A lejohet pasimi i paraardhësve në akide?

A lejohet pasimi i paraardhësve në akide?

Në çështjet e akides/besimit nuk lejohet taklidi (pasimi ndaj të tjerëve). Nëse njeriu ka mundësi ta mësojë akiden, duhet ta mësojë atë me argumente (siç i kanë besuar selefi), nuk i lejohet të pasojë e të thotë: “E kam pasur babanë mysliman, edhe unë jam si ai.” Dhe më kurrë nuk mëson si duhet besuar në Allahun. Ka pajtueshmëri mes dijetarëve se në çështjet për të cilat kërkohet bindje, nuk lejohet taklidi. E çështjet e akides janë çështje në të cilat kërkohet bindje.

Argument për këtë është hadithi i cili flet për tri pyetjet që i parashtrohen njeriut në varr. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se kur besimtari pyetet “Kush është Zoti yt?” përgjigjet: “Zoti im është Allahu”, “Cila është feja jote?” përgjigjet: “Feja ime është Islami”, “Kush është i Dërguari yt?” përgjigjet: “I Dërguari im është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.”

Në transmetime të tjera pyetet: “Nga e di këtë?”, thotë: “Na ka ardhur Libri i Allahut. E kemi lexuar dhe e kemi besuar.” Pra, kjo tregon se e ka besuar Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin salAllahu alejhi ue selem si të Dërguar, me argumente prej Kuranit.

Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem  tregon se kur këto pyetje i parashtrohen mynafikut, apo jobesimtarit, apo të tjerëve, thonë: “A…? A…? Nuk e di.” Kjo është sikur dikush që kërkon përgjigje/zgjidhje prej të tjerëve që i ka përreth, për t’i treguar. Thotë: “I kam dëgjuar njerëzit të thonë diçka, e edhe unë kam thënë.”

Pra, nuk mjafton të dëgjosh nga njerëzit që thonë: “Myslimani duhet të përgjigjet “Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe i Dërguari im është Muhamdi salAllahu alejhi ue selem”. Por, këto duhet të mësohen me argumente (nëse i ka ardhur mundësia, nëse i ka ardhur afër dija dhe ka pasur mundësi ta mësojë). Këto janë bazat të fesë.

Secili prej nesh do të pyetet, ose do të përgjigjet ose jo. Ai që i ka mësuar me argumente së paku një herë gjatë jetës, prej Kuranit dhe sunetit (se si duhet besuar në Allahun, në të Dërguarin e Tij, çfarë duhet të dihet rreth tij, rreth fesë Islame), dhe vdes në këtë akide pa e prishur (sa ishte gjallë), kjo mjafton. Mirëpo, nëse dikush nuk ka mësuar kurrë gjatë jetës së tij për to, nuk i bën dobi pse ka qenë pasardhës i  prindërve myslimanë.

Ndërsa, në çështjet në të cilat nuk kërkohet bindje, por që kërkohet mendimi më i peshuar, atëherë nuk ka të keqe të bëhet taklid, siç janë çështjet e fikhut. Pra, ai i cili nuk ka mundësi të mësojë fikhun, nuk ka të keqe të pasojë një dijetar.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit