A lejohet falja në një sexhade që ka figurën e Qabes?

A lejohet falja në një sexhade që ka figurën e Qabes?

Ka dijetarë që kanë mendimin se nuk lejohet figura e Qabes të jetë në sexhade. Mirëpo këta dijetarë e kanë fjalën që të mos jetë tek këmbët ku shkelë njeriu, sepse kjo është nënçmim. E nëse është te koka, zakonisht siç janë sexhadet, thonë kjo nuk është e ndaluar (haram), por nuk preferohet, sepse duke e parë figurën e Qabesë angazhohet me vizatimin e saj, i shkon mendja te Qabja në Meke, dhe kështu nuk është i përqendruar në namaz.

Një mendim tjetër i dijetarëve është ai që thonë se nuk ka të keqe edhe nëse e ke Qaben në sexhade, sepse kur njeriu shkon në Qabe në Meke ai e shkel tokën e saj dhe kjo nuk është nënçmim.

Sidoqoftë besimtari më së miri është t’i ikë sexhadeve në të cilat ka vizatime, sidomos nëse është në to figura e Qabes. Andaj kur blihet sexhadja, më së miri është të jetë pa asnjë vijë dhe vizatim, por të jetë veç një ngjyrëshe, që mos ta heqë vëmendjen prej namazit.

Sa i takon mbylljes së syve në namaz, kjo është e papëlqyer, gjë e urryer (mekruh), sepse ata që i mbyllin sytë thonë se me këtë po koncentrohemi dhe përqendrohemi më shumë, e kjo nuk është e vërtetë sepse njeriu i cili ka qenë më i përqendruari në namaz, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, nuk i ka mbyllur sytë, ai ka shikuar në vendin e sexhdes.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit