• Ebu Bekr Et-Tartushij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të shohësh njeriun që në natyrë të tij e ka vetëm kundërshtimin, ashtu që sa herë i thua: “Jo” ai ta kthen: “Po”, apo sa herë i thua: “Po”, ai ta kthen: “Jo”, atëherë, çiftin e këtij rendite midis botës së gomarëve.” (Siraxhul-Muluk, 259).

  • Kur imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë) iu përmend vërtetësia dhe sinqeriteti tha: “Me këto dyja u ngritën ata që ishin para nesh.” (Tabekatul-Hanabileh e Ebu Ja’la, 1/147).

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu e mëshiroftë njeriun që:

-merret me vetveten,

-e ruan gjuhën,

-jepet pas leximit të Kuranit,

-qanë për kohën e shkuar,

-lexon vazhdimisht në dy Sahihët (Buhari dhe Muslim) dhe

-e adhuron Allahun para se ta befasojë vdekja. ” Tedhkiretul-Huffadh, 2/86.

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse shkon në ndonjë mexhlis dijeje, atëherë pjesëmarrja jote le të jetë vetëm për të shtuar dijen dhe shpërblimin, e jo për t’u mjaftuar me atë dije që e ke, apo për të kërkuar ndonjë gabim të cilin pastaj e përhapë, apo ndonjë mesele të çuditshme të cilës ia vë në dukje të metat. Pa dyshim se këto janë vepra të njerëzve të ulët të cilët kurrë nuk do të kenë sukses në dije.” (El-Ahlaku ues-Sijer fi mudauatin-Nufus, 92).

  • Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari vuan shpirtërisht për gabimin e vëllait të tij besimtar sikur ta bënte ai vetë atë gabim dhe nuk i gëzohet atij.” (Medarixhus-Salikin, 1/436).

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të lexoj një ajet nga Kurani dhe pastaj të punoj me të, është me dashur për mua sesa të përfundojë leximin e tij 1000 herë; ta gëzoj një besimtar dhe ta ndihmoj kur ka nevojë, është më e dashur për mua sesa adhurimi gjatë tërë jetës; braktisja dhe refuzimi i dynjasë është më e dashur për mua sesa ta adhuroj Allahun me adhurimin e banorëve të qiejve dhe të tokës; lënia e një monedhe shumë të vogël nga fitimi haram është më e dashur për mua sesa të shkoj 100 herë në haxhillëk me para hallall.” Tenbihul-Gafilin, 1/380.

  • Imam Ibn El-Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se kohët vazhdimisht ndryshojnë, ashtu siç thotë Allahu: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Alu Imran, 140). Kështu: nganjëherë varfëri, nganjëherë pasuri, nganjëherë krenari e fuqi, nganjëherë përulje e nënshtrim, nganjëherë gëzohen miqtë, nganjëherë gëzohen armiqtë. Mirëpo, i lumtur në këtë mes është ai që në çfarëdo gjendje nuk i ndahet një themeli të vetëm: frikës dhe devotshmërisë ndaj Allahut, sepse nëse është në mirëqenie ajo e zbukuron, nëse goditet nga varfëria ajo ia hap dyert e sabrit, nëse gëzon shëndet ia plotëson mirësitë, nëse sprovohet i bënë të mundshëm përballimin dhe nuk dëmtohet asgjë, edhe nëse ndonjëherë ulet, apo e ngrihet, apo mbetet pa rroba trupi, apo barkplot, apo i pangrënë, sepse të gjitha këto largohen dhe ndryshojnë, ndërkaq devotshmëria është themeli i shpëtimit dhe roje që nuk fle.” (Sajdul-Hatir, 1/39).

  • Nga Ebu Umame (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Një njeri hyri në Xhenet dhe pa se në portën e tij ishte shkruar: “Lëmosha shpërblehet dhjetëfish, ndërsa borxhi tetëmbëdhjetë.” Taberani në “El-Mu’xhem El-Kebir”, 8/297 dhe 7976 dhe Bejhekiu në “Esh-Shu’ab”, 3/283 dhe 3563. Imam Albani e ka vlerësuar si Hasen (të mirë) në “Es-Silsile Es-Sahiha”, 307 dhe “Sahihut-Tergib”, 900.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu i mençur duhet të përpiqet skajshmërisht që ta pasojë Sunetin në çdo gjë.” (Iktidaus-Siratil-Mustekim 2/270).

  • Imam ibn Dekik El-Id (Allahu e mëshiroftë) thotë: “S’kam thënë ndonjë fjalë dhe s’kam bërë ndonjë vepër, veçse i kam përgatitur përgjigje kur të dalë para Allahut të Madhërishëm.” (Tabekatush-Shafi’ijje El-Kubra, 2/212).

  • Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk kam shikuar, as nuk kam folur, as nuk kam prekur, as nuk ja ngritur në këmbë, derisa të shoh se a është bindje apo mëkat? Nëse ishte bindje, vazhdoja tutje e nëse ishte mëkat, tërhiqesha.” (El-Uera’, 116), (Xhamiul-Ulumi uel-Hikem, 76).

  • Jahja ibn Muadhi thotë: “Lotët thahen për shkak të ngurtësisë së zemrës; zemrat ngurtësohen për shkak mëkateve të shumta; mëkatet shtohen për shkak të metave të shumta.” (Bejhekiu në “Shu’abul-Iman, nr. 6828).

  • Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasuria më e madhe në këtë botë është që në çdo kohë ta angazhosh veten me atë që është më e duhur dhe më e dobishme për ty në jetën tjetër.” (Feuaidul-Feuaid, 405).

  • Ubade bin Samit (radijAllahu anhu) thotë: “Pa dyshim se e vërteta ka nur që del prej saj.” (Usul El-I’tikad i imam El-La’leka’ij 116).

  • I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtet, Allahu e ndihmon këtë ummet me pjesëtarët e dobët të tij, me lutjen, namazin dhe sinqeritetin e tyre.” “Sahih El-Xhami’, 2388.

  • Imam El-Mizzit (Allahu e mëshiroftë) iu tha: “Filani të urren!” Ai ia ktheu: “S’gjej prehje kur e kam afër dhe nuk ndihem i vetmuar kur e kam larg.” (El-Ada’b Esh-Sher’ijjeh, 3/575).

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu duhet të ketë si qëllim t’u sjellë dobi krijesave dhe t’u bëjë mirë atyre, pa kurrfarë përjashtimi. Pikërisht kjo është mëshira me të cilën erdhi Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç lexojmë në Kuran: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija’, 107) (Xhamiul-Mesa’il, 6/37).

  • Imam Sufjan ibn Ujejne (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më të guximshmit në dhënien e fetuave, janë ata që kanë më së paku dije.” (Xhami’u bejan el-‘ilmi ue fadlihi, 2209).

  • Imam Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpeshherë e dëgjoja hoxhën e Islamit, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) duke thënë: Vetëm Ty të adhurojmë” e largon dyfaqësinë, ndërsa “Vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” e largon mendjemadhësinë.” (Medarixhus-Salikin, 1/66).

  • Ebu Xha’fer Muhamed ibn Alij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush nuk e di vlerën e Ebu Bekrit dhe Umerit (radijAllahu anhuma), ai është injorant karshi Sunetit.” (Ebu Nu’ajmi në El-Hilje, 3/185).

  • Sahabët që përcollën më së shumti hadithe:

Ebu Hurejre (radijAllahu anhu): 5374 hadithe.

Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma): 2630 hadithe.

Enes ibn Maliku (radijAllahu anhu): 2286 hadithe.

Aisha (radijAllahu anha) 2210 hadithe.

Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhuma): 1660 hadithe.

Xhabir ibn Abdullah (radijAllahu anhuma): 1540 hadithe.

Ebu Se’id El-Hudrij (radijAllahu anhu): 1170 hadithe.

Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu): 848 hadithe.

Abdullah ibn Amr ibn ‘As (radijAllahu anhuma): 700 hadithe.

(“El-Munteka min Feraidil-Feuaid” i imam Uthejminit).

  • Një ditë, Beshshar ibn Burdi e këshilloi shokun e tij Hilal ibn ‘Atijjen, duke i thënë: “O Hilal! A më dëgjon nëse të jap një këshillë?” “Po.” – ia ktheu ai. “Para një kohe ti vidhje gomerë, pastaj u pendove nga kjo vepër dhe u bëre rafidij. Ktheju vjedhjes së gomerëve, sepse, pasha Allahun, ajo është më mirë për ty sesa rafdi!” (Uefejatul-A’jan i ibn Hal-likan, 1/425).

  • Qetësia e rrugëve gjatë namazit të sabahut dhe bllokimi i tyre gjatë orëve të punës na tregon për dashurinë ndaj dynjasë dhe për harrimin e ahiretit. Allah! Mos e bëj dynjanë preokupimin tonë kryesor!

  • Disa shembuj të ambicieve të larta për atë që dëshiron ngritjen në këtë botë dhe botën tjetër:

Ibn Bedran Ed-Dimeshkij (Allahu e mëshiroftë) vazhdoi të shkruante tefsirin e tij edhe pas goditjes nga paraliza. Për këtë arsye, në dorëshkrim shfaqen gjurmë të dridhjes së dorës. (Xheuahirul-Efkar, fq. 27).

“Njoh njeri në kohën tonë që për pesë vite me radhë, si verës ashtu edhe dimrit, nuk ka fjetur veçse në kohën e syfyrit; ishte tepër i angazhuar me shkrimin e librit të tij.” (Ibn Ebul-Hadid në komentin e tij, 19/17).

Ibn El-Xhezerij në “El-Mus’ad” fq. 41 thotë: “Ibn Kethiri u lodh shumë në shkrimin e veprës së tij “Xhami’ul-Mesanid” dhe më tha: “Vazhdoja ta shkruaja gjatë natës ndërkohë që flaka e kandilit lëvizte, derisa më verboi.”

AbulEuuel ibn Hammad El-Ensarij në biografinë e babait të tij shejh Hammadit, 1/393 shkruan se e ka dëgjuar atë duke thënë: “Gjatë rinisë sime lexoja e shkruaja deri në agim dhe flija vetëm pak në mesditë.”

  • Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Unë dhe Ummu Salih qëndruam së bashku njëzet vite dhe kurrë nuk patëm mosmarrëveshje qoftë edhe rreth një fjale të vetme.” (Et-Tabekat, 2/583).

  • Imam Esh-Sheukanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej të metave që e pengojnë njeriun të kthehet në të vërtetën kur debaton me dikë janë: ai që e flet të vërtetën është më i ri në moshë krahasuar me të, apo ka dije më të mangët, apo nuk është i njohur në mesin e njerëzve. Ndërsa tjetri është në kundërtën e kësaj. Së këtejmi, këtë të fundit e nxit zelltaria e injorancës dhe fanatizmi djallëzor që të mbahet tek e kota. Dhe tërë këtë e bën ngaqë është tepër mendjemadh të kthehet tek fjala e atij që është më i ri se ai në moshë, apo më i mangët në dije, apo më pak i njohur.” (Adabut-Taleb, fq. 142).

  • Dijetari i madh El-Mauerdij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Gjatë ndryshimit të gjendjeve, del në shesh brendësia e njerëzve.” (Edebud-Dunja ued-Din, 1/220).

  • Bishr El-Hafij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos bëj vepra që të përmendesh! Fshihe veprën e mirë, ashtu siç e fsheh veprën tënde të keqe!” (“Sijer A’lam En-Nubela’, 10/476).

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj.” (El-Bekare, 152). Halid Er-Rebe’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndalu tek ky ajet dhe mos u ngut! Sikur të bindeshe me plot zemër në të, kurrë nuk do të thaheshin buzët e tua nga përmendja e Allahut.” (Ed-Durrul-Menthur, i imam Sujutit, 2/62).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

SHKARKO PDF: 17-keshilla-te-dobishme