A janë të ndaluara edhe lodrat e tjera psh: kafshët ose shpezët, pasi janë të ndaluara kukullat? A bën të mbahen në shtëpi lodrat që janë të ndonjë kafshe apo shpeze?

Përgjigjja: Dijetarët rreth kësaj çështjeje kanë mospajtime. Më poshtë po i sjelli disa fetua të dijetarëve bashkëkohorë në lidhje me këtë çështje.

Është pyetur dijetari i madh Salih El Feuzani, Allahu e ruajttë: Cili është kriteri në lidhje me lodrat e fëmijëve, siç janë nuset (kukulla), kukullat dhe lodrat me të cilat luajnë vajzat e vogla e që e kanë formën e kafshëve apo kanë imazhin e njeriut, dhe që janë prej leshit apo të thurura? Si ta dimë se çfarë është e lejuar dhe çfarë e ndaluar prej tyre?

Ai u përgjigj: Lodrat që janë sot nuk janë prej atyre që janë të lejuara (sheriatikisht). Sepse, ato që i shohim sot kanë evoluar aq shumë sa që kanë marrë formë tjetër prej asaj që kanë pasur lodrat më herët. Lodrat që janë sot dhe imazhet e tyre e imitojnë krijesën plotësisht, saqë disa prej tyre folin, qeshin, ecin, lëvizin…pra, kanë ndryshuar shumë. Kështu që, nuk lejohet që fëmijët të mësohen (që të luajnë) me këto lodra që kanë imazhe dhe trupa në këtë formë. Ka lodra tjera të shumta të cilat nuk kanë imazhe, siç janë makinat, të tjera në formë të pajisjeve (veglave, aparaturë, etj); pra, gjëra që nuk kanë shpirt.”

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur: “Pyetja ime është në lidhje me gjykimin fetar për posedimin e lodrave që i kanë trupat e krijesave me shpirt. Cili është gjykimi për shitjen e tyre, ngrënien e fitimit të tyre, dhe varjen e tyre në shtëpi për zbukurimin e saj, apo vendosjen e tyre në vende të veçanta si gjëra antike dhe stolisje?”

Ai u përgjigj: “Realisht në këtë pyetje i kemi të përfshira tri çështje.

E para: Cili është vendimi për lodrat e fëmijëve të cilat kanë imazhe dhe trup? Kjo është një çështje rreth cilës kanë mospajtime dijetarët. Ata të cilët u mbështetën në përgjithësimin e lejimit të kukullave për vajzat e vogla, siç është transmetuar prej Aishes, radijallahu anha, se ajo ishte e vogël dhe luante me lodra gjatë kohës së të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe ai nuk ia ndaloi këtë gjë. Kështu, këta dijetarë thanë se nëse argumentojnë me përgjithësimin e këtij hadithi, atëherë kjo tregon se lejohet të punojmë me të edhe për këto lodrat (e sotshme) të cilat kanë imazhe (trupa) dhe që janë të prodhuara në mënyrë shumë të përpiktë. Kurse, pjesa tjetër e dijetarëve thanë se lodrat me të cilat ka luajtur Aishja, radijallahu anha, nuk ishin si lodrat që janë sot për sa i përket përpikërisë në prodhimin e tyre. Kështu që, ato janë të ndaluara (përderisa kanë imazhe). Padyshim, për muslimanin më e sigurt është që t’u largohet gjërave të dyshimta. Në këtë rast (pra kur njeriu veçse u ka blerë fëmijëve lodra me imazhe), është një mundësi kur fëmijët mund të vazhdojnë të luajnë me to, e që është zbutja e tyre me ujë (të nxehtë), pastaj fshirja e fytyrave të tyre derisa të ndryshohet tërësisht forma e tyre dhe të mos mbetet fare imazhi i fytyrës. Pas kësaj fëmijët mund të vazhdojnë të luajnë me to. Edhepse, më parësore dhe është që t’u blejë fëmijëve lodra tjera (pa imazhe) siç janë makinat, aeroplanët, buldozerët, dhe të tjera të ngjashme me të cilat fëmijët luajnë dhe nuk ka kurrfarë dyshimi për lejueshmërinë e tyre.

2⃣ Çështja e dytë: Varja apo vendosja e këtyre lodrave me imazhe në vende të ndryshme të shtëpisë si zbukurim apo për t’i ruajtur ato? Kjo është haram (e ndaluar) dhe nuk lejohet kurrsesi. Është pohuar se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vëretë, melekët nuk hyjnë në një shtëpi në të cilën ka imazh.” Pra, njeriu duhet ta ketë frikë Allahun dhe të largohet nga këto marrëzira. Fatkeqësisht disa prej njerëzve që konsiderohen prej “të mençurve” kanë rënë në nivelin e fëmijëve, sa që në dhomat e ndejës së tyre sheh imazhe (figura) të deveve, apo elefantëve, apo luajve, etj, të cilat i vendosin në orenditë (e shtëpisë, zyres, etj) si zbukurim dhe stolisje. Kjo është haram (e ndaluar) dhe nuk është e lejuar që ata të veprojnë këtë. Në anën tjetër, obligim i tyre është që t’i shkatërrojnë këtë figura(imazhe). E, nëse dëshirojnë që gjithsesi t’i mbajnë ato, atëherë duhen t’ua këpusin kokat, sepse nëse largohet koka atëherë është e lejuar mbajtja e tyre.

3⃣ Çështja e tretë: A lejohet shitja e lodrave të cilat kanë imazhe?

Shitja e tyre gjithashtu nuk lejohet. Shitja e tyre është haram (e ndaluar), si dhe fitimi i tyre është haram, sepse ato dërgojnë te harami, dhe çdo gjë që dërgon në haram edhe ajo gjë bëhet haram. Gjithashtu, ndodhja e tyre në një vend edhe në qoftë se bëhet vetëm si ekspozim për shitblerjen e tyre, e pengon hyrjen e melekëve në këtë vend. Dhe, aty ku nuk hyjnë melekët, atëherë hajri / mirësia dhe bereqeti largohen prej atij vendi.”

Në një vend tjetër Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Parimi për imazhet e trupëzuara është se ato janë të ndaluara (haram), dhe nuk lejohet posedimi i tyre si për të rriturit ashtu edhe për të vegjëlit. E, përdërisa nuk lejohet posedimi i tyre, atëherë nuk lejohet edhe shitblerja e tyre; sepse kur Allahu i Lartësuar e ndalon një gjë, e ndalon edhe fitimin e saj. Mirëpo, disa dijetarë e lehtësojnë çështjen sa i përket kukullave për vajzat e vogla. Pra, që vajza e vogël të luajë me to në mënyrë që të mësohet me rritjen dhe përkujdesin e vajzave, nëse Allahu e furnizon me vajzë në të ardhmen.

Të tjerët thanë se këto lodra të cilat janë të lejuara duhet të mos jenë në formën e imazheve të vërteta, pra ato duhet të mos kenë sy, vesh, buzë, dhe fytyra e tyre duhet të jetë e fshirë, sikurse hija. Të parët thanë se nuk ka të keqe që forma e kukullës me të cilën luan vajza e vogël të jetë në formën e imazhit të vërtetë, për arsye se qëllimi arrihet si me njërën po ashtu edhe tjetrën.

Unë nuk e shtrëngoj këtë çështje, por them se nëse kujdestarët (prindërit, etj) e vajzës së vogël, kanë mundësi që t’i blejnë asaj lodra të cilat nuk kanë fytyrë, pra janë si hija, atëherë kjo është më parësore dhe më e mirë. Ndërsa, sa i përket imazheve të kafshëve tjera, si kuajt, shpezët, etj, atëherë parimi është se ato janë të ndaluara dhe nuk lejohet të posedohen. Prandaj, bazuar në këtë themi se nuk lejohet të shiten dhe as të blehen.”

Kurse, Shejh Bin Bazi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më e sigurt është që të braktiset kjo gjë, për shkak të përgjithësimit që është transmetuar në hadithe; sepse i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e ka zmadhuar shumë çështjen e fotografimit / pikturimit, si dhe e sqaroi se ata të cilët e bëjnë këtë do të ndëshkohen më së shumti në ditën e Kiametit. Ai tha: “Njerëzit që më së shumti do të ndëshkohen në ditën e Kiametit janë ata që bëjnë imazhe”; “Vërtetë, ata të që bëjnë imazhe do të ndëshkohen në ditën e Kiametit dhe do t’u thuhet:Jepni shpirt atyre që i krijuat (formësuat)”; madje ai “…e mallkoi atë që bënë imazhe”, dhe i tha Aliut, radijallahu anhu: “Mos e le asnjë imazh veçse fshije atë.”

Disa dijetarë i lejuan lodrat, dhe lejimin e tyre e arsyetuan me faktin se ato nënçmohen kur fëmijet luajnë me to. Gjithashtu, ata u mbështetën në hadithin ku tregohet se Aishja, radijallahun anha, i kishte disa lodra dhe në mesin e tyre e kishte një kali me krahë. Ata thanë se kjo tregon që lodrat me imazhe janë të lejuara për fëmijët. Kundërpërgjigjja për këtë argumentim të tyre është të thuhet, e Allahu e di më mirë, se kjo ngjarje (me Aishen) ka ndodhur para se të vinte ndalesa; kur ajo ishte e vogël në fillimet e hixhretit, sepse i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e martoi atë kur ajo ishte nëntë vjeçare. Prandaj, ka mundësi që kjo të kishte ndodhur para se ai t’i ndalonte imazhet në përgjithësi. Kështu që, gjatë jetës së tij në Medine, i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e shtrëngoi më shumë këtë çështje.

Dëshmi për këtë është se një ditë kur ai hyri tek Aishja, radijallahu anha, dhe pa se ajo i kishte varur në mure disa mbulesa me imazhe, i shqeu ato dhe tha: “Vërtetë,ata të që bëjnë imazhe do të ndëshkohen në ditën e Kiametit dhe do t’u thuhet: Jepni shpirt atyre që i krijuat (formësuat).”

Prandaj, më e sigurt për besimtarin është të fëmijëve të vegjël të mos iu blejë asgjë në të cilën ka imazhe, mirëpo u blen lodra tjera pa imazhe. Kjo është shumë më e sigurt për të.”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit