Bëhu çelës i mirësisë!

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka prej njerëzve që janë çelësa të së mirës dhe dry të së keqës. E ka prej njerëzve që janë çelësa të së keqës e dry të së mirës. Lum për atë i cili çelësat e së mirës i ka në dorën e tij! E mjerë për atë i cili çelësat e së keqës i ka në dorën e tij!”

● Në këtë hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i përgëzon ata të cilët Allahu i ka bërë çelësa të së mirës dhe të punëve të mira.

● Fjalën “Tuba” (lum për atë) e përmendëm si përgëzim. Mirëpo, disa dijetarë kanë thënë se Tuba është emër i xhenetit, pra xhenneti qoftë për atë që është çelës i së mirës. Disa dijetarë kanë thënë se Tuba është një pemë në xhenet aq e madhe saqë kalorësi me një kalë të shpejtë e të fuqishëm, hijen e saj nuk mund ta kalojë për 100 vite.

● Ndërsa “Wejl” (mjerë për atë) e përmendëm si kërcënim. Mirëpo, disa dijetarë kanë thënë se Wejl është emër i xhehenemit, pra xhehenemi qoftë për atë që është çelës i së keqës. Disa dijetarë kanë thënë se Wejl është luginë prej luginave të xhehenemit ku mblidhet qelbi e lëngu që e lëshojnë banorët e xhehenemit gjatë dënimit të tyre. Disa dijetarë kanë thënë se Wejl është vetë dënimi dhe ndëshkimi i ashpër në zjarrin e xhehenemit.

● Njerëzit janë dy lloje:
-çelësa të së mirës e dry të së keqës,
-çelësa të së keqës e dry të së mirës.

● Secili nga ne duhet të meditojë për vetën se a është çelës i së mirës dhe mbyllës i së keqës apo anasjelltas. Ne duhet ta llogarisim veten për periudhën e jetës që e kemi jetuar deri tash, për sjelljen, fjalët, moralin e raportet tona me të tjerët, se a kemi qenë çelës të së mirës apo të keqës. Llogarite veten para se të dalësh para Allahut në botën tjetër.

● Është i përgëzuar me xhennet ai që është çelës i së mirës.

● Disa pika përmes të cilave do arrish të jesh çelës i së mirës:

1. Sinqeriteti me Allahun në çdo vepër dhe fjalë.

2. Lutja ndaj Allahut për të të bërë çelës të së mirës e dry të së keqës.

3. Kthimi tek Allahu me adhurime, sidomos me namaz (së pari farzet pastaj vullnetaret).

4. Stolisja me morale të larta dhe largimi nga moralet e ulëta.

5. Shoqërimi me njerëz të mirë, të zgjedhur dhe të devotshëm.

6. Të jesh i sinqertë ndaj besimtarëve, me zemër të pastër (duke ua dashur të mirën dhe të vepruarit e kësaj, duke u sjellë mirë dhe duke iu bërë mirë).

7. Përkujtimi i Ditës së Kthimit tek Allahu, se do qëndrojmë para Tij e do të japim llogari.

● Dijetarët janë këshillues të sinqertë, përmirësues e thirrës drejt së mirës, në çdo vend e në çdo kohë. Ata janë çelësa të mirësisë dhe dry të të këqijave.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit