A ka argument që kur i falim namazet sunet të ndërrojmë vend?

A ka argument që kur i falim namazet sunet të ndërrojmë vend?

Njeriu falet aty ku është. Nuk ka argument për lëvizjen në një vend tjetër. Nuk lejohet të ndërrohet vend me besimin se kur falet në një tjetër vend, atëherë ai vend (tokë) do të dëshmojë për këtë. Përderisa këto gjëra janë gajb (të fshehta) për ne, nuk lejohet të veprohet me këtë besim. Disa dhe e kanë këtë besim, kështu falin dy rekate diku, dy të tjera diku tjetër, që të dëshmojë secila pjesë e tokës për ta në Ditën e Gjykimit. Është e vërtetë se toka dhe krijesat dëshmojnë për adhurimet që i ka bërë besimtari. Ka prej selefit të kenë thënë: “Shtoni dëshmitarët (përmendeni Allahun kah të shkoni)!” Pema afër së cilës e ke përmendur Allahun, do të dëshmojë për ty. Po ashtu toka, uji apo ndonjë krijesë tjetër. Andaj ata kanë thënë: Shtoni dëshmitarët. Mirëpo, veçanërisht kjo zhvendosje prej një vendi në një tjetër, për këtë nuk ka argument. Ka ardhur në një hadith se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se ai që e fal namazin farz, mos ta falë namazin sunet në të njëjtin vend, derisa të flasë diçka apo ta ndërrojë vendin. D.m.th. nuk bën që menjëherë pas selamit të ngritët ta falë sunetin po në atë vend, ose duhet ndërruar vend ose të flasë diçka. E pas selamit zakonisht flasin njerëzit, thonë estagfirullah estagfirullah estagfirullah, Allahumme entes Selamu we… (deri në fund që është dhikri pas namazit farz), andaj nuk ka problem që pastaj të falet në të njëjtin vend. Nëse dikush nuk e thotë këtë dhe ngritët menjëherë ta falë namazin sunet, atëherë nuk bën ta falë në të njëjtin vend. Në këtë rast duhet të ndërrojë vend, për atë që ka ardhur në këtë hadith, e jo në kuptimin se toka do të dëshmojë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim- Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit