A lejohet përdorimi i fjalës vetëbesim?

Pyetje: A lejohet përdorimi i fjalës vetëbesim?

Përgjigje: Kjo fjalë më mirë është të mos përdoret, në kuptimin “unë kam vetëbesim” duke iu mbështetur vetvetes. Besimtari nuk duhet t’i mbështetet vetvetes në arritjen e sukseseve apo aftësive që ka sepse këto janë dhurata prej Allahut për të. Ne themi: “O i Gjallë, o i Përjetshëm, Mbajtës i çdo gjëje, me Mëshirën Tënde kërkoj ndihmë! M’i përmirëso të gjitha çështjet e mia dhe mos më lë t’i mbështetem vetes sime as sa lëvizje e syrit!” Edhe kur e mbyll dhe hap kapakun e syrit, kjo është Mirësi e Allahut, nuk duhet mbështetur në vetvete.

Kjo nuk do të thotë që njeriu mos t’i shfrytëzojë në të mira mirësitë dhe aftësitë e tij që ia ka dhënë Allahu. Ato duhet të shfrytëzohen, por gjithmonë duhet të llogariten si shkaqe për arritjen e të mirave të tjera të shumta, ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë sesa besimtari i dobët, edhe pse tek të dy ka mirësi.” Sipas interpretimit të dijetarëve, fortësia dhe dobësia është për qëllim edhe në besim, edhe në anën fizike. Nëse Allahu të ka dhënë fuqi fizike, shfrytëzoje në mirësi, por jo të thuash “unë e arrita këtë e atë” duke ia atribuuar vetes të mirat e arritura, por gjithmonë duhet thënë “Allahu m’i ka dhënë. Elhamdulilah. Mirësia është prej Tij.”

Fjalë të tilla është mirë të mos përdoren, por të përdoren shprehje të tjera zëvendësuese, p.sh.: në vend të fjalës vetëbesim, të thuhet mbështetje në Allahun.

Nëse do ta nxitësh dikë për punë të mira, të marrë shkaqet dhe të mos dorëzohet, atëherë i thua “Mbështetu në Allahun, të kesh mendim të mirë për të, mendim pozitiv. Allahu nuk e tradhton robin e Tij, nuk e lë në baltë besimtarin, nuk e lë pas dore atë që ka mendim të mirë për Të, nuk e zhgënjen, Ai e ndihmon atë”.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit