Në dritën e Kur’anit dhe Sunetit

2. Këshilla të dobishme

Fotoja

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Është afruar Kiameti, ndërkohë që njerëzit vetëm se po e shtojnë lakminë ndaj dynjasë dhe po largohen edhe më tej nga Allahu.” Sahih El-Xhami’, 1146.

  • Imam ibn Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej urtësisë është përdorimi i butësisë në raport me besimtarët dhe në thirrjen e jobesimtarëve drejt Islamit.” Tejsir El-Letif El-Mennan, 312.

  • Imam ibn Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Varfëria e vërtetë është kur njeriu s’ka punë të mira.” Mexhmu’u muel-lefatihi, 6/178.

  • “Kujdes e mos u shfaq para njerëzve se i frikohesh Allahut, ndërkohë që zemrën e ke të prishur!” El-Akd El-Ferid, ibn Abdu Rabbihi El-Endelusij.

  • Sulejman Et-Tejmij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse punon sipas lehtësimeve apo gabimeve të çdo dijetari, atëherë tek ti do të mblidhet tërë e keqja.” Hiljetu El-Evlija’, 3/32.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e sheh se nuk po i hapet zemra dhe nuk po mundet të arrijë ëmbëlsinë e besimit dhe dritën e udhëzimit, le të shpeshtojë pendimin dhe kërkimin e faljes tek Allahu.” El-Fetaua El-Kubra, 5/62.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ti tani je në një gjendje kur ke hapësirë veprimi. Ndaj shfrytëzoje kohën dhe për çdo ditë caktoja vetes nga një pjesë të Kuranit për ta lexuar. Caktoja vetes një kohë për punë të mira. Zgjohu në fund të natës, madje edhe gjysmë ore para sabahut, lutju Zotit dhe thirre Atë me zë të ulët, sepse Ai (në atë kohë) zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: “A kush që më lutet, e t’i përgjigjem? A ka kush që kërkon nga Unë, e t’ia jap? A ka kush që kërkon falje prej Meje, e ta falë?” Buhariu dhe Muslimi |Sherh El-Kafije Esh-Shafije, 4/380.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu i Patëmetë ka bërë nga një çelës për hapjen (arritjen) e çdo synimi:
    • çelësi i namazit është abdesi,
    • çelësi i haxhit është ihrami,
    • çelësi i mirësisë është vërtetësia,
    • çelësi i Xhenetit është teuhidi (besimi në njësinë e Allahut),
    • çelësi i dijes është pyetja e parashtruar bukur,
    • çelësi i triumfit është mposhtja dhe durimi,
    • çelësi i shtimit të të mirave është falënderimi ndaj Allahut,
    • çelësi i arritjes së miqësisë së Zotit është ta duash dhe ta përmendësh Atë,
    • çelësi i shpëtimit është devotshmëria,
    • çelësi i suksesit është frika ndaj Allahut dhe shpresa në Të,
    • çelësi për arritjen e përgjigjes është lutja drejtuar Atij,
    • çelësi për zemër të gjallë është meditimi i Kuranit dhe përgjërimi ndaj Allahut në pjesën e fundit të natës,
    • çelësi për furnizim është puna së bashku me kërkimin e faljes dhe devotshmërinë,
    • çelësi i krenarisë është bindja ndaj Allahut,
    • çelësi i çdo të keqe është dashuria ndaj jetës së kësaj bote dhe shpresat e mëdha.” Hadi’ El-Erua’h, 100.

  • Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet se të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i thanë: “O i Dërguar i Allahut, lutu kundër idhujtarëve!” Ai tha: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por si mëshirë.” Muslimi, 2599.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kur Allahu i krijoi krijesat, shkroi në një libër që është tek Ai, sipër Arshit: “Vërtet, mëshira Ime e mund zemërimin Tim.” Muttefekun alejhi.

  • Imam ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush dëshiron që mos t’i ndërpriten veprat pas vdekjes, le të shpërndajë dijen.” Et-Tedhkire, 55.
  • Dijetari i madh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Vënia e dorës mbi mus’haf gjatë betimit, nuk ka kurrfarë baze në fe, por është vepër që e bëjnë njerëzit e rëndomtë.” Sherh Igatheti El-Lehfan.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Rreth meselesë se “çdo bidat (shpikje) në fe është devijim dhe ndalohet”, ka njëzëshmëri mes sahabëve dhe gjeneratave të para të muslimanëve.” El-Iktida’, 1/64.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u pyet për atë që më së shumti i fut njerëzit në Xhenet, ai tha: “Frika ndaj Allahut dhe morali i mirë.” Pastaj u pyet për atë që më së shumti i fut njerëzit në zjarr, ai u përgjigj: “Goja dhe organi gjenital.” Es-Sahiha, 977.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu e kundërshton epshin, i forcohet trupi, zemra dhe gjuha e tij.” Reudatu El-Muhibbine, 477.

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk jemi goditur nga këto fatkeqësi që po i përjetojmë sot, veçse për shkak të mëkateve tona.” Sherh El-Akide Es-Sifarinijje, 619.

  • Imam Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu më shumë ka nevojë për dije sesa për bukë e mish.” Hiljetu El-Evlija’, 7/56.

  • Kur dikush e pyeste imam Muhamed ibn Sirinin (Allahu e mëshiroftë) për shpjegimin e ndonjë ëndrre, i thoshte: “Ki frikë Allahun kur je zgjuar, nuk të bën dëm ajo që e ka parë në ëndërr.” Hiljetu El-Evlija’, 2/273.

  • Imam ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) thotë për Aishen (radijAllahu anha): “Nuk dihet që ndonjë femër e këtij ummeti te ketë arritur dijen që e arriti ajo.” El-Fusul, 305.

  • Muhamed ibn Uasi’ (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush kthehet me zemër drejt Allahut, Ai i kthen zemrat e besimtarëve drejt tij.” Hiljetu El-Evlija’, 2/345.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mëkatari është gjithmonë në robëri të shejtanit, në burg e pranga të pasioneve dhe të epshit. Pra, ai është i robëruar, i burgosur dhe i lidhur me pranga.” Ed-Da’u ue Ed-Deua’, 190.

  • E pyetën Hudhejfe ibn Jemanin (radijAllahu anhu): “Cila sprovë është më e rënda?” Ai tha: “Kur ty të shfaqen e mira dhe e keqja dhe nuk di se cilën duhet pasuar.” Musannef ibn Ebi Shejbe.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush e lut Allahun tri herë për t’ia dhënë Xhenetin, ai (Xheneti) thotë: “O Allah, fute në Xhenet!” Kush kërkon mbrojtjen e Allahut nga zjarri tri herë, ai (zjarri) thotë: “O Allah, ruaje nga zjarri!” Sahih En-Nesai’, 5536.

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të shohësh dikë sesi tregohet koprrac ndaj anëtarëve të familjes, atëherë dije se veprat mes tij dhe Allahut i ka edhe më të këqija.” Hiljetu El-Evlija’, 6/178.

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, ata i shmangin të tjerët nga rruga e drejtë, ndonëse mendojnë se janë të udhëzuar drejt.” (Ez-Zuhruf, 37) Salih Es-Sindij (Allahu e ruajttë) thotë: “Largimi i të tjerëve nga Islami është një krim i madh. Prej formave më të këqija të largimit të njerëzve nga Islami, është shëmtimi i imazhit të tij në sytë e botës.”

  • Rreth ajetit kuranor: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” El-Insan, 9. Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush kërkon nga të varfrit lutje apo falënderim, nuk përfshihet në këtë ajet.” Mexhmu’u El-Fetaua, 11/111.

  • Rebi’ ibn Huthajm (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo gjë që nuk bëhet për hir të Allahut, në fund do të prishet.” Tabekat ibn Sa’d, 6/186.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse shikon gjendjen e shumicës së atyre që janë në agoni të vdekjes, gjen se ata pengohen nga përfundimi i lumtur si ndëshkim për veprat e tyre të këqija që i kanë bërë.” Ed-Da’u ue Ed-Deua’, 386.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari është i urdhëruar të kryejë obligimet, të largohet nga haramet dhe të durojë ndaj caktimeve të Allahut.” Et-Tedmurijje, 322.

  • Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) thotë: “Kur njeriu kryen mëkate fshehtazi, Allahu i Madhërishëm vendos urrejtje ndaj tij në zemrat e besimtarëve, prej nga ai nuk e pret fare.” Hiljetu El-Evlija’, 1/215.

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur Allahu ia do të mirën njeriut, ia bën të dashur përmendjen e Tij.” Hiljetu El-Evlija’, 3/107.

  • Sehl ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpëtimi është tek tri gjëra: ngrënia e hallallit, kryerja e obligimeve dhe pasimi i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” Tefsir El-Kurtubij, 2/208.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dënimi për secilin popull ishte varësisht nga mëkatet dhe krimet e tyre.” Mexhmu’u El-Fetaua, 16/250.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ehlu Suneti janë më të diturit për të vërtetën dhe më të mëshirshmit me krijesat.” Minhaxh Es-Sunne, 5/158.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva