Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Shkëputur nga programi “Nurun ‘aled-derb”- kaseta nr. 13

Pyetje: Çfarë komenti ka Fjala e Allahut të Lartësuar në kaptinën Er-rra’du: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten…” (13:11)

Përgjigje: Ky varg fisnik vërtet është një varg madhështor, i cili aludon në atë se Allahu i Madhërishëm, me përsosmërinë e drejtësisë dhe urtësisë së Tij, nuk e ndryshon gjendjen e një populli nga e mira në të keqe, apo nga e keqja në të mirë, apo nga mirëqenia në vështirësi (varfëri/mjerim), apo nga vështirësia në mirëqenie, derisa ata të ndryshojnë vetveten.

Andaj, nëse ata janë (besimtarë) të mirë dhe kanë stabilitet në fe, pastaj ndryshojnë (për keq), Allahu ua ndryshon gjendjen e tyre përmes ndëshkimeve, katastrofave, vështirësive, shterpësive (të tokës), thatësirave, përçarjeve dhe të tjera lloje ndëshkimesh si shpërblim përkatës (të veprave të tyre). Allahu i Patëmeta thotë: “Zoti yt nuk është i padrejtë ndaj robërve.” (41: 46)

Ka mundësi që Allahu t’i lërë ata të enden të lirë, t’u japë afat dhe të mos ua ngut dënimin, në mënyrë që të kthehen, pastaj i ndëshkon befasisht. Allahu Fuqimadh thotë: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” (6: 44) D.m.th. të dëshpëruar se do të arrinin çfarëdo të mire. Allahu na ruajt nga dënimi dhe nga zemërimi i Tij!

Ndoshta, atyre u jepet afat deri në Ditën e Gjykimit, në mënyrë që dënimi i tyre të jetë më i rëndë, siç edhe thotë Allahu Fuqiplotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)” (14: 42).

Kuptimi i vargut është se atyre u jepet afat dhe lihen të lirë, pa dënim, deri pas vdekjes, në mënyrë që t’u shtohet ndëshkimi dhe t’u rëndohet zemërimi (i Allahut ndaj tyre). Apo, ndoshta, ata janë në të këqija, në bela e në mëkate, dhe pastaj pendohen, kthehen te Allahu, i bien pishman dhe qëndrojnë në bindje ndaj Allahut (rrugë të drejtë). Atëherë, Allahu ua ndryshon atë që i ka kapluar prej mjerimit e përçarjes, vështirësisë e varfërisë në mirëqenie, në begati, në unitet fjale dhe përmirësim të gjendjes, për shkak të veprave tyre të mira dhe pendimit të tyre te Allahu.

Ka ardhur në një varg tjetër të Kuranit: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre…” (8: 53). Pra, ky varg qartas na tregon se, nëse njerëzit janë në begati, në mirëqenie dhe në mirësi, pastaj e ndryshojnë veten e tyre me mëkate, atyre do t’u ndryshohet gjendja (në të keqen e tyre) – ue la haule ue la kuw-wete il-la bil-lah -, por ka mundësi që edhe të lihen të lirë, pa udënuar, siç u cek me lart.

Gjithashtu, në anën tjetër, nëse ata janë të zhytur në të këqija, në mëkate, në mosbesim dhe në devijim, pastaj pendohen, i bien pishman dhe qëndrojnë në bindje ndaj Allahut, Ai uandryshon gjendjen e keqe në të cilën janë në një gjendje të mirë; ua ndryshon përçarjen në unitet e harmoni; vështirësinë në begati, në rehati e në mirëqenie; shterpësinë, thatësinë, mungesën e ujërave etj. në lëshim të shiut, pjellshmëri të tokës dhe lloje të tjera të mirësisë.

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit