • Prej gjërave që e pengojnë kuptimin e Kuranit dhe të kënaqurit me të është që lexuesi të jetë nga ata që vazhdimisht bëjnë mëkate, apo të jetë mendjemadh, apo i sprovuar me nënshtrim ndaj epshit. Të gjitha këto janë shkak për errësimin e zemrës dhe prishjen e saj. Zemra është sikur pasqyra, epshet janë oksidimi/ndryshku që i ndodh pasqyrës, ndërsa kuptimet e Kuranit janë pamjet që shfaqen në pasqyrë. Trajtimi i zemrës duke i larguar prej saj epshet, është sikur pastrimi që i bëhet pasqyrës. (Muhtesar Minhaxhul-Kasidin i ibn Kudame, fq. 45).

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë muslimanët janë të një mendjeje se, kur njeriut t’i bëhet i qartë një sunet nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), atëherë nuk i lejohet ta braktisë atë për shkak të fjalës së askujt, kushdo qoftë ai.” (I’lam El-Muveki’in, 2/282, El-Fulanij në Ikadh El-Himem, 68).

  • Seid ibn Xhubejri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush ia heq hajmalinë dikujt, shpërblehet sikur të ketë liruar një rob.” (Ibn Ebi Shejbe në El-Musannef, 3524). Shejh AbduRrezzaku (Allahu e ruajttë) thotë: “Kjo tregon për dijen e thellë që e kishte (Allahu e mëshiroftë), sepse lirimi i njeriut nga shirku është më i madh e më i rëndësishëm sesa lirimi i tij nga robëria.”

  • Dijetari i madh ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Na është përcjellë se një njeri kërkoi të hynte te gjykatësi kryesor, ibn Ebi Davud, dhe tha: “Thoni atij se Ebu Xhaferi është te dera!” Kur e dëgjoi, u gëzua shumë dhe tha: “Lejojeni të hyj!” Kur hyri, e priti në këmbë, e nderoi shumë, ia dha pesëmijë dërhem dhe pastaj e përcjelli. “Me një njeri të thjeshtë sillesh kështu?” – i thanë të pranishmit. “Një kohë isha i varfër dhe këtë njeri e kisha shok. I shkova dhe i thash: “Jam i uritur.” Ai më tha: “Ulu!” Pastaj doli dhe u kthye me mish të pjekur, me ëmbëlsira e me bukë dhe më tha: “Ha!” “Pasha Allahun, nuk ha derisa të hash edhe ti me mua” – ia ktheva unë. Filloi të hajë, mirëpo nga goja i rrodhi gjak. “Ç’është kjo?” – pyeta i habitur. “Sëmundje” – tha. “Pasha Allahun, patjetër do të më tregosh!” Tha: “Kur më erdhe te dera nuk posedoja asgjë. Pasi që dhëmbët i kisha të veshur me shirit ari, e hoqa atë dhe bleva me të.” Gjykatësi tha: “E si mos t’ia kthej të mirën një njeriu të tillë!” (Sajdul-Hatir, 724).

  • Ibn Hibbani (Allahu mëshiroftë) thotë: “Hulumtimi i të metave të besimtarëve (spiunimi) është prej shenjave të dyfytyrësisë, ndërsa mendimi i mirë për ta është prej shenjave të besimit. Andaj, i mençuri ka mendim të mirë për vëllezërit e vet, ndërkaq injoranti ka mendim të keq për ta.” (Reudatul-Ukala, 118).

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur njeriut i bëhet padrejtësi, apo lëndohet e fyhet, apo i hidhen në qafë armiqtë, atëherë s’ka asgjë më të dobishme për të sesa kthimi tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Bedaiul-Feuaid, 2/771).

  • Dijetari i madh ibn Hazm (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa e sa njerëz kemi parë që janë shkatërruar nga të folurit e tyre, mirëpo asnjëherë nuk kemi parë apo dëgjuar që dikush është shkatërruar nga heshtja. Andaj, fole vetëm atë që të afron tek Krijuesi yt, e nëse frikohesh nga ndonjë i padrejtë, atëherë hesht.” (Er-Resail i ibn Hazmit, 1/402).

  • I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush e fal sabahun është në mbrojtje të Allahut.” (Muslimi). Imam Uthejmini në komentimin e “Rijadus-Salihin” (1/591) thotë: “Në këtë hadith ka argument se duhet të respektohen muslimanët, të cilët e vërtetuan islamin e tyre nëpërmjet faljes së namazit të sabahut, sepse atë e fal vetëm besimtari. Po ashtu, në të argument se askujt nuk i lejohet që t’i lëndojë ata.” Për këtë kuptim aludon edhe ngjarja që përcillet nga Taberani në “El-Mu’xhem El-Eusat” (4/5), për të cilën imam Albani në “Sahihut-Tergib” (1/110) thotë se është e saktë: “Nga A’mesh përcillet se Salim ibn Abdullah ibn Umeri ishte ulur tek Haxhxhaxhi, i cili i tha atij: “Ngrihu dhe vrite këtë njeriun këtu!” Salimi e mori shpatën e kapi njeriun dhe u nis me të drejt portës së pallatit. Babai i tij (Abdullah ibn Umeri) e shikonte gjersa ecte me njeriun dhe thoshte: “Mendon se do e bëj?!” dhe e zmbrapsi dy apo tri herë. Më në fund, pasi arritën te vendi, Salimi e pyeti: “A e ke falur sabahun?” “Po” – tha ai. Atëherë Salimi i tha: “Ik nga të duash!” Pastaj u kthye dhe e flaku tutje shpatën. Haxhxhaxhi e pyeti: “A e vrave?”Jo” – ia ktheu. “Përse jo?” Salimi iu përgjigj: “Sepse e kam dëgjuar babanë tim këtu duke thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e fal sabahun është në mbrojtje të Allahut deri në mbrëmje.”

  • Shurejh El-Kadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh të sprovohem me ndonjë fatkeqësi dhe prapëseprapë për të e falënderoj Allahun katër herë:

-E falënderoj që nuk më ka sprovuar me diçka më të madhe se ajo.

-E falënderoj që ma mundësoi të kem durim ndaj saj.

-E falënderoj që më dha sukses të them: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”, ngaqë shpresoj në shpërblimin e Tij.

-E falënderoj që nuk e bëri atë sprovë në fenë time.” (Shu’abul-Iman i Bejhekiut, 6/37).

  • Një ditë prej ditësh, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e tako Ebu Dherrin (radijAllahu anhu) dhe i tha: “O Ebu Dherr! A të tregoj për dy veti që janë më të lehtat për t’u bartur dhe më të rëndat në peshoren (e Ditës së gjykimit)?” “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut” – i tha ai. “Përmbaju moralit të mirë dhe heshtjes së gjatë, sepse pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, njerëzit nuk janë zbukuruar me diçka më të mirë sesa këto dyja.” (Es-Slisile Es-Sahiha, 1938).

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kushdo që shpreson apo mbështetet tek krijesa, patjetër se do të zhgënjehet.” (Mexhmu’ul-Fetaua, 10/257).

  • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “E keqja e të rinjve muslimanë sot është se, posa të mendojnë se kanë mësuar diçka nga dija fetare, gjë të cilën nuk e dinin më parë, e ngritin kokën dhe ua merr mendja se dinë çdo gjë. Kështu, ata preken nga mendjemadhësia dhe mburrja. Kam frikë se këta të rinj i përfshinë fjala e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Janë tri gjëra që shkatërrojnë: “Lakmia, të cilës njerëzit i binden, epshi që pasohet dhe mburrja e secilit me mendimin e vet.” (Silsiletu El-Huda uen-Nur, 861).

  • Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “S’ka gjë që e shëmton njeriun më shumë sesa shkujdesja ndaj vlerave fetare, shkencave të dobishme (fetare) dhe veprave të mira.” (Miftahu Daris-Se’adeh, 1/177).

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kthimi me pendesë tek Allahu është ndër veprat e mira më të rëndësishme, ndërkohë që pranimi i veprave të mira kushtëzohet me sinqeritet ndaj Allahut dhe me pasim të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Gjithashtu, kërkimi i faljes është prej veprave të mira më të mëdha dhe është një fushë e gjerë. Andaj, kush vëren mangësi në fjalët e veta apo në veprat, apo në gjendjen, apo në riskun, apo në zemrën e tij, atëherë le t’i kapet teuhidit dhe kërkimit të faljes, sepse në to ka shërim për çdo gjë, nëse bëhen me besnikëri e sinqeritet. Po ashtu, nëse vëren mangësi karshi të drejtave të farefisit, bashkëshortes, fëmijëve, fqinjëve dhe vëllezërve, atëherë lutu për ta dhe kërko falje.” (Mexhmu’ul-Fetaua, 11/319).

  • Nga Ebu Bekr Ajjash (Allahu e mëshiroftë) përcillet të ketë thënë: “E pashë Ebu Is’hak Es-Sebi’ij duke qarë, andaj e pyeta: “Çfarë të bëri të qash?” Më tha: “Më lëshoi fuqia dhe bashkë me të shkoi edhe namazi im. Nuk po mund të falem në këmbë, veçse duke lexuar suret El-Bekare dhe Alu Imran.” (Eth-Thikat i ibn Hibbanit, 8/67).

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ulja e shikimit nga pamjet e ndaluara lë pas vete: a) ëmbëlsi dhe kënaqësi në besim dhe b) dritë, mendjemprehtësi, fuqi, qëndrueshmëri dhe trimëri në zemër.” Durer min kelami shejhul-Islam, 252.

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

SHKARKO PDF: 16-keshilla-te-dobishme