Bashkëpjesëmarrje e drejtë – 5 – Të ndihmuarit e njëri tjetrit

Obligimi i ndihmës së ndërsjellë

Duke qenë të përbetuar, të dy bashkëshortët duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur brenda mundësisë së tyre për të ndihmuar njëri-tjetrin, dhe për ta bërë lidhjen e tyre të suksesshme. Kjo përfshin përkrahjen fizike, ekonomike dhe emocionale.

Kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të lejuar, është e këshillueshme për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke e bërë një obligim, është e detyrueshmepër bashkëshortin tjetër që ta ndihmojë sa më shumë që ka aftësi. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, se Ai dënon ashpër.” [El-Maide 5:2]

Njeriu nuk duhet të ndihmohet në mosbindje ndaj Allahut

Në anën tjetër, nga ajeti i mësipërm arrijmë në përfundim se kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër mekruh (të papëlqyer), atëherë është e papëlqyer për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të ndaluar, është e ndaluar për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk lejohet bindja ndaj qenies njerëzore, nëse ajo përfshin mosbindje ndaj Allahut. Bindja bëhet vetëm në gjëra të mira”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Një hadith i ngjashëm transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë nga Imran Bin Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe u verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 179, 180).

Të ndihmuarit e njëri-tjetrit në vepra adhurimi dhe bindjeje

Individi nganjëherë dobësohet dhe e zvogëlon kryerjen e disa veprave të adhurimit. Ndihma dhe përkrahja e mirë do t’ia shtonte atij vetëbesimin dhe vendosmërinë. Dhe kush është më i përshtatshëm për të dhënë këtë përkrahje sesa bashkëshorti? Një shembull i mirë për këtë është dhënë nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për sa i përket namazit të natës. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë atë burrë që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon gruan e tij për tu falur, dhe nëse ajo kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e saj me ujë, dhe Allahu e mëshiroftë atë grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon burrin e saj për tu falur, dhe nëse ai kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e tij me ujë”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3494)

Duhet vënë re në këtë hadith mënyrën e dashur dhe të këndshme për të zgjuar bashkëshortin. Në mes të gjumit, një person pa dyshim se do të shqetësohej nëse dikush papritur e tund ose i hedh shumë ujë të ftohtë mbi, gjë që do ta bënte atë të mos dojë të bashkëpunojë me personin që ia ka shkaktuar atij këtë bezdi dhe shqetësim. Në anën tjetër, një qasje e mirë dhe e dashur do të rezultojë në bashkëpunim të mirë.

 

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit