Besimi rreth disa kushteve të besimit (imanit)

 

  • Besimi në Allahun përfshin:
  1. Besimin në ekzistencën e Allahut. Këtë e dëshmon: natyshmëria, logjika e shëndoshë, feja (shpallja e zbritur përmes Librave te Pejgamberët) dhe shqisat tona.
  2. Besimin në Rubbubijen e Tij (se Ai është i Vetmi që sundon, drejton gjithësinë, krijon, furnizon etj.).
  3. Besimin në uluhijen e Tij (se Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet, me dashuri e madhërim).
  4. Besimin në emrat dhe cilësitë e Allahut (pa shtrembërim, pa mohim, pa u dhënë formë, pa i përngjasuar me ato të krijesave).

 

  • Besimi në engjëjt përfshin:
  1. Besimin se engjëjt ekzistojnë.
  2. Besimin në emrat e engjëjve (që kanë ardhur në Kuran e sunet).
  3. Besimin në cilësitë e përshkruara të tyre në Kuran e sunet.
  4. Besimin se ata janë të ngarkuar nga Allahu me disa detyra e obligime.

 

  • Besimi në Librat e Allahut përfshin:
  1. Besimin se Allahu ka zbritur Libra, që udhëzojnë njerëzit, veçanërisht këtu futet besimi në Kuranin, se Allahu me të e ka përmbyllur shpalljen dhe janë abroguar Librat e mëhershëm, si dhe Allahu adhurohet veçse përmes ligjeve të ardhura në Kuran.
  2. Besimin në emrat e Librave (dhe fletushkave) të zbritur nga Allahu.
  3. Besimin në çdo gjë që ka ardhur në Librat e Tij (sa i përket librave të mëhershme besohen vetëm ato gjëra që nuk janë devijuar e shtrembëruar).
  4. Veprimin me ligjet e ardhura në Librat e Tij. Ndërsa ligjet e Librave të mëhershëm lejohet veprimi i tyre nëse nuk janë abroguar/anuluar me Kuranin.

 

  • Besimi në Pejgamberë përfshin:
  1. Besimin se shpallja me të cilën kanë ardhur është e vërtetë. Misioni i tyre ka qenë thirrja në teuhid dhe në largimin prej shirkut. Ata kanë qenë të gjithë të mirë, të sinqertë, të devotshëm. Ata Allahu i ka ndihmuar edhe me mrekulli. (Përfshin) Besimin në të gjithë të Dërguarit, pa e mohuar asnjë. Veçanarisht këtu duhet të besohet se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është i Dërguari i fundit dhe se shpallja është përmbyllur me të.
  2. Besimin në emrat e Pejgamberëve ashtu siç janë përmendur në argumente, Kuran e sunet. Atyre që nuk ua dimë emrat, besojmë në mënyrë të përgjithshme.
  3. Besimin në lajmet që janë saktësuar prej tyre, sidomos ato që janë saktësuar prej Muhamedit salAllahu alejhi ue selem.
  4. Veprimin me ligjet/sheriatin e zbritur tek Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.

 

  • Besimi në Ditën e Fundit (Ringjalljes) përfshin:
  1. Besimin në ringjalljen e të gjithë atyre që kanë pasur shpirt dhe kanë vdekur. Ringjallja ndodh kur Israfili i fryen Surit për herën e dytë. Njerëzit do ringjallen të zbathur, të zhveshur dhe të pa bërë sunet.
  2. Besimin se krijesat do të japin llogari për veprat e bëra dhe do të shpërblehen e ndëshkohen.
  3. Besimin ne xhenetin e xhehenemin, dy shtepi të përhershme. Xheneti- shtepia e kënaqësisë që Allahu e ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë, të devotshëm, të bindur, të sinqertë dhe pasues të Pejgamberit të Tij. Xhehenemi- shtëpia e zjarrit të atyre që e kanë mohuar Allahun dhe nuk i janë bindur të Dërguarit të Tij.

(Përfshin) Besimin në jetën e varrit. Kjo përfshin: besimin në sprovën e varrit (tri pyetjet) dhe besimin në ndëshkimin (për jobesimtarët, munafikët) dhe kënaqësinë (për besimtarët) që ndodh në varr.

 

  • Ringjallja pohohet me:
  1. Me Kuran: Ajeti kuranor: “Mandej, pas kësaj ju do të vdisni, pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit.” Surja Muminun 15-16.
  2. Me sunet: Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit do të ringjallen ditën e Gjykimit të zbathur dhe të pa bërë sunet.”
  3. Konsensuesin e dijetarëve.

 

  • Shembuj në Kuran të njerëzve që kanë vdekur dhe janë ringjallur nga Allahu në këtë botë:
  1. Populli i Musës. Allahu i drejtohet popullit hebre: “Kujtoni kur i thatë Musait: “O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”. Atëherë një rrufe ju goditi, ndërsa ishit duke parë. Pas vdekjes suaj, Ne ju ringjallëm, që të bëheni falënderues.” Surja Bekare 55 56. Komentuesit e Kuranit thonë se ata janë ringjallur një pas një, duke e parë njëri-tjetrin duke u ringjallur.

 

  1. Personi i vrarë te populli hebre të cilët nuk e pranonin e vrasjen e tij, dhe Allahu e ringjalli atë e ai tregoi për vrasësin. Allahu thotë: “Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju. Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!” Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni.” Surja Bekare 76.

 

  1. Ata që u frikësuan nga vdekja dhe dolën nga shtëpia për t’i ikur asaj. Allahu i vdeki dhe i ringjalli. Thotë Allahu: “Mendo (o Muhamed) për ata që me mijëra ikën nga qytetet e tyre nga frika e vdekjes. Allahu u tha atyre “Vdisni!” pastaj, i ringjalli ata. Vërtet, Allahu zotëron mirësi të mëdha për njerëzit, por shumica e tyre nuk e falënderojnë.” Surja Bekare 243.

 

  1. Ai që kaloi pranë një banimi të shkatërruar dhe mendoi me vete se si ka mundësi ta ringjallë Allahu këtë banim dhe ata njerëz (i është dukur diçka e pakapshme). Allahu e vdeki për 100 vjet dhe e ringjalli. Thotë Allahu: “Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?” – Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. – “Jo” – i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” Surja Bekare 259.

 

  1. Shpendët e copëtuar. Thotë Allahu: “Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” Allahu i tha: “Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” Surja Bekare 260.

 

  1. Ringjallja e të vdekurve nga Isai, kjo me lejen e Allahut, një prej mrekullive të profetësisë së tij. Allahu i tregon fjalët e Isës i cili ka thënë: “…shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut…” Surja Ali Imran 49.

 

  • Argumentet logjike për ringjalljen:
  1. Krijimi i qiejve, tokës dhe çdo i gjëje, nga hiçi, nga inekzistenca, atëherë ringjallja e tyre është gjë edhe më e lehtë. Thotë Allahu: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Rum 37. Dhe thotë: “Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” Enbija 104.

 

  1. Ngjallja e tokës me shi pas tharjes së saj. Thotë Allahu: “Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit.” Fusilet 39. Dhe thotë: “Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.” Kaf 9-11.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Derset Tri Parimet (transkriptim).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit