A është botimi i librave islam dhe shpërndarja e tyre prej lëmoshës rrjedhëse?

Shejh: Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

Pyetje: A konsiderohet botimi i librave islam dhe shpërndarja e tyre lëmoshë rrjedhëse? Cilat gjëra hyjnë në lëmoshën rrjedhëse? Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Lavdërimi dhe falënderimi i përket Allahut, Zotit të botëve. Salati dhe selami qofshin për profetin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij, si dhe për gjithë ata që ecin shtegut të tyre, deri në Ditën e Gjykimit. Lëmoshë rrjedhëse është ajo nga e cila njerëzit përfitojnë vazhdimisht. Dhe pikërisht për këtë arsye është quajtur rrjedhëse, meqë ajo nuk ndalet. Lëmoshë që nuk rrjedh është ajo nga e cila njeriu përfiton vetëm gjatë kohës së saj. Për shembull, kur ia jep një të varfëri njëmijë rijalë dhe ai pastaj i shpenzon ato për një apo dy muaj; në këtë rast lëmosha ndërpritet. E, nëse e lë vakëf një ndërtesë, një shtëpi apo një dyqan, në mënyrë që të ardhurat t’u shkojnë të varfërve, atëherë, përderisa të ardhurat ekzistojnë, kjo lëmoshë konsiderohet rrjedhëse.

Botimi i librave dhe gjërave të dobishme është lëmoshë rrjedhëse; për sa kohë që njerëzit përfitojnë nga to, shpërblimi dhe sevapi i tyre rrjedhin pandërprerë. Ndodh që këto libra të mos ekzistojnë më, mirëpo përfitohet nga gjërat që janë përcjellë nga to nëpër libra tjerë, pastaj prej gjërave që përcillen nga këta libra. Pra, padyshim që botimi i librave të dobishëm është lëmoshë rrjedhëse. Mirëpo, ai i cili dëshiron të botojë libra nga të cilat kanë dobi myslimanët, duhet të këshillohet me dijetarët e besueshëm dhe të mos e botojë secilin libër që i propozohet dhe, gjithashtu, të mos ia marr fjalën çdo njeriu që nuk e njeh. Ndodh që i vjen ndokush që është dredharak nga fjalët, të cilit Allahu i ka dhënë qartësi në të folur, oratori e metodë tërheqëse dhe i thotë: “Ky libër është prej librave shoqëror më të mirë; çmos ka në të”. Kështu, ai mashtrohet me fjalët e tij dhe pranon ta botojë atë. Pa dyshim se ky është nxitim i tepruar. Kurdo që të vjen në dorë ndonjë libër dhe kërkohet nga ti që ta botosh e pastaj ta shpërndash si lëmoshë, konsultohu me dijetarët dijes, besnikërisë dhe fesë së të cilëve i beson dhe të cilët nuk kanë zili ndaj ndokujt…

Kjo është çfarë kam për të thënë rreth botimit të librave të dobishëm; botimi i tyre është prej lëmoshës rrjedhëse, pavarësisht se a janë të pranishme në mesin e njerëzve dhe a përfitohet nga to në mënyrë direkte, apo përmes gjërave që përcillen nga to, apo ndonjë dijetar i lexon, përfiton nga to dhe pastaj e përhapë dijen e tij. Pra, botimi i tyre, me lejen e Allahut, është prej veprave më të mira dhe më dobiprurëse. Mirëpo, ajo çfarë e shoh si detyrë dhe të cilën e theksoj, është që vëllezërit tanë tregtarë të mos botojnë libra veçse pas konsultimit me dijetarët, dijes dhe besnikërisë së të cilëve u besohet.

Pyetësi: Cilat gjëra hyjnë në lëmoshën rrjedhëse?

Shejhu: Çdo gjë e vazhdueshme që afron tek Allahu.

“Fetaua Nurun ala ed-derb”

 

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit