Vlera e namazit të natës

Që namazi i natës është më i vlefshmi pas namazit farz, e tregon hadithi i mësipërm që përcillet nga Ebu Hurejra.

Ibn Mesudi thotë:

“Vlera e namazit të natës krahasuar me atë të ditës, është si vlera e lëmoshës së fshehtë në raport me atë që jepet hapur. I është dhënë përparësi namazit të natës ndaj atij të ditës, sepse është më i arrirë për sa i takon fshehtësisë dhe është më afër sinqeritetit.”

Të parët tanë përpiqeshin që ta fshihnin namazin e tyre të natës. Haseni thotë:

“Ndodhte që dikush të kishte mysafirë dhe, megjithatë, ngrihej natën dhe falej pa u vënë re nga mysafirët.”

Po ashtu, ata tregonin zell të madh në dua duke mos iu dëgjuar zëri. Bënte vaki që burri flinte në të njëjtin jastëk me gruan e tij dhe qante tërë natën pa u hetuar prej gruas.

E gjithë kjo për faktin se namazi i natës është më i vështirë për shpirtin, meqë nata është për gjumë e për t’u çlodhur nga angazhimet e ditës. Prandaj, lënia e gjumit, me gjithë animin dhe dëshirën e nefsit për të, përbën një luftë të madhe me veten. Disa kanë thënë se “veprat më të dobishme janë ato në të cilat nënshtrohet nefsi”. Por edhe për faktin se meditimi duke lexuar natën është më i arrirë, pasi natën ndërpriten angazhimet dhe zemra është vigjilente; ajo bashkë me gjuhën bien në ujdi (rreth të medituarit), siç thotë i Lartësuari:

“Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm dhe fjala është më shprehëse.” (El-Muzzemmil, 6)

Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar ata që zgjohen natën për të përkujtuar Atë, për ta lutur, për të kërkuar falje prej Tij e për ta thërritur Atë.

Zoti i Lartësuar thotë:

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë. Askush nuk e di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde, 16-17)

“E që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Āl-ʿImrān, 17)

Kurse Profetit të Tij (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) i tha:

“Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë në një vend të lavdëruar.” (El-Isrā, 79)

Aishja i tha një njeriu:

“Mos e lër namazin e natës, se Profeti (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) nuk e linte asnjëherë. Kur ishte i sëmurë – ose kur ndiente plogështi – falej ulur.”

Disa nga të parët kanë thënë:

“Namazi i natës e bën më të lehtë qëndrimin e zgjatur Ditën e Kiametit. Nëse ata që falin namazin e natës do të hyjnë të parët në Xhenet pa dhënë llogari, do të kenë shpëtuar nga qëndrimi i zgjatur i dhënies llogari.”

Në hadithin që përcjell Ebu Umame dhe Bilali, – si thënie të Profetit (merfūʿan) – thuhet:

“Faleni namazin e natës, sepse kjo është tradita e njerëzve të devotshëm që ishin para jush. Namazi i natës është afrim me Allahun, shlyen të këqijat, parandalon nga mëkatet dhe përzë sëmundjen nga trupi.”

Në këtë hadith thuhet se namazi i natës sjell shëndet për trupin dhe flak sëmundjen prej tij. Po ashtu, namazi i natës ashtu siç i shlyen mëkatet, ashtu e ngre njeriun lart. Më lartë thamë se ata që falin namazin e natës do të jenë nga të parët që do hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari.

Në hadithin e njohur (hadīth ul-menām) të cilin e shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu, ku përmendet se paria më e lartë diskutojnë për ato adhurime që e ngrenë njeriun në rang të lartë dhe ia shlyejnë mëkatet. Në hadith thuhet:

“Dhënia për të ngrënë, përhapja e selamit dhe falja natën kur njerëzit flenë.”

Gjithashtu, në hadithin e njohur të Abdullah ibn Selamit, që transmetohet në Sunene, tregohet se gjëja e parë që u dëgjua prej Profetit (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) kur erdhi në Medinë, qenë këto fjalë:

“O njerëz! Jepni për të ngrënë, përhapeni selamin, ruani lidhjet farefisnore, faluni natën kur njerëzit flenë se do të hyni në Xhenet paqësisht.”

Në dy librat e saktë shënohet se Profeti (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Sa njeri i mirë që është Abdullahi ! Sikur të falej një pjesë të natës!”

Pas këtyre fjalëve, Ibn Umeri nuk flinte natën vetëm se fare pak.

Ku janë burrat e natës? Ku është Haseni, Sufjani e Fudajli?
O burra të natës, përpiquni, se lutësi nuk kthehet mbrapsht
Natën për namaz, vetëm vullneti e zelli të ngre nalt
Për banesën në varr nuk vlen asgjë më shumë se i natës namaz.

Thabiti rrëfen se “e kam përballuar namazin e natës për njëzet vjet, dhe kam përjetuar mirësinë e tij për njëzet vjet të tjera.”

Koha më e dobishme për këtë namaz është mesi i natës.

Profeti (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Namazi i natës më i mirë është ai i Davudit. Ai flinte gjysmën e parë të saj, falej në një të tretën dhe flinte përsëri në një të gjashtën (e fundit).”

Kur Profeti (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) dëgjonte gjelin (es-sariha) ngrihej për namaz. Zakonisht gjeli këndon në mesin e natës.

Nesaiu përcjell nga Ebu Dherri të ketë thënë:

“E pyeta Profetin (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) se cila është pjesa më e çmuar e natës? Ai tha: “Mesi i saj”.”

Për të dashuruarit nuk ka gjë më të lezetshme sesa kohët kur vetmohen me të Dashurin dhe i bëjnë thirrje. Ky është ilaçi i zemrave dhe kulmi i kërkesave të tyre.

Ebu Sulejmani thoshte:

“Kënaqësia e atyre që falen natën është më e madhe se e atyre që luajnë. Po të mos ekzistonte nata nuk do doja të isha në këtë botë.”

Disa të devotshëm, kur kryenin namazin e natës, në prag të agimit, ndonjëri thërriste me sa zë kishte në kokë:

“O karvan që je ndalur për të pushuar! Të gjithë natën do e kaloni në gjumë? A nuk do përgatiteni për të vazhduar udhëtimin?”

Kur njerëzit dëgjonin zërin e tij, çoheshin nga shtretërit dhe, më pas, së andejmi dëgjoje dikë që qante, ndonjë që lutej, dikë që lexonte, një tjetër që merrte abdes… dhe, kur çelte agimi, thërriste me gjithë zërin:

“Në agim njerëzit i gëzohen udhëtimit të natës (d.m.th., ai që ngrihet dhe falet natën gëzohet për namazin e tij Ditën e Kiametit).”

Haseni thotë: “Me të vërtetë ndodh që robi të bëjë një gjynah, e për shkak të tij privohet nga namazi i natës.”

Një prej selefëve ka thënë:

“Për shkak të një gjynahu që kam bërë më është mohuar namazi i natës për gjashtë muaj.”

Një herë, Profetit (sal-lall-llâhu alejhi ue sel-lem) i thanë se njëri ka fjetur deri në agim. Ai tha:

“Në veshin e tij ka urinuar shejtani.”

Seriji thotë:

“Kam vënë re se dobitë ia behin në errësirën e natës. Prandaj, shtrohet pyetja, çfarë humb ai që lë pjesën më të mirë të natës? Përgjigjja është se të shkujdesurit dhe gjumashët përjetojnë vetëm privim dhe mjerim.”

Profeti (paqja qoftë me të!) trokiste në derën e Fatimes dhe të Aliut e u thoshte:

“A nuk po faleni?”

Në një hadith thuhet:

“Kur burri ngrihet dhe zgjon gruan e tij dhe falin dy rekatë, ata shënohen në listën e atyre që e përkujtojnë Allahun vazhdimisht.”

Gruaja e Habib El-Axhemijit e zgjonte të shoqin natën duke i thënë:

“Iku nata! Përpara kemi një rrugë të gjatë dhe përgatitjet i kemi të pakta. Karvanët e të devotshëmve na kanë parakaluar, kurse ne kemi mbetur.”

O ti që i dorëzohesh gjumit, edhe sa do flesh?
Ngrihu i dashuri im, meqë takimi është afruar.
Merr prej natës dhe kohës së saj një pjesë.
Kur të përgjumurit pushojnë të harruar.[1]

________________________________________________________

[1] Nga varianti i shkurtuar i librit “Letaiful Mearif”, i Ibn Rexhebi. [Ky libër, me lejen e Allahut, shpejt do të botohet. – Përktheu nga gjuha arabe: Blerim Krasniqi]

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit