A lejohet t’i thërras Cilësitë e Allahut dhe të lutem me fjalët “o Allah, për hir të Pejgamberit…”?

A lejohet t’i thërras Cilësitë e Allahut dhe të lutem me fjalët “o Allah, për hir të Pejgamberit…”?

Nuk lejohet thirrja e Cilësive të Allahut, duke thënë “O Fytyra e Allahut”, apo “O Mëshira e Allahut, më mëshiro!”, apo “O Falja e Allahut, më fal!” Njeriu duhet ta thërrasë Allahun gjatë lutjes së tij, kurse Cilësitë e Tij duhet t’i vë si ndërmjetës mes tij dhe Allahut duke thënë: “O Allah, me Mëshirën Tënde më mëshiro!” apo “me faljen Tënde me fal mua!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “O i Gjallë i Përhershëm, o Mbajtës i çdo gjëje, me Mëshirën Tënde kërkoj ndihmë!”  Po ashtu, lejohet të lutesh përmes Emrave të Tij duke thënë: “O Falës i Madh (ja Gafur), më fal mua!” apo “O i Gjithëmëshirshëm (Ja Rrahman), më mëshiro mua”, apo “O Furnizues (ja Rrezak), më furnizo!” Ky është ndërmjetësim i lejuar (përmes Emrave dhe Cilësive të Allahut). Formë tjetër e ndërmjetësimit të lejuar është kur bëhet përmes veprave të mira (të bëra për hir të Allahut), siç është ngjarja e tre personave të cilëve guri ua ka bllokuar hyrjen e shpellës (duke mbetur brenda). Ka prej formave të ndërmjetësimit që i veprojnë disa njerëz të cilat janë shirk i madh ose janë bidate. Bidat është kur bëhet ndërmjetësim përmes të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, përmes Qabesë, përmes njerëzve të devotshëm/të mirë. Ata luten: “O Allah për hir të të Dërguarit, më fal!” apo “për hir të Qabesë”, apo “për hir të Ramazanit”. Kjo është rrugë që çon në shirk dhe nuk ka bazë. Kështu, njerëzit kanë filluar në këtë formë, pastaj dikur i janë lutur vetë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem. Kjo formë nuk lejohet dhe është ndërmjetësim i ndaluar. Shirk është kur njeriu e lut krijesën, p.sh.: “O i Dërguar, ndërmjetëso për mua tek Allahu”, kështu lutjen e tij ia drejton të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem dhe ia kushton një adhurim krijesës. Atëherë kjo është shirk i madh. I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutja është vetë adhurimi.” Ndërsa e sakta është kur lutja bëhet në këtë formë: “O Allah, bëje të Dërguarin ndërmjetësim për mua!”. Kjo lejohet sepse lutja po i drejtohet Allahut.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit