Bashkimi mes namazeve pa ndonjë arsye

Shejh: Salih El-Feuzan

Pyetje: A lejohet bashkimi mes namazeve pa ndonjë arsye dhe sa është i saktë hadithi ku thuhet se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka bashkuar namazet pa pasur frikë e as sëmundje? Më sillni dobi rreth kësaj çështjeje, Allahu ju dhëntë begati!

Përgjigje: Bashkimi mes namazeve pa ndonjë arsye nuk lejohet, dhe namazi i falur në atë mënyrë nuk është i vlefshëm, sepse e ka falur jo në kohën e tij (të caktuar) dhe pa ndonjë arsye fetare. Allahu i Patëmeta thotë: “…vërtet, namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar” (En-Nisa: 103).

Sa i përket bashkimit, ai është i lejueshëm (vetëm) për arsye fetare, siç janë sëmundja dhe udhëtimi. Gjithashtu, (lejohet) bashkimi mes akshamit dhe jacisë, kur të bjerë shi (i furishëm sh.p) dhe ka baltë (të madhe). Këto janë arsyet të cilat lejojnë bashkimin mes namazeve. Ndërsa, t’i bashkojë pa ndonjë arsye, kjo nuk lejohet dhe namazi i tij nuk është i vlefshëm, nëse vepron një gjë të tillë.

Sa i përket hadithit (të përmendur në pyetje, sh.p.), teksti i tij ka ardhur me dy versione nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). (Njëri version është se) “ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) ka bashkuar namazet pa pasur frikë dhe pa qenë udhëtar”. E transmeton këtë Muslimi në Sahihun e vet (1/489-490) nga hadithi i Ibën Abbasit (radijAllahu anhuma). Ndërkohë, në versionin tjetër thuhet: “duke mos qenë në gjendje frike dhe shiu”. E transmeton Muslimi në Sahihun e vet (1/491) nga hadithi i Ibën Abbasit (radijAllahu anhuma). Ndërsa, teksti që u përmend nga pyetësi, nuk ka ardhur kështu nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem); “se ai ka bashkuar mes namazeve pa qenë në gjendje frike apo sëmundje”. Në hadith, nuk përmendet “sëmundja”, por (teksti i hadithit) ka ardhur: “pa qenë në gjendje frike apo udhëtimi”, siç e transmeton Muslimi në Sahihun e vet (1/489-490) nga hadithi i Ibën Abbasit. Ndërsa në versionin tjetër: “pa qenë në gjendje frike apo shiu”; e transmeton Muslimi në Sahihun e vet (1/491) nga Hadithi i Ibën Abbasit.

Dijetarët kanë përgjigje të ndryshme në lidhje me këtë hadith:

• Ka prej tyre që janë ndalur rreth domëthënies së tij, duke thënë se nuk e kanë të qartë kuptimin e hadithit.

• Ka prej dijetarëve që ia kanë dhënë kuptimin e el-xhem’us-surijj (bashkimit formal, sh.p), dhe këtë e përkrahë edhe Esh-Sheukanij në Nejlul-Eutar. El-Xhem’us-surijj është vonimi i namazit të parë deri në fund të kohës së tij dhe afrimi i namazit të dytë në fillim të kohës së tij, pastaj falja e tyre; njërin në fund të kohës së tij, tjetrin në fillim të kohës së tij. Ky është xhem’un surij-jun (bashkim formal). Ky kuptim është me vend dhe e ka përkrahur edhe Esh-Sheukanij dhe të tjerë si kuptim të hadithit; se ai (hadithi) ka për qëllim bashkimin formal.

• Ka prej dijetarëve që kanë thënë se kuptimi i hadithit “pa qenë në gjendje frike apo udhëtimi” apo (hadithi) “pa qenë në gjendje frike apo shiu” është se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka bashkuar namazet për shkak të sëmundjes, sepse arsyet të cilat lejojnë bashkimin janë katër: frika, sëmundja, udhëtimi dhe shiu. Kështu, pasi që është transmetuar “pa qenë në gjendje frike apo udhëtimi” apo “pa qenë në gjendje frike apo shiu”, nuk mbetet gjë tjetër përveç sëmundjes. Atëherë (themi se), Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka bashkuar namazet për shkak të sëmundjes. Kështu, i lejohet të sëmurit (gjithashtu) t’i bashkojë namazet, nëse në mos-bashkimin e tyre gjenë vështirësi.

Marrë nga: “El-Munteka min fetauesh-shejh el-Feuzan”- pjesa 4, nr. 23

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit