9. KËSHILLA TË DOBISHME

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndryshku (prishja) e zemrës vjen nga dy gjëra: nga shkujdesja dhe mëkati. Nddërsa pastrimi i saj bëhet me dy tjera: me kërkim të faljes dhe përmendje të Allahut.” El-Uabil Es-Sajjib, 40.

  • Ibn Kajjmi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu ka bërë shkak për çdo gjë dhe ka bërë që shkak për dashurinë e Tij të jetë dhikri i vazhdueshëm. Andaj, kush dëshiron të arrijë dashurinë e Allahut të Madhërishëm, le ta përmendë vazhdimisht Atë.” El-Uabil Es-Sajjib, 43.

  • Dijetari i madh ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu e ka për detyrë të mësojë për fe dhe të durojë në kërkimin e dijes, në mënyrë që njohuritë t’i ketë të ngritura mbi argumente dhe ta njohë fenë e Allahut për të cilën u krijua.” Sherh Thelatheti El-Usul, 11

  • Allahu thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë.” Jusuf, 108. Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Patjetër duhet të kesh dije. Dija është obligim. Ki kujdes dhe mos i thirr njerëzit në fe pa pasur dije, ki kujdes dhe mos flit për gjëra që nuk i di. Injoranti rrënon dhe nuk ndërton, prish dhe nuk rregullon. Andaj, o rob i Allahut, ki frikë Atë! Ki kujdes dhe mos fol për Allahun pa dije!” net.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë imamët e fesë janë të një mendjeje se nuk lejohet ndërtimi i xhamisë mbi varr, sepse i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ata që ishin para jush i bënin varret xhami. Vini re! Ju mos i bëni varret xhamia, sepse unë ju ndaloj nga një gjë e tillë!” Po ashtu, ata janë të një mendjeje se nuk lejohet varrosja e të vdekurit brenda në xhami. E, nëse xhamia është ndërtuar më përpara, atëherë varri duhet të hiqet ose nëpërmjet rrafshimit, ose largohen mbetjet e kufomës nëse varri është i ri. E nëse xhamia është ndërtuar pas varrit, atëherë ose rrënohet xhamia, ose rrënohet pamja e varrit, ngaqë nuk lejohet falja e namazit në xhaminë e ndërtuar mbi varr, qoftë ai i obligueshëm, apo vullnetar.” Mexhmu’u El-Fetaua, 22/194-195.

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse njeriu nuk prezanton nëpër ligjërata fetare, nëse nuk i dëgjon hytbet dhe nuk i kushton vëmendje fjalëve të dijetarëve, atëherë i shtohet shkujdesja dhe ndodh që edhe i ngurtësohet zemra derisa t’i vuloset, dhe kështu bëhet nga të shkujdesurit.” Mexhmu’u El-Fetaua, 12/324.

  • Muaji Muharrem është prej muajve të shenjtë, pozitën e të cilëve Allahu e ngriti lartë. Andaj, besimtari duhet të respektojë dhe madhërojë atë që Zoti e tij e bëri të respektueshëm e të madhëruar. Është e pëlqyeshme që gjatë këtij muaji të shpeshtohet agjërimi. I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem.” Muslimi, 1163. Agjërimi është një adhurim madhështor dhe shkak për të hyrë në Xhenet, andaj bëhu prej atyre që agjërojnë në këtë muaj.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Shpeshtojini salavatet për mua në ditën e xhumah, sepse kush më dërgon më së shumti salavate, do të jetë më së afërti me mua në ditën e Kiametit.” Sahih Et-Tergib, 1673.

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Dita më e mirë në të cilën lindë dielli është dita e xhumah; në të është krijuar Ademi, në të është futur në Xhenet dhe në të është nxjerr prej tij. Kiameti nuk do të ndodh në ndonjë ditë tjetër, përveçse në ditën e xhumasë.”

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Në ditën e xhumah, pas ikindisë e deri në perëndimin e Diellit, kërkojeni momentin në të cilin shpresohet pranimi i lutjeve!” Sahih Et-Tirmidhij, 489.

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mos mendo se vetja jote është ajo që të shtyu drejt kryerjes së punëve të mira, mirëpo ti je një rob të cilin Allahu e deshi. Andaj, mos e humb këtë dashuri, se pastaj Ai të harron ty.” Uddetu Es-Sabirin, 304.

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur njeriu është më larg teuhidit dhe sunetit, është më afër shirkut, bidatit dhe shpifjes.” El-Iktida’, 281.

  • Imam AbduRrahman El-Mehdij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu le të ruhet nga morali i ulët, ashtu siç ruhet nga haramet, sepse bujaria (morali i mirë) është prej fesë.” Mekarim El-Ahlak, i ibn Ebi Ed-Dunja.

  • Një njeri i tha imam Ahmedit: “Më këshillo!” Ai ia ktheu: “Respektoji urdhrat e Allahut kudo që të jesh, Ai të ngrit dhe të bën krenar!” El-Adab Esh-Sher’ijjeh, i bin Muflih, 2/108.

  • Dijetari i madh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Pikërisht besimi i dobët është sëmundja reale që duhet të kurohet përmes njohjes së teuhidit dhe besimit të saktë.” Akidetu Et-Teuhid, 22.

  • Umeri (radijAllahu anhu) thotë: “Vërtet, ne (arabët) ishim populli më i nënçmuar, mirëpo Allahu na ngriti e na bëri krenar me Islam. Andaj, nëse kërkojmë krenari diku tjetër përveç Islamit, Allahu do të na poshtërojë.” Es-Silsile Es-Sahiha, 1/117.

  • Disa njerëz kur të dëgjojnë se dikush është sëmurë thonë: “Pasha Allahun, ai nuk e meriton këtë!” Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) përgjigjet: “Kjo thënie nuk lejohet, sepse është kundërshtim ndaj Allahut të patëmetë.” Fetaua ibn Baz, 8/421.

  • Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Durimi ndaj varfërisë është një gradë të cilën e arrijnë vetëm njerëzit e mëdhenj.” El-Bidaje ue En-Nihaje, 14/396.

  • E pyetën Abdullah ibn Umerin (radijAllahu anhuma): “A qeshnin sahabët (shokët e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?” “Po” – tha ai. “Mirëpo besimi në zemrat e tyre ishte sa malet.” Xhami’u El-Ulumi uel-Hikem, i ibn Rexhebit, 66.

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë.” Ez-Zuhruf, 32. Njëri prej selefëve tha: “Mendova thellë rreth këtij ajeti dhe pasi që u binda se ndarja e riskut vjen vetëm prej Allahut, kurrë më nuk e pata zili askënd.”

  • Nëse dëshiron të dish gjendjen tënde në varr

Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Gjendja e njeriut në varr është e njëjtë me gjendjen e zemrës në gjoksin e tij, për nga aspekti i kënaqësisë e dënimit, si dhe burgosjes e lirimit. Andaj, nëse dëshiron të dish sesi do të jetë gjendja jote në varr, atëherë shikoje zemrën tënde. Nëse zemra jote është e mbushur me lumturi, qetësi dhe pastërti, atëherë – me lejen e Allahut – kjo do të jetë gjendja jote edhe në varr, e gjithashtu edhe anasjelltas. Kësisoj, sheh sesi njeriu më i qetë është që ai që nuk i ndahet bindjes ndaj Allahut, moralit të mirë dhe zemërgjerësisë. Pra, imani i largon brengat dhe pikëllimet; ai është prehje e syve për njësuesit e Allahut dhe ngushëllim për adhuruesit e zellshëm. Kush nuk i ndahet tesbihut (subhanAllah), i hapet lumturia. Kush nuk i ndahet hamdit (elhamdulilah), mirësitë i vijnë njëra pas tjetrës. Kush nuk i ndahet kërkimit të faljes, i hapen dyert e mbyllura.” Ed-Da’u ued-Deu’a, 187, 188.

  • Imam Abdullah ibën El-Mubarek (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Edukata gati i ka përfshirë dy të tretat e fesë.” (Sifetus-Safue i ibën Xheuziut, 4/145). Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) shpjegon: “Edukata e gëzon këtë pozitë në fe, sepse është një moral i lartë që e nxitë poseduesin e saj në fjalë dhe vepra të lavdërueshme. Nuk ka asgjë që i sjellë të mirat dhe i largon të këqijat sikurse edukata. Edukata e orienton poseduesin e saj drejt çdo vlere e mirësie dhe e pengon atë nga çdo ligësi dhe e keqe. Edukata është shenjë që tregon për shpëtimin/suksesin dhe lumturinë e njeriut në këtë jetë dhe në tjetrën.”

  • Dijetari El-A’mesh (v. 148 H. Allahu e mëshiroftë) tregon: “Në kohën tonë, gjatë varrimit të xhenazes nuk mund të dallonim ata të cilët duhet të ngushëlloheshin, për shkak të numrit të madh të atyre që qanin. Mos mendo se ata qanin për të vdekurin, por për vetët e tyre.” El-‘Akibetu fi dhikril-meuti uel-ahireti, El-Ishbilij, fq. 154.

  • Ebu Bekër Ahmed ibën Muhamed El-Meruedhij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pyeta Ebu Abdullahin (dmth imam Ahmedin): “Një njeri u pendua dhe tha:Kurrë më nuk kthehem në harame edhe nëse shpina më fshikullohet me kamxhik“, mirëpo nuk e braktis shikimin në gjëra të ndaluara.” Imam Ahmedi ma ktheu: “Çfarë pendimi është ky?!” (Kitabul-Uera’i i imam Ahmedit).

  • Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “S’kam parë diçka që e ushqen mendjen e shpirtin, që e ruan trupin dhe që e siguron lumturinë, më shumë sesa leximi e meditimi i vazhdueshëm rreth librit të Allahut (Kuranit).” (Mexhmu’u El-Fetaua 7/493).

  • Imam ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Hoxha i Islamit, ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Kush dëshiron lumturinë e përhershme, atëherë të mos i ndahet robërisë ndaj Allahut.” (Medarixhus-Salikin, 1/429).

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam afër…” (El-Bekare, 186). Një fjali shumë e shkurtë, por që të jep ndjesinë e sigurisë. Andaj, mos u largo nga Ai që është afër dhe lute çfarë të duash, sepse ai ka premtuar se do të të përgjigjet: “… i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.”

  • Ulja e shikimit është një adhurim që nuk e prek dyfaqësia. Vetëm i Gjithëdijshmi dhe i Mirinformuari e di se kush e ul shikimin nga madhërimi për Të dhe nga frika ndaj Tij që të bie në diçka që e zemëron Atë. Ky është sekreti… pastërtia e zemrës së besimtarit. Ky është sekreti mes të devotshmëve dhe Zotit të tyre.

  • Te njerëzit ai shihej vetëm si një djalosh: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte (idhujt), quhej Ibrahim.” (El-Enbija, 60) Mirëpo, tek Allahu: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë ummet (popull në vete/prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira).” (En-Nahl, 120).

  • Dijetari i madh AbduRrahman ibn Nasir Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shenjë se mëshira ekziston në zemrën e njeriut është kur ai do që e mira t’u arrijë të gjitha krijesave në përgjithësi, dhe besimtarëve në veçanti.” Behxhetu kulubil ebrar, 238.

  • Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bazat e virtyteve janë: dija, feja, trimëria dhe bujaria.” (Minhaxhu Es-Sunneh, 6/379).

  • Ibn Temije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përzierja mes gjinive shkakton fitne (sprova, trazira). Pra, kur meshkujt përzihen me femra, kjo është sikur zjarri kur përzihet me drunj.” (El-Istikame, 1/361).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit