Thesare nga Kurani

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Surja El-Fatiha[1]

Surja El Fatiha është surja më madhështore në Kuran, dhe kjo për shkak të hadithit të Ebu Se’id bin El-Mu’al-la, i cili është përcjellë nga Buhariu (4474).

Kjo sure përfshinë të tri llojet e teuhdit: teuhidin rububije, teuhidin uluhije dhe teuhidin el-esmai ues-sifat.

Teuhidi er-rububije është njësimi i Allahut të Lartësuar nëpërmjet (pohimit) të veprave të Tij, si: krijimi, furnizimi, jepja e jetës dhe vdekjes dhe vepra të tjera të Allahut të Madhërishëm. Domethënë: Allahu është Një në veprat e Tij dhe nuk ka ortak (shok) në krijimin e krijesave, në dhurimin e jetës për to dhe në vdekjen e tyre.

Teuhidi el-uluhije është njësimi i Allahut të patëmeta përmes veprave të cilat i kryejnë robërit, si: lutja, frika, shpresa, mbështetja, kërkimi i ndihmës dhe shpëtimit, therja e kurbanit, etj. Pra, ata patjetër e kanë për detyrë që të gjitha ato (adhurime) t’i bëjnë sinqerisht (vetëm) për Allahun dhe të mos ia shoqërojnë Atij askënd në adhurim. Pra ashtu siç nuk ka kush që krijon, që jep jetë dhe vdekje, përveç Allahut, po ashtu nuk ka të adhuruar të vërtetë, përveç Tij.

Teuhidul-esmai ues-sifati është t’i pohohet Allahut çdo emër dhe cilësi që Ai ia ka pohuar Vetes apo që ia ka pohuar Atij i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pa shtrembërim, pa (keq) interpretim, pa i mohuar ato dhe pa u dhënë mënyrë, përngjasim apo shembull.

Ashtu siç thotë Allahu:

“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” (EshShura, 11).

Ky ajet fisnik aludon qartë për medh’hebin e Ehlu Sunetit dhe Xhematit në lidhje me cilësitë e Allahut; ky medh’heb i tyre ngrihet mbi pohim dhe mohim. Kështu, në pjesën e ajetit: “Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi” pohohen dy emra të Allahut Es-Semi’u(Gjithëdëgjuesi) dhe El-Besiru (Gjithëshikuesi), të cilët aludojnë se Allahu cilësohet me dëgjim dhe shikim. Ndërsa në pjesën: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij” mohohet ngjasimi midis Allahut të Lartësuar dhe krijesave në cilësitë e tyre. Pra, Allahu i patëmeta cilësohet me dëgjim, mirëpo jo si dëgjimi i krijesave dhe Ai cilësohet me shikim, mirëpo jo si shikimi i tyre.

Madje, ajeti i parë i kësaj sureje përfshinë të tri llojet e teuhidit. Sa i përket teuhidit uluhije, në të aludon fjala e Allahut: “Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut…” (El-Fatiha, 1), sepse adresimi i lavdërimit dhe i falënderimit tek Allahu nga ana e robërve është adhurim dhe lavdërim ndaj Tij, dhe (kjo) bën pjesë në veprat e tyre.

Ndërsa teuhidi er-rububije është në pjesën tjetër të po të njëjtit ajet: “…Zotit të botëve” (ElFatiha, 1). Kjo, ngaqë Allahu i patëmeta është Zoti, Krijuesi dhe Poseduesi (Sunduesi) i çdo gjëje, ashtu siç thotë Ai:

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni zota të barabartë me Allahun, kur ju e dini (se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet e askush tjetër)” (El-Bekare, 21-22).

Ndërkaq, sa i përket teuhidul-esmai ues-sifat, ajeti aludon në të duke qenë se përmban dy prej emrave të Allahut: Allah, i cili është në pjesën: “Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut…” dhe Zot (Rabb), që është në pjesën: “…Zotit të botëve”. Në këtë ajet, emri Zot (Rabb) ka ardhur si i ngjitur (me fjalë tjetër), ndërsa në suren Ja Sin, përmendet si i vetëm:

“Paqe!” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.” (Ja Sin, 58).

Fjala: “botëve” përfshin çdokënd përveç Allahut. Pra, Allahu i patëmeta, me qenien, emrat dhe cilësitë e Tij është Krijuesi, ndërkaq çdokush tjetër pos Tij është i krijuar. Allahu thotë duke treguar për dialogun që ngjau midis Musait dhe Faraonit:

“Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis
tyre, nëse besoni me bindje”. (Esh-Shu’ara, 23-24).

“Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”. Këta janë dy emra prej emrave të Allahut dhe tregojnë për njërën nga cilësitë e Tij, që është mëshira. I Gjithëmëshirshmi (Er-Rahman) është prej emrave me të cilët emërtohet vetëm Allahu. Ndërsa emri Mëshirëplotë/i Mëshirshëm (ErRahim), në Kuran i është dhënë edhe dikujt tjetër përveç Allahut. Allahu thotë duke e përshkruar profetin e Tij, Muhamedin:

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm (rahim) me besimtarët.” (Et-Teube, 128).

Ibën Kethiri duke e shpjeguar besmelen në fillim të sures El-Fatiha, në veprën e tij të tefsirit shënon: “Përmbledhtas: ka prej emrave të të Lartësuarit me të cilët emërtohen edhe të tjerët pos Tij, dhe ka prej tyre me të cilët emërtohet (veçohet) vetëm Ai, si emrat: Allah, Er-Rahman, El-Halik (Krijuesi), Er-Razik (Furnizuesi), etj.

Ajeti: “Sunduesit (Poseduesit) të Ditës së Gjykimit” aludon në teuhidin rububije. Allahu i Lartësuar është Zoti dhe Poseduesi (Sunduesi) i çdo gjëje. Atij i përkasin qiejt, Toka dhe gjithçka që gjendet mes tyre; Ai është Poseduesi i kësaj bote dhe botës tjetër (Ahiretit). Allahu thotë:

“Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që ato përmbajnë. Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (El-Maide, 120).

“Qoftë i bekuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!” (El-Mulk, 1).

“Thuaj:“Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?”. Ata thonë: “Allahu.” E ti thuaju: “Atëherë, përse magjepseni (mashtroheni dhe largoheni nga adhurimi i Tij)”?!” (El-Mu’minun, 88-89).

Dita e Gjykimit është dita e shpërblimit (dënimit) dhe e llogarisë. Është theksuar se Allahu është Sunduesi i kësaj dite, edhe pse Ai e posedon këtë dhe botën tjetër, ngaqë në atë ditë, të gjithë do t’i përulen Zotit të botëve. Ndryshe nga kjo botë, në të cilën kishte asi njerëz që kishin kaluar çdo kufi dhe ishin treguar mendjemëdhenj, bile kishte asi që thoshin: “Unë jam Zoti juaj më i lartë” (En-Nazi’at, 24), dhe: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (El-Kasas, 38).

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. Ky ajet aludon në teuhidin uluhije. Renditja e pasivit (Ty/Teje) para dy foljeve (adhurojmë/ndihmë kërkojmë) jep kuptimin e kufizimit/mbylljes, (jep kuptimin) se adhurimi duhet të jetë vetëm për Allahun dhe se, në gjërat që s’mund t’i bëjë askush tjetër përveç Allahut, ndihma duhet të kërkohet vetëm prej Tij. Fjalia e parë e ajetit aludon se myslimani duhet të kryejë adhurimin sinqerisht për Allahun dhe në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ndërsa fjalia e dytë aludon se myslimani, në çështjet e fesë dhe dynjasë së tij, nuk kërkon ndihmë nga askush tjetër, përveç Allahut të Madhërishëm.

“Udhëzona në rrugën e drejtë!”. Ajeti në fjalë aludon për teuhidin uluhije dhe njëkohësisht është edhe lutje. Dhe lutja është prej llojeve të adhurimit, ashtu siç thotë Allahu i patëmeta:

“Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” (ElXhinn, 18).

Kjo lutje përmban gjënë më madhështore që lypset nga njeriu: udhëzimin në rrugën e drejtë, përmes ndjekjes së të cilës arrihet dalja nga errësirat në dritë dhe triumfi me lumturinë e tëdyja botëve. Nevoja e njeriut për këtë udhëzim është më e madhe sesa nevoja e tij për ngrënie dhe pirje; sepse ushqimi dhe pirja janë pajisjet e jetës së tij kalimtare, ndërkaq udhëzimi në rrugën e drejtë është pajisja e jetës së tij të përhershme, të pakëputur. Kjo lutje përmban kërkesë për qëndrueshmëri në udhëzimin e arritur dhe kërkesë për shtimin e tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje.” (Muhammed, 18).

Dhe thotë për banorët e Shpellës:

“Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam udhëzimin.” (El-Kehf, 13).

Dhe:

“Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë.” (Merjem, 76).

Në udhëzimin në rrugën e drejtë ka ecje në shtegun e atyre që u është dhënë mirësi: profetëve, besimtarëve të sinqertë e të vërtetë, martirëve për çështjen e besimit dhe besimtarëve të mirë e të drejtë. Këta janë ata që bashkuan midis dijes dhe veprës. Pra, njeriu e lut Zotin e tij që ta udhëzojë në rrugën e drejtë, përmes së cilës Allahu u dha mirësi e u bëri nderë të dërguarve dhe evliave të Vet, dhe njëkohësisht kërkon nga Ai që ta largojë nga rruga e armiqve të Tij, të cilët kanë dije, por nuk veprojnë me të: ata janë çifutët që kanë shkaktuar zemërimin e Allahut, si dhe nga rruga e atyre që e adhurojnë Allahun me injorancë dhe devijim: ata janë të krishterët, të humburit. Hadithi i cili sqaron se ata që kanë shkaktuar zemërimin e Allahut janë çifutët dhe se të humburit janë të krishterët, shënohet nga Tirmidhiu (2945) dhe të tjerët. Ktheju nxjerrjes së hadithit në veprën e Albanit “Essilsiletus-sahihah” (3263); aty përmenden emrat e disa dijetarëve të cilët e pohuan si të vërtetë hadithin.

Ibën Kethiri gjatë shpjegimit të ajetit:“O besimtarë! Në të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgj përlajnë pasurinë e njerëzve pa të drejtë dhe i largojnë ata nga rruga e Allahut.” (Et-Teube, 34), e solli thënien e Sufjan bin Ujejnes: “Dijetari jonë (i myslimanëve) i prishur i ngjason çifutëve, ndërsa adhuruesi i prishur nga radhët tona i ngjason të krishterëve”.

Shejhu ynë, Muhamed El-Emin Esh-Shenkitij, në veprën e tij “Aduaul-Bejan” (1/53) shënon: “Edhe pse çifutët dhe të krishterët që të gjithë janë të humbur dhe që të gjithë kanë shkaktuar zemërimin e Allahut, çifutët janë ata që u veçuan me të (zemërimin e Allahut), edhe pse gjithashtu të krishterët janë pjesëmarrës me ta në të, sepse ata (çifutët) e dinë të vërtetën dhe e mohojnë atë, si dhe i qasen qëllimisht të pavërtetës. Kështu, zemërimi i Allahut me ta është prej tipareve më të veçanta të tyre. Ndërsa të krishterët janë injorantë dhe nuk e dinë të vërtetën, andaj humbja është prej tipareve më të veçanta të tyre. Duke u mbështetur në këtë mund të themi se, ajetet të cilat sqarojnë se me ata që kanë shkaktuar zemërimin e Allahut kihen për qëllim çifutët, janë: “Dhe kështu tërhoqën mbi vete zemërim përmbi zemërim!” (El-Bekare, 90). Dhe: “Thuaj: “A doni t’ju tregoj kush do të marrë dënimin më të rëndë nga Allahu? Ata që Allahu i ka mallkuar dhe me të cilët është zemëruar…” (El-Maide, 60). Gjithashtu edhe ajeti: “Ata që zgjodhën viçin për zot të tyre, do t’i zërë zemërimi i Zotit të tyre…” (El-A’raf, 152).

Po ashtu mund të themi se ajeti i cili sqaron se me të humburit kihen për qëllim të krishterët, është fjala e Allahut: “Thuaj: “O ithtarët e Librit! Mos i shkelni kufijtë e së vërtetës në besimin tuaj dhe mos ndiqni dëshirat e një populli, që gaboi më parë, nxori prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë u shmang nga udha e drejtë”. (El-Maide, 77).”

Përmes fjalëve që u thanë deri më tani, na bëhet e qartë se surja El-Fatiha, në disa vende të saj, përfshinë të tri llojet e teuhidit: teuhidin rububije, teuhidin uluhije dhe teuhidin el-esmai uessifat. Ka prej dijetarëve që teuhidin e ndajnë në dy lloje: në teuhidul-ma’rifeti uel-ithbat (teuhidi i njohjes dhe pohimit), i cili përfshinë teuhidin rububije dhe teuhidin el-esmai ues-sifat, dhe në teuhidut-talebi uel-kasd (teuhidi i kërkimit dhe qëllimit), i cili është teuhidi uluhije. Mirëpo s’ka kundërshti midis ndarjes dypjesëshe dhe asaj trepjesëshe.

Ibën Ebil-‘Izz El-Hanefij në komentarin e Akides Tahauije (42-43) shkruan: “Teuhidi, drejt të cilit thërritën të dërguarit e Allahut dhe me të cilin zbritën librat e Tij, është dy llojesh: teuhidul-ithbat uel-ma’rifeti – dhe teuhidut-talebi uel-kasd.

I pari është: pohimi i realitetit të qenies së Zotit të Lartësuar dhe i realitetit të cilësive, veprave dhe emrave të Tij. Në të gjitha ato askush nuk i shëmbëllen Atij, ashtu siç Ai tregoi për Veten dhe tregoi i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për Të. Kurani e ka theksuar mjaft qartë këtë lloj (të teuhidit), siç përmendet në fillim të sureve El-Hadid dhe Ta Ha, pastaj në fund të sures El-Hashr, gjithashtu në fillim të sureve Es-Sexhde dhe Al I’mran, si dhe në tërë suren ElIhlas, etj.

I dyti është si përmbajtja e sures El-Kafirun, e ajetit: “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush…” (Al I’mran, 64), e fillimit dhe fundit të sures Es-Sexhde, e fillimit, mesit dhe fundit të sures Junus, e fillimit dhe fundit të sures El-A’raf,si dhe përmbajtja e një pjese të madhe të sures El-En’am.

Pjesa më e madhe e sureve të Kuranit, bile çdo sure e tij, përmbajnë të dy llojet e teuhidit.

Kjo ngaqë Kurani ose lajmëron për Allahun, për emrat, cilësitë dhe veprat e Tij, dhe ky është etteuhid el-ilmij el-haberij (teuhidi i dijes dhe lajmërimit); ose thërret drejt adhurimit vetëm të Allahut e askujt tjetër dhe drejt braktisjes së çdo gjëje që adhurohet përveç Tij, dhe ky është etteuhid el-iradij et-talebij (teuhidi i qëllimit dhe kërkimit); ose urdhëron e ndalon dhe i detyron njerëzit me bindje (ndaj Tij), dhe kjo është prej të drejtave të teuhidit dhe plotësuesve të tij; ose
lajmëron për nderimin e Allahut ndaj njësuesve të Tij, për atë se si i ndihmoi (shpërbleu) në dynja dhe si do t’i nderojë në jetën e pastajme, dhe ky është shpërblimi i teuhidit; ose lajmëron për ithtarët e shirkut, për ndëshkimin e tyre në këtë botë dhe për dënimin që do t’i përfshijë në jetën tjetër, dhe ky është “shpërblimi” për atë që del nga rrethi i teuhidit. Pra, i tërë Kurani flet për teuhidin, për të drejtat dhe shpërblimin e tij, si dhe për shirkun, për ithtarët e tij dhe për “shpërblimin” e tyre.

Kështu, (ajeti): “Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve” është teuhid. “Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit” është teuhid. “Sunduesit (Poseduesit) të Ditës së Gjykimit” është teuhid. “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” është teuhid. “Udhëzona në rrugën e drejtë!” është teuhid që përmban kërkimin e udhëzimit në rrugën e ithtarëve të teuhidit, të cilëve u është dhënë çdo e mirë. “…e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” këta janë ata që e kanë lënë anash teuhidin.”

Për shkak të pozitës së lartë që gëzon surja El-Fatiha, për shkak të përfshirjes së saj të teuhidit (njësimit) të Allahut në zotërimin, në adhurimin dhe në emrat e cilësitë e Tij, për shkak se në të ka kërkim të udhëzimit në rrugën e drejtë, për të cilën njeriu ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër dhe domosdoshmëria e tij për të është mbi çdo domosdoshmëri tjetër, (pra për shkak të të gjitha këtyre) është ligjësuar këndimi i saj në të gjitha rekatet e namazit.

Në “Sahih”-un e Buhariut (756) dhe të Muslimit (393) përcillet nga Ubade bin Es-Samit (radijAllahu anhu) se, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“S’ka namaz për atë që nuk e këndon Fatihatul-Kitab”.

Në “Sahih”-un e Muslimit (878) përcillet nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte thënë:

“Kushdo që falë ndonjë namaz pa e kënduar në të Ummul-Kuran-in, namazi i tij është i mangët – këtë e tha tri herë – jo i
plotë.”

Ebu Hurejres iu tha: “Si të veprojmë kur të falemi pas imamit?” Ai u përgjigj: “Lexoje në veten tënde (heshtazi), sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë:

“Allahu i Lartësuar ka thënë: “E kam ndarë namazin midis Meje dhe robit Tim në dy pjesë, dhe robit Tim i përket ajo çfarë kërkon. Kështu, kur robi thotë: “Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve”, Allahu thotë: “Robi Im më falënderoi”. Kur të thotë: “Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”, Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi”. Kur të thotë: “Sunduesit (Poseduesit) të Ditës së Gjykimit”, Allahu thotë: “Robi Im më madhëroi” (Muslimi e shton edhe këtë) ndërsa herën tjetër thotë: “Robi Im i dorëzoi të gjitha çështjet e tij tek Unë”. Kur të thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, Allahu thotë: “Kjo është mes Meje e robit Tim, dhe robit Tim i përket ajo çfarë kërkon”. Kur të thotë: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”, Allahu thotë: “Kjo është për robin Tim dhe robit Tim i përket ajo çfarë kërkon”.

Kuptimi i fjalës së Allahu në këtë hadith kudsij: “Kur të thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, Allahu thotë: “Kjo është mes Meje e robit Tim, dhe robit Tim i përket ajo çfarë kërkon”: fjalia e parë e ajetit: “Vetëm Ty të adhurojmë” përmban adhurim dhe ai është për Allahun. Ndërsa fjalia e dytë përmban kërkim të ndihmës nga Allahu, dhe se Ai i bënë nderë njeriut duke ia dhënë atë çfarë kërkon.

Shejhu ynë, Muhamed El-Emin Esh-Shenkitij, e mori suren El-Fatiha si dëshmi për vlefshmërinë e kalifatit të Ebu Bekrit (radijAllahu anhu). Në veprën e tij “Aduaul-Bejan” (1/51) ai shkruan: “Nga ky ajet fisnik merret vlefshmëria e imamatit (udhëheqjes) të Ebu Bekr EsSidikut (radijAllahu anhu), ngaqë ai është prej atyre, për të cilët në suren El-Fatiha, Allahu na
urdhëroi të kërkojmë nga Ai që të na udhëzojë rrugës së tyre. Andaj kjo aludon se rruga e tyre është es-siratul-mustekim (rruga e drejtë), dhe kjo në fjalën e Tij: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi”. Allahu qartësoi se kush janë ata që u ka dhuruar mirësi dhe në mesin e tyre përmendi edhe Es-Sid-dikun-ët (besimtarët e vërtetë e të sinqertë), ndërkohë që Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sqaroi se Ebu Bekri (radijAllahu anhu) është prej tyre.

Kështu, përmes kësaj qartësohet se ai është prej atyre që Allahu u ka dhënë mirësi dhe për të cilët, Allahu na urdhëroi të kërkojmë prej Tij që të na udhëzojë rrugës së tyre. Dhe kështu s’mbetet asnjë paqartësi për atë se Ebu Bekri (radijAllahu anhu) ishte në rrugën e drejtë dhe se imamati i tij ishte i vërtetë (vlefshëm/me të drejtë).”

Shejh AbdulMuhsin El-Abbad (Allahu e ruajt)

Shkëputur nga libri i tij: “Thesare nga Kurani fisnik”

Përktheu: Petrit Perçuku

_______________________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Thesare nga Kurani fisnik” i shejhut të nderuar AbdulMuhsin Abadit (Allahu e ruajt). Libri është duke u përkthyer dhe me lejen e Allahut do të botohet së shpejti!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit