Vendimi mbi depozitimin e parave në bankat e kamatarisë

Autori : Shejh AbdulAziz bin Baz

Pyetje: A i lejohet personit që ka një sasi të caktuar të hollash t’i depozitojë ato në ndonjërën prej bankave, me qëllim që t’i ruajë e t’i sigurojë, ndërkohë që ua nxjerrë zekatin sa herë që u vjen koha? Na jepni përgjigje, Allahu u shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Nuk lejohet sigurimi (i të hollave) në banka të kamatarisë, edhe në qoftë se nuk merr fajde, ngaqë me këtë u ndihmon atyre në kryerjen e mëkateve dhe të armiqësisë. Dhe Allahu i patëmeta ka ndaluar nga një gjë e tillë.

Mirëpo nëse detyrohet për këtë dhe nuk gjen vend për të ruajtur të hollat e tij, përveçse në bankat e kamatarisë, atëherë s’ka gjë të keqe në të, inshaAllah, për shkak të domosdoshmërisë. Allahu i patëmeta thotë: “…kur Ai tashmë jua ka shpjeguar ç’është e ndaluar, përveçse kur jeni në shtrëngesë?!” (El-En’am, 119). Mirëpo, në momentin që gjen bankë islamike apo vend të sigurt në të cilin nuk ka ndihmë të ndërsjellë në mëkate dhe armiqësi, ai e deponon pasurinë e tij në të dhe nuk i lejohet që ta deponojë atë në bankën e kamatarisë.

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Fetaua el-islamijjeh (2/397)

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit