Morali i mirë duhet t’i dhurohet kujtdo

Morali i mirë nuk duhet t’u dhurohet vetëm muslimanëve, por të gjithë njerëzve; qofshin musliman apo jomusliman.

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuajuni njerëzve fjalë të mira.”[1]

Në komentin e këtij ajeti Atau dhe Ebu Xhaferi kanë thënë: “Fjalë të mira për të gjithë njerëzit.”[2] Në një shënim tjetër nga Ibn ebi Dunia (nr. 308) me sened të mirë nga Atau, transmetohet se ka thënë: “Fjalët e mira duhet të jenë për të gjithë njerëzit, qofshin idhujtarë apo të tjerë.”

Ndërsa Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë Muadhit: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”[3]

Ibn Rexhebi në librin e tij “XhamiulUlumi uel Hikem” fq. 276-277, ka thënë: “Profeti e ka porositur Muadhin kur e ka dërguar për në Jemen, në një kohë që jemenasit ishin të krishterë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi se Ibn Abasi ka thënë: “I dërguari i Allahut i tha Muadh bin Xhebelit në kohën që e dërgoi për në Jemen: ‘Me të vërtetë ti po shkon tek disa njerëz që janë prej ithtarëve të librit (të krishterë)’. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urdhëroi Muadhin të sillet mirë qoftë dhe me jobesimtarët. Hadithet që tregojnë për moralin dhe faljen që Profeti u ka bërë jobesimtarëve dhe dyfytyrëshave, janë të shumta. Një moral të tillë e kanë treguar dhe shokët e nderuar të Profetit pas vdekjes së tij, madje jo vetëm me muslimanët por edhe me ithtarët e librit. Transmetohet se Muxhahidi ka thënë: Kur therej ndonjë kafshë në shtëpinë e Abdullah bin Amirit, ai pyeste familjen e tij: a i keni dhuruar ndonjë gjë komshiut tonë çifut (e përsëriste dy herë)? Më pas thoshte: E kam dëgjuar Profetin të thotë: “Vazhdoi Xhibrili të më porosiste aq shumë për komshiun, derisa mendova se do të më trashëgonte.”[4]

Transmetohet se Abdullah bin Abasi ka thënë: “Sikur të më thoshte Faraoni: Allahu të dhëntë bereqet, do t’i thosha: edhe ty, – në një kohë kur Faraoni ka vdekur.”[5]

Gjithashtu përcillet se Ibn Abasi ka thënë: “Kthejani selamin kujtdo, çifutit, të krishterit dhe zjarrputistit, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë!” [Nisa, 87] [6]

Përsa i përket akuzës që studiuesi i librit “Es samt” në fq. 177 i ka bërë Ibn Abasit se ka gabuar, si dhe argumentimit që ai përdor se i dërguari i Allahut ka ndaluar që të fillohet përshëndetja me selam ndaj atyre që nuk janë muslimanë, them se është një kundërpërgjigje e brishtë.

Ndalimi vjen atëherë kur përshëndetja nis nga muslimani, ndërsa fjala e Ibn Abasit aludon në lejimin e kthimit të selamit, gjë që ka shumë ndryshim. Kjo përforcohet më tepër kur e dimë se Allahu i Lartësuar nuk na ka ndaluar që të tregojmë bamirësi ndaj tyre, sipas mënyrës që na e ka treguar në librin e Tij duke thënë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë, dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.”[7]

Prej ajeteve që e pohojnë më shumë këtë që thamë, është dhe fjala e Allahut të Madhëruar që thotë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob, edhe pse vetë janë nevojtarë.”[8] Në këtë ajet Allahu i Madhëruar i lavdëron ata që ushqejnë të zënët rob, e këtu përfshihet edhe jobesimtari. Dihet fare mirë se Profeti nuk ka pasur ndonjëherë robër lufte nga muslimanët në kohën kur zbritën këto ajete. Ndërsa burgjet dolën pas vdekjes së tij, siç është shprehur Ibn Abasi në tefsirin e Ibn Kethirit dhe Ikrima dhe Haseni, Allahu i mëshiroftë, në tefsirin e Ibn Xherir et Taberiut (23/544), gjithashtu këtë mendim e përkrahu dhe Taberiu, Allahu e mëshiroftë. Po ashtu u argumentua edhe me fjalët Profetit: “Kini kujdes namazin, kini kujdes namazin dhe robërit që keni në posedimin tuaj.” Ajo që duam të nxjerrim nga ky hadith është se origjina te robërit e luftës ishte se ata nuk besonin, e megjithatë Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i porosiste shokët e tij që të kishin frikë Allahun në lidhje me ta. Për më tepër shih në tefsirin e Ibn Kethirit ajetin e lartpërmendur.

——————————————————————————
[1] Suretu Bekare, 83.

[2] Përcjell Ibn ebi Dunia në librin “Es Samt” me nr. 304, Ibn Xheriri, Taberiu në tefsirin e tij (2/197) me sened të mirë.

[3] Transmeton Tirmidhiu dhe e ka bërë të mirë shejh Albani, Allahu e mëshiroftë.

[4] Transmeton Tirmidhiu me nr. 1943, dhe e saktësoi shejh Albani.

[5] Transmeton Buhariu në librin e tij “Edebul mufrad” me nr. 1113, dhe Ibn ebi Dunia në librin “Es samt”me nr. 309. Saktësoi shejh Albani në “Sahihul edebil mufrad”.

[6] Transmeton Buhariu në “Edebul mufrad” me nr. 1107, dhe Ibn ebi Dunia në “Es samt” me nr. 307 dhe 309. E ka bërë të mirë shejh Albani në “Edebul mufrad”.

7 Suretu Mumtehine, 8.

8 Suretu Insan, 8.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit