Agjërimi dhe operimi nga mjeku

Agjërimi dhe operimi nga mjeku

Hoxhë Lulzim Perçuku: Së pari, duhet ditur se besimtarit Allahu ia ka bërë obligim agjërimin e muajit të Ramazanit. Është urdhër prej Allahut. Nuk merret agjërimi si diçka që ai mund ta zgjedhë: të agjërojë apo të mos agjërojë; apo si diçka të lehtë që mund ta prishë për arsyen më të vogël. Allahu thotë: “…kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e (devotshmërinë, frikën dhe madhërimin ndaj Allahut), zemrës së tij.” Haxh, 32. Myslimani duhet ta dijë se nuk i lejohet prishja e agjërimit të këtij muaji për asnjë arsye, përveç atyre arsyeve që ia ka lejuar sheriati.

Në rastin kur mjeku duhet ta kryejë një operacion, atëherë dijetarët thonë se rastet e pacientëve që nuk janë urgjent të bëhen operacion, duhet shtyrë pas muajit të Ramazanit (nga mjeku), ose t’i kryejë gjatë natës kur nuk është agjërueshëm. Andaj, nuk duhet thënë: “Kam për të kryer gjatë ditës një operacion dhe nuk do ta agjërojë të nesërmen”. Muslimani duhet të çohet në syfyr dhe të bëjë nijet agjërimin e të nesërmes. Ai që e ka një punë të vështirë, e cila i shkakton vështirësi gjatë ditës, nuk i lejohet të thotë “e kam punën e vështirë dhe nesër nuk do të agjëroj”. Kjo gjë është e ndaluar dhe prej mëkateve të mëdha. Ai gjithsesi duhet të fillojë ditën agjërueshëm, e pastaj nëse gjatë punës i vijnë vështirësitë, atëherë këtu vjen lehtësimi prej Allahut.

Dijetarët e japin mundësinë që operacionin ta shtyjë për natën, nëse kjo nuk është e mundur, atëherë gjatë muajit të Ramazanit duhet të merret pushimi vjetor, e nuk duhet kaluar menjëherë me prishjen e agjërimit. Shumë njerëz nuk e marrin pushimin gjatë muajit të Ramazanit (nëse nuk munden të tërin, atëherë një pjesë të tij), porse e lënë atë për muaj të tjerë. E pastaj kërkojnë lehtësime “E kam punën e vështirë, a lejohet ta prishi agjërimin?” Nëse nuk është e mundur as marrja e pushimit, atëherë personi duhet ta fillojë ditën agjërueshëm, e nëse vijnë vështirësitë gjatë punës (çfarëdo punë që ka, qoftë kirurg, ose ndonjë zanat etj.), atëherë lejohet prishja e agjërimit. Pra, atij nuk i lejohet prishja e agjërimit derisa të ballafaqohet me vështirësinë. E kur ballafaqohet me të dhe mund t’i shkaktohet dëm në shëndet (është para alivanosjes, ka vështirësi të mëdha dhe nuk mund ta përballojë agjërimin), atëherë i lejohet prishja e agjërimit. Ballafaqimi me vështirësinë të jetë diçka reale, e vërtetë, përjetim, diçka që është duke ndodhur, e jo veç frikë dhe imagjinatë.

Në rastin kur rrezikohet jeta e pacientit nëse mjeku nuk e prish agjërimin (siç ka përmendur shejkh bin Baz), lejohet për të ta prishë atë (dhe ta kryejë operimin). Porse të thuhet “e kam një operacion nesër dhe nuk po e filloj agjërimin” kjo nuk bën. Duhet pritur momentin. Ndoshta do ta kalosh shumë lehtë operacionin e pacientit (edhe pse je agjërueshëm), pa pasur vështirësi. Kështu që agjërimi duhet vazhduar, e nëse shfaqet vështirësia lejohet prishja e agjërimit. Mirëpo, prishet agjërimi veç i asaj dite, e jo të thuhet “unë e kam këtë profesion dhe po vazhdoj të mos e agjëroj Ramazanin sepse më vjen ndonjë operacion apo emergjencë”.

Madje, dijetarët e komisionit të përhershëm kanë dhënë përgjigje se personi e prish agjërimin veç me aq sa të kalojë ajo vështirësi e lodhje. Në rast se mjeku nuk mund të koncentrohet në operim shkaku i agjërimit dhe rrezikohet jeta e pacientit, atëherë ushqehet veç aq sa t’i kthehet fuqia dhe përqendrimi, pastaj vazhdon pa ngrënë deri në iftar dhe këtë ditë e kompenson pas Ramazanit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit