Sprova e Imam Buhariut


(Përkthyer nga gjuha angleze: “Imam Bukhari – His Life and Works”)
Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Afër fundit të jetës së tij, Buhariu vendosi të zhvendosej në Nejsabur. Atë kohë ai veçse ishte dijetar i madh. Të gjithë njerëzit e Nejsaburit shkuan për ta mirëpritur; disa madje ndërtuan tenda jashtë Nejsaburit. Një nga ta ishte Muhamed Ibën Jahja el-Dhuhli. Dhuhliu gjithashtu kishte shumë dëshirë ta takonte Buhariun dhe i inkurajonte njerëzit tamirëprisnin atë. Mirëpo gjërat ndryshuan në mënyrë drastike pasi Buhariu kaloi disa kohë atje. Popullariteti i Dhuhliut dhe dijetarëve të tjerë të Nejsaburit u zvogëlua dukshëm, ndërsa ligjëratat e Buhariut ishin gjithnjë të mbushura përplot. Më në fund, ata komplotuan kundër Buhariut duke thënë se ai besonte se “Shprehja me fjalë e Kuranit është e krijuar”. Dikush shkoi te Buhariu në ligjëratë për tu ballafaquar me të për këtë çështje. Kur e pyetën Buhariun për këtë çështje, ai refuzoi të përgjigjej, por pyetësi insistoi.

Përfundimisht, Buhariu u përgjigj duke thënë, “Kurani është fjala e Allahut, dhe nuk është e krijuar. Por veprat e robërve janë të krijuara. Dhe të pyesësh për këto çështje është risi (bidat).” Personi menjëherë e keqinterpretoi pozicionin e Buhariut dhe pohoi se Buhariu ka thënë që fjala e Kuranit është e krijuar. Dhuhliu e shfrytëzoi këtë mundësi për ta kundërshtuar Buhariun dhe tha që asnjëri nuk duhet të ulet në ligjëratat e Buhariut më, sepse ai është një bidatçi. Të gjithë, përveç Muslim Ibën el-Haxhaxh dhe Ahmed ibën Seleme, e dëgjuan Dhuhliun dhe e lanë Buhariun. Kur këta dy i braktisën mësimet e Dhuhliut, ai përfundimisht deklaroi që, “Ai njeri nuk duhej të lejohej të jetonte në këtë tokë.” Ndikimi i Dhuhliut ishte më i madh dhe Buhariu e mori këtë si vërejtje se duhej ta lëshonte Nejsaburin. Buhariu pohoi që nuk kishte dëshirë për famë ose pasuri, ose fuqi në Nejsabur dhe se ishte vetëm zilia ajo që dërgoi në dëbimin e tij nga ai qytet.


Për shkak të këtij incidenti, Imam Muslimi refuzoi të transmetonte ndonjë hadith që e kishte dëgjuar nga Dhuhliu. Në fakt, ai ia dërgoi Dhuhliut të gjitha librat e tij. Buhariu pati një qasje tjetër. Ai e dinte se Dhuhliu e kishte gabim, por të njëjtën kohë e dinte se ai ishte njeri i sinqertë dhe transmetues i besueshëm, prandaj ai i transmetoi disa nga hadithet e Dhuhliut në Sahihun e tij. Mirëpo, ai nuk i transmetoi ato me emrin Muhamed Ibën Jahja el-Dhuhli, por vetëm e quajti atë Muhamed. Ai e bëri këtë, disa thonë, që njerëzit të mos mendonin që ai i pranoi akuzat e Dhuhliut. (Për fat të keq, të dy Ebu Hatim el-Razi dhe Ebu Zara el-Razi u ndikuan nga propaganda kundër Imam Buhariut dhe e ndërprenë transmetimin e haditheve prej tij.)

Buhariu e la Najsaburin dhe u kthye në shtëpinë e tij në Buharë. Sërish, ai u mirëprit me një mikpritje të madhe dhe filloi të ligjëronte atje. Mirëpo, shqetësimet shpejtë filluan në Buharë. Kryetari i regjionit, Halid Ibën Ahmed el-Dhuhli (të mos përzihet ky me Dhuhliun tjetër që Buhariu e la në Najsabur) donte që Buhariu të shkonte në shtëpinë e tij e të ligjëronte në mënyrë private për fëmijët e tij. Buhariu refuzoi duke thënë se ishte e papranueshme për të ligjëronte privatisht për disa njerëz e të mos i lejonte tjerët të dëgjonin. Ai gjithashtu i tha të dërguarit të kryetarit, “I thuaj zotërisë tënd që unë kurrë nuk e turpëroj dijen, dhe kurrë nuk e bart atë në dyert e njerëzve. Nëse i duhem atij, le të vijë në xhaminë ose shtëpinë time.”

 


Kryetari u hidhërua dhe filloi t’i zgjonte njerëzit kundër Buhariut dhe përfundimisht ai u përzu edhe nga Buhara. Pasi e la Buharën, Buhariu pastaj u ftua në Samarkand për të ligjëruar atje. Kur ai arriti në një vend të quajtur Hartank, ai dëgjoi se kishte disa turbullira në Samarkand, dhe disa nga njerëzit atje nuk donin që Buhariu të zhvendosej atje. Në atë kohë, Buhariu bëri një dua, që siç duket ishte duaja e tij e lamtumirës, duke thënë, “O Allah, toka jote është bërë shumë e ngushtë për mua, me gjithë gjerësinë e saj. Të lus të më marrësh te Ti.” Ai mori lajmin që njerëzit në Samarkand ridiskutuan dhe donin që ai të shkonte. Pak para se ta fillonte udhëtimin, ai u sëmur dhe vdiq në natën e Bajramit të Fitrit, 256 H. Ai u varros të nesërmen në Hartank.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit