Muaji Shaban

Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)

www.al-rehaili.net

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut. Salatet dhe selamet i dërgojmë për robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Së pari: Të njohurit me muajin:

Në aspektin gjuhësor emri Shaban është marr nga she’abe që ka kuptimin e shpërndarjes apo të shfaqjes. Kjo ngaqë arabët gjatë këtij muaji shpërndaheshin gjithandej në kërkim të ujit e të kryerjes së inkursioneve, apo ngaqë ky muaj shfaqet mes dy muajve të tjerë: Rexheb dhe Ramazan.

Muaji Shaban renditet si i teti në mesin e muajve arab dhe vendin e ka mes muajit Rexheb e Ramazan. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ai është një muaj midis Rexhebit dhe Ramazanit dhe ndaj tij njerëzit tregohen të pakujdesshëm…” (Përcjellë nga imam Ahmedi, 36/85 nr. 21745 dhe nga Nesaiu, 4/171. Verifikuesit e “Musnedit” e shpallën zinxhirin e tij si të mirë).

Së dyti: Veprat e ligjësuara gjatë tij:

Shpeshtimi i agjërimit:

Është saktësuar në sunet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) shpeshtonte agjërimin gjatë këtij muaji dhe e agjëronte pjesën më të madhe të tij. Buhariu dhe Muslimi përcjellin nga Aisha (radijAllahu anha) të ketë thënë: “Nganjëherë i Dërguari i Allahut agjëronte aq shumë sa që thoshim: “Nuk do ta ndërpresë agjërimin”. Dhe nganjëherë nuk agjëronte për një kohë të gjatë, derisa thoshim: “S’ka për të agjëruar”. Unë kurrë nuk e kam parë atë të ketë plotësuar agjërimin e ndonjë muaji, përveç muajit Ramazan, dhe kurrë nuk e kam parë të agjëronte më shumë sesa në muajin Shaban.” (Buhariu, 1969 dhe Muslimi, 1156).

Ndërsa në një version tjetër që përcillet nga ajo qëndron: “Nuk e kam parë të agjëronte në ndonjë muaj më shumë sesa në muajin Shaban. Ai e agjëronte muajin Shaban të tërin; ai e agjëronte muajin Shaban, përveç një pjesë të vogël të tij.” (Muslimi 1156).

Tirmidhiu përcjellë thënien e ibën Mubarekut: “Në gjuhën e arabëve lejohet të thuhet: “E agjëroi tërë muajin” kur njeriu e agjëron pjesën më të madhe të tij.” Tirmidhiu, më tutje, tha: “Ibën Mubareku kishte mendimin se të dyja hadithet janë në përputhje me njëri-tjetrin.” (Sunen Et-Tirmidhij, 3/105).

Neveviu shënon: “Në thënien e saj: “Ai e agjëronte muajin Shaban të tërin; ai e agjëronte muajin Shaban, përveç një pjesë të vogël të tij”, pjesa e dytë e shpjegon të parën, dhe njëkohësisht sqaron se me “të tërin” kishte për qëllim pjesën më të madhe të tij.” (Sherh Sahih Muslim, 8/37). Këtë mendim e ndanë edhe ibën Haxheri (Fet’hul-Bari, 4/214-215).

Për këto dy citate të hadithit ka edhe mendime tjera, mirëpo ky është më i sakti ndër to, e Allahu e di më mirë.

Hadithet aludojnë për veçimin e këtij muaji me shpeshtim të agjërimit, mirëpo jo edhe të muajve të tjerë; andaj, kjo tregon për vlerën që e ka agjërimi i shpeshtë gjatë tij ndaj agjërimit të muajve të tjerë të vitit.

Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Agjërimi i muajit Shaban është më i mirë sesa agjërimi i muajve të shenjtë. Vepra e vullnetshme më e mirë është ajo që kryhet afër me muajin Ramazan, qoftë para apo pas tij. Kështu, pozita e agjërimit të tij (Shabanit) është e njëjtë me pozitën e suneteve të rregullta (reuatib) që e kanë karshi farzeve, qofshin ato (sunetet) para apo pas tyre. Njëkohësisht, ato janë edhe plotësuese të lëshimeve të bëra gjatë tyre (farzeve). Kështu është edhe me agjërimin para dhe pas muajit Ramazan; pra, ashtu siç sunetet e rregullta janë më të mira se nafilet (namazet e vullnetshme) e pakufizueshme, po ashtu edhe agjërimi para dhe pas muajit Ramazan është më i mirë sesa agjërimi i ditëve që janë më larg tij.” (Letaiful-Me’arif, fq. 129).

Them (shejh Ibrahimi): “E njëjtë me atë çfarë përmendi (Allahu e mëshiroftë) se, agjërimi i muajit Shaban ka pozitën e sunetit të përparmë të Ramazanit, është agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit; kështu agjërimi i tyre ka pozitën e sunetit të mëpasshëm të tij. Nëpërmjet kësaj del në pah urtësia e Ligjvënësit kur bëri të ligjshëm agjërimin e muajve Shaban dhe Sheual, dhe kur bëri që ata të jenë në pozitën e suneteve të përparme dhe mëpasshme karshi agjërimit të obligueshëm të Ramazanit, ashtu siç namazet e obligueshme kanë sunete të përparme dhe të mëpasshme të llojit të tyre.

Dijetarët nuk janë të një mendjeje lidhur me urtësinë e veçimit të muajit Shaban me shpeshtim të agjërimit, dhe kjo ndodhi si rrjedhojë e versioneve të ndryshme të përcjella rreth kësaj meseleje. Ndërkohë që versioni më i saktë është ai që e përcjellë imam Ahmedi nga Usame bin Zejd, i cili kishte thënë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh më shumë në ndonjë muaj sesa në muajin Shaban.” Ai tha: “Ai është një muaj midis Rexhebit dhe Ramazanit dhe ndaj tij njerëzit tregohen të pakujdesshëm. Gjatë tij veprat ngrihen tek Zoti i botëve, andaj kam dëshirë që veprat e mia të ngrihen duke qenë agjërueshëm.” (Përcjellë nga imam Ahmedi, 36/85 nr. 21745 dhe nga Nesaiu, 4/171. Verifikuesit e “Musnedit” e shpallën zinxhirin e tij si të mirë).

Së treti: Bidatet e shpikura gjatë tij:

1. Shpikja e namazit elfije; ai është një namaz i shpikur që falet në natën e gjysmës së muajit Shaban, dhe i ka njëqind rekate, të cilat falen bashkërisht (me xhemat). Në secilin rekat imami lexon suren El-Ihlas dhjetë herë, e, nëse do, mundet të falë dhjetë rekate dhe në secilin prej tyre, pas leximit të fatihas, të lexojë suren El-Ihlas njëqind herë. Ky është një bidat i shëmtuar.

Hoxha i Islamit, ibën Tejmije thotë: “Sa i përket hadithit që i vishet Profetit lidhur me këtë namaz të quajtur elfije, ai është një rrenë e trilluar, dhe atë sipas vendimit unanim të dijetarëve të hadithit.” (Iktidaus-siratil-mustekim, 2/146).

Ibën El-Kajjim në veprën e tij “El-Menarul-Munif”, fq. 99, shkruan: “Është për t’u habitur me atë që ka nuhatur aromën e dijes rreth suneteve, sesi mashtrohet me këto fjalë të përçarta dhe e falë këtë namaz?!”

2. Veçimi i natës së gjysmës së këtij muaji me namaz dhe i ditës së saj me agjërim, për shkak të hadithit: “Kur të vijë nata e gjysmës së muajit Shaban, faluni në të, ndërkaq ditën e saj agjërojeni.” Ky hadith është i pabazë dhe veprat duhet të jenë të mbështetura vetëm në hadithe të saktësuara. Kështu, (përmes kësaj që u përmend), doli në shesh se, veçimi i natës së gjysmës së muajit Shaban me adhurim është gjë e shpikur. Ndërsa sa i përket agjërimit të ditës së pesëmbëdhjetë, nëse bëhet më ketë qëllim (të veçimit të saj), ai po ashtu është bidat. Por, nëse agjëron për shkak të ditëve të bardha, duke ia bashkangjitur edhe dy ditë përpara, atëherë kjo është sunet, për të cilin aludojnë hadithet e sakta. Mirëpo duhet të dihet se, agjërimi i ditëve të bardha nuk është i veçantë vetëm për muajin Shaban, porse agjërimi i këtyre ditëve është i ligjshëm në çdo muaj.

3. Falja e gjashtë rekateve në natën e gjysmës së muajit Shaban me qëllim të largimit të të këqijve dhe të zgjatjes së jetës. Në këto rekate ka lexim të sures Ja Sin dhe lutje. Kjo vepër konsiderohet si bidat i shpikur, për të cilën nuk ka aluduar asnjë dëshmi fetare, përkundrazi, dijetarët treguan haptazi për shpikjen e saj.

Neveviu shënon: “Namazi i njohur në mesin e njerëzve si Salatur-Regaib, i cili përbëhet nga dymbëdhjetë rekate dhe falet mes akshamit dhe jacisë në natën e xhumasë së parë të muajit Rexheb, pastaj namazi i natës së gjysmës së muajit Shaban, i cili ka njëqind rekate, (pra) të dyja këto namaze janë bidate të këqija e të shëmtuara. Dhe s’bën të mashtrohemi për faktin se ato përmenden në librat si “Kutul-Kulub” dhe “Ihjau Ulumid-Din”, dhe as për shkak të hadithit që flet rreth tyre, ngase të gjitha këto gjëra janë të kota. Po ashtu s’bën të mashtrohemi me imamët të cilët e kishin të paqartë vendimin fetar për këto dy namaze, andaj si rezultat i kësaj ata shkruan disa fleta rreth pëlqimit të faljes së tyre. Jo, sepse ata gabuan në këtë mesele.” (El-Mexhmu’u sherhul-Muhedh-dheb, 4/56).

Salatet dhe selamet i dërgojmë për robin dhe të Dërguarin e Allahut, Muhamedin!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit