18. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Mos ndërhyj në zemrat e njerëzve!

Mekhuli (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pashë një njeri duke u falur dhe sa herë që binte në ruku e sexhde, qante. E akuzova se këtë po e bënte vetëm sa për t’u dukur para njerëzve. Pas kësaj, për një vit me radhë nuk mund të qaja.” (El-Hilje, 5/184).

  • Mu’adh ibn Xhebelit (radijAllahu anhu) ka thënë:

“Kini frikë Allahun dhe tejkalojuani njerëzve në rrugën drejt Allahut! Le t’ju mjaftojë shtëpia juaj! Nuk dëmtoheni asgjë edhe nëse s’ju njeh askush.” (Tarih Dimeshk, 58/483).

-Theur ibn Jezidi thotë: “Kur Mu’adh ibn Xhebeli falej natën, lutej më këto fjalë: “O Allah! Sytë i zuri gjumi dhe yjet perënduan, ndërsa Ti je i Gjallë, i Përjetshëm e Mbajtës i çdo gjëje! O Allah! Kërkimi im i Xhenetit është i ngadaltë dhe ikja ime nga Zjarri është e dobët. O Allah! Më jep udhëzim nga ana Jote, të cilin do të ma kthesh në Ditën e Kiametit! Vërtet, Ti nuk e shkel premtimin!” (Tarih Dimeshk, 58/483)

  • Disa nga selefët (gjeneratat e para të muslimanëve) thoshin: “Allahu e zbriti Kuranin që të punohet me të, ndërkaq njerëzit leximin e tij e konsideruan punim me të.” (Ed-Da’u ued-Deua’, fq. 221).

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej shenjave të largimit të Allahut nga njeriu është kur e angazhon me gjëra që nuk i hyjnë në punë.” (Et­-Temhid, 9/200).

  • Ijas ibn Mua’vije (Allahu e mëshiroftë) tha: “Njeriu, i cili nuk i di të metat e veta është budalla.”Cila është e meta jote” – e pyetën. “Të folurit e tepërt.” – tha ai. (El-Hilje, 3/124).

  • Talha ibn Ubejdullah El-Bagdadij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Më rastisi të isha në të njëjtën anije me Ahmed ibn Hanbelin. Ai heshtte gjatë dhe kur fliste thoshte: “O Allah, bëna që të vdesim në Islam dhe në Sunet!” (Tarih Bagdad, 9/354 dhe Tarih Dimeshk, 5/323).

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në fillim bidatet janë sa pëllëmba, pastaj ndiqen aq shumë derisa të bëhen kute, milje e ferasih.” (Mexhmu’ul-Fetaua, 8/425).

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shejtani është zjarr që i djeg bimët e njoma njërën pas tjetrës. Kështu, kurdo që vëren se në zemër ka zënë vend bima e mirësisë, nxiton në prishjen dhe djegien e saj.” (Igathetul-Lehfan, 1/92).

  • Nëse e lut Allahun për ta mundësuar arritjen e Ramazanit, mos harro ta lutësh edhe që të japë bereqet në të, sepse qëllimi nuk është arritja e tij, por çfarë do të veprosh në atë muaj.

  • Hasen ibn Alij (radijAllahu anhuma) thotë: “Sikur dikush të më fyente në njërin vesh, pastaj të më kërkonte falje në tjetrin, do t’ia pranoja kërkimin e faljes.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, ibn Muflih, 1/302).

  • Shekik ibn Ibrahim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Janë gjashtë gjëra që njerëzve ua mbyllin derën e suksesit: angazhohen me begatinë në vend të falënderimit për të, dëshirojnë të kenë dije, mirëpo nuk veprojnë me të, nxitojnë drejt mëkatit dhe njëkohësisht e vonojnë pendimin, mashtrohen me atë se janë duke u shoqëruar me  njerëz të mirë, mirëpo nuk i pasojnë në  veprat e tyre, jeta e kësaj bote iu largohet ndërkaq ata e ndjekin, jeta e përhershme iu afrohet ndërkaq ata ia kanë kthyer shpinën.” El-Feuaid, ibn Kajjimi, fq. 231.

  • Imam El-Meruedhij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pyeta imam Ahmedin: “Si u zgjove sot?” Ai më tha: “A mund të zgjohet mirë njeriu që Zoti i tij i kërkon kryerjen e obligimeve; i Dërguari i kërkon zbatimin e Sunetit; dy engjëjt i kërkojnë përmirësimin e veprave; shpirti i kërkon pasimin e epshit; Iblisi i kërkon që të bëjë vepra të ndyta; engjëlli i vdekjes pret urdhrin për t’ia marrë shpirtin dhe anëtarët e familjes presin nga ai furnizimin?” (Es-Sijer, 11/227).

  • Imam ibn El-Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur ta vëresh se shoku yt është zemëruar dhe ka filluar të flasë gjëra që nuk bën të fliten, mos ia zërë për të madhe dhe mos i kërko llogari për to, sepse gjendja e tij është e ngjashme me gjendjen e të dehurit, i cili nuk di se ç’është duke ndodhur. Përkundrazi, duro ndaj shpërthimit të tij dhe mos i kushto vëmendje, ngaqë shejtani e ka mposhtur, natyra (karakteri) i ka gufuar dhe mendja i është mbuluar. Nëse ti mban në vetvete diçka kundër tij, apo i përgjigjesh në bazë të veprës së bërë, atëherë je i ngjashëm me një të mençur që i kundërvihet një budallai, apo me një të kthjellët që e qorton atë që i ka rënë të fikët. Pra, në këtë rast, gabimi është i yti.” (Sajdul-Hatir).

  • Imam El-Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Asgjë prej gjërave të kësaj bote nuk mund ta prishë dashurinë e atyre që duhen për hir të Allahut. Kjo sepse ata duhen vetëm për hir të Tij dhe vetëm vdekja është ajo që i ndanë. Edhe nëse njëri prej tyre gabon ndaj tjetrit, apo i hyn në hak, e tërë kjo nuk i brengos, ngaqë ata duhen vetëm për hir të Allahut.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 3/363).

  • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shumica e njerëzve nuk e kanë frikë Allahun në arritjen e përfitimit dhe riskut, edhe pse i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thoshte: “O njerëz! Vërtet, askush nga ju s’do të vdesë derisa t’i plotësohet (përfundojë) risku dhe exheli. Andaj, kërkojeni riskun me rrugë të lejuara, sepse ajo që gjendet tek Allahu nuk arrihet me haram.” Ashtu siç thotë Allahu: “Kur t’u vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (El-A’raf, 34). Mirëpo, me gjithë këto urdhra fetarë dhe me tërë këto garanci nga Zoti se njeriut do t’i vijë risku, deshi apo nuk deshi, ne prapëseprapë preokupohemi me të, deri në atë shkallë ku nuk pyesim se a është haram apo hallall. Ndërkaq, qëllimin për të cilin jemi krijuar: të adhurojmë Zotin tonë, e kemi hedhur tërësisht pas shpine. Kështu, ti i sheh muslimanët sot sikur të ishin jobesimtarë; punojnë natë e ditë për të arritur atë që është e garantuar, ndërkaq e shpërfillin atë për të cilin janë krijuar, e që është adhurimi i Allahut të Madhërishëm.” (El-Huda ue En-Nur, 4).

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshirotë) thoshte: “Njerëzit të tremben dhe ke pozitë tek ta, aq sa ti i trembesh Allahut.” (El-Hilje, 2/361).

  • Imam El-Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse vëren se koha dhe jeta po të shkojnë pa arritur asnjë rezultat të dobishëm dhe nëse sheh se nuk ke bereqet në kohë, atëherë ruaju se mos të ka përfshirë Fjala e Allahut: “Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta dhe punët e të cilit janë të shkapërderdhura (të pa bereqetshme).” (El-Kehf, 28) Disa e përmendin Allahun me zemër jo të pranishme, andaj, ndodh që nuk përfiton asgjë. Njeriut, i cili e përmend Allahun vetëm me gjuhë e jo dhe me zemër, i hiqet bereqeti nga veprat dhe koha e tij, derisa në atë shkallë ku punët i shkapërderdhen gjithandej. E sheh sesi mundohet me orë të tëra, por nuk arrin asgjë. Mirëpo, sikur çështjet e tij t’i kishte të lidhura me Allahun, do të arrinte bereqet në të gjitha punët e veta.” (Komenti i sures El-Kehf).

  • Uehb ibn Munebbih (Allahu e mëshiroftë) u pyet: “A nuk është “la ilahe il-lAllah” çelësi i Xhenetit?”Gjithsesi“- tha ai. “Mirëpo, nuk ka çelës pa dhëmbë. Andaj, nëse ke çelës me dhëmbë, të hapet dera. Në të kundërtën, jo.” (Buhariu në Sahih, 1237 dhe në Et-Tarih El-Kebir, 261)

  • Abdullah ibn Mubareku (Allahu e mëshiroftë) e pa një shok të tij duke menduar gjatë, andaj e pyeti: “Ku arrite?”  Ai i tha: “Te Sirati.”  (Miftahu Daris-Se’adeh, 1/180).

  • Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajt): “Dallim i madh mes atij që me mendimet e veta, nga frika e droja arrin te Sirati, dhe mes tjetrit që me mendimet e tij noton e zhytet në humnerën e pafund të pisllëqeve dhe mëkateve.” (www.al-badr.net).

  • Hoxha i Islamit Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e shpeshton dëgjimin e poemave, duke kërkuar me këtë përmirësimin e zemrës, i zbehet dëshira për të dëgjuar Kuranin, madje ndodh që edhe e urren.”

“Kush i shpeshton vizitat drejt tyrbeve e teqeve, në zemrën e tij nuk mbetet dashuria dhe madhërimi për vizitën e Qabesë së shenjtë, ashtu siç e ka në zemër një gjë të tillë ai i cili mjaftohet me Sunetin.”

“Kush e bën shprehi marrjen e urtësisë dhe edukatës prej urtarëve persë e romakë, në zemrën e tij zbehet pozita e urtësive dhe edukatës islame.”

“Kush e bën shprehi leximin e tregimeve mbi mbretërit dhe jetëshkrimin e tyre, në zemrën e tij pakësohet vëmendja ndaj tregimeve të Pejgamberëve. Shembuj të ngjashëm me këta ka shumë.” (Iktida Es-Sirat El-Mustekim, 1/543).

  • Imam Ebu Zur’ah (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pyeta Ahmed ibn Hanbelin (Allahu e mëshiroftë): “Si shpëtove nga shpata e Mu’tesimit dhe kamxhiku i Uathikut?” Ai ma ktheu:  “Sikur e vërteta të vihej mbi ndonjë plagë, ajo do të shërohej.”  (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, 2/25).

  • Parime dhe rregulla që i duhen muslimanit në kohë të fitneve e trazirave:

-Mos i ndiq emocionet, por kufizoji ato brenda fesë.

-Konfirmo lajmet që të vijnë dhe mos u ngut.

-Kujdes nga injoranca dhe përkushtohu në marrjen e dijes.

-Gjatë kundërshtive assesi mos ec pas të vegjëlve, por mbahu me dijetarët e mëdhenj.

-Kujdes nga gjërat e shpikura (bidatet) dhe kapu pas Sunetit.

-Assesi mos iu afro fitnes, por shmangu nga ajo.

-Pengimi i fitnes është më i lehtë sesa largimi i saj.

-Kujdes nga pasimi i tekave kur të marrësh fetua, por merre atë që e ndriçon argumenti.

-Nëse je xhemat i thjeshtë, ki kujdes nga marrja e fetuasë sepse të pëlqen, por ndiqe atë që është më i ditur.

-Kujdes nga ndërrimi i mendimeve e qëndrimeve, por ji i paluhatshëm në fe nëpërmjet dritës së Kuranit dhe Sunetit.

-Mos i kundërshto tekstet fetare me dëshirat e tua, por ajo që e dëshiron le të jetë në pajtim me Kuranin dhe Sunetin.

-Kujdes nga përçarja dhe kapu pas xhematit (Ehlu Sunetit).

-Kujdes nga padrejtësia, sherri e ndëshkimi dhe qëndro me drejtësinë, mirësinë dhe me ithtarët e tyre.

-Mos i kërko fitnet, por mbrohu me Allahun nga të këqijat e tyre.

-Mos u mashtro nga hijeshimi që i bëhet fitneve, por shiko realitetin e tyre me largpamësinë e besimtarit.

-Kujdes nga tejkalimi i kufijve dhe mbaju mesatares.

-Kujdes nga sjelljet e këqija dhe kthejua të drejtat atyre që ju takojnë.

-Kujdes nga shkurtpamësia dhe njihe të vërtetën në origjinë, si dhe në gjurmët që dalin prej saj. Shejh Sulejman Er-Ruhajlij (Allahu e ruajttë) | (Komenti i Sahihut të Muslimit, kapitulli i fitneve dhe shenjave të Kiametit, kaseta nr. 24).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit