Çështje të cilat duhet t’i kujtojmë ditën e Bajramit

Shejhu i nderuar: AbduRrezak ibën AbdulMuhsin El Bedr (Allahu e ruajt)

Vërtetë dita e Bajramit të bereqetshëm është ditë me të cilën Allahu e përfundon muajin e agjërimit dhe i fillon muajt e Haxhit për në shtëpinë e Tij të shenjtë (Qabe).

Në këtë ditë, agjëruesve dhe atyre që faleshin natën, Allahu u jep shpërblime, sevape dhe nderime të shumta. Kjo është festë, me të cilën zemrat e besimtarëve mbushen me gëzim dhe hare, dhe gjoksi i tyre zgjerohet nga kënaqësia dhe lumturia.

Në këtë ditë ata dalin duke e falënderuar, madhështuar dhe madhëruar Zotin e tyre. I gëzohen dhe e falënderojnë Allahun për mirësinë e plotësimit të agjërimit dhe namazit të natës. Shpresojnë dhe llogarisin në shpërblimet dhe sevapet e Allahut, duke e lutur Atë t’ua pranojë veprat e tyre, t’ua shlyejë mëkatet e tyre, dhe t’ua mundësojë, që duke qenë në të mira dhe bindje ndaj Tij, ta presin Bajramin për shumë mote dhe vite të ardhshme.

Mirëpo, janë disa çështje të cilat duhet t’i kujtojmë dhe t’i kemi në mendjet tona ditën e Bajramit.

Pra, duke e përjetuar gëzimin e Bajramit, duhet t’i kujtojmë vëllezërit tanë të cilët exheli i arriti dhe vdekja i përfshiu, prandaj nuk e dëshmuan së bashku me ne tubimin e Bajramit. Ata janë të penguar në varret e tyre, janë peng i veprave të tyre dhe për atë çfarë duart e tyre ofruan, janë të shpërblyer apo të ndëshkuar. Të jeni të bindur se edhe ju do të ktheheni atje ku ata u kthyen, ata janë të parët kurse ju jeni pasues. Prandaj, mos i harroni nga lutjet e juaja të mira, që Allahu t’ua pakësojë gabimet e tyre, t’ua falë rrëshqitjet e tyre, t’ua lartësojë shkallët e tyre (në Xhenet), dhe t’ua shndërrojë varret e tyre në kopshte prej kopshteve të Xhenetit. O Allah! Fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e myslimanëve. O Allah! Fali dhe mëshiroji ata, nderoji ata me mikpritjen Tënde (me Xhenet), ndërsa portën prej nga ata hyjnë zgjeroje!

Kujtojini, ndërsa jeni duke e përjetuar gëzimin e Bajramit me shëndet dhe gjallëri, vëllezërit tuaj të cilët sëmundja i ka paralizuar dhe penguar që të dëshmojnë së bashku me ju tubimin e Bajramit, duke qenë në spitale të shtruar dhe mbi shtretër të pasivizuar. Prej tyre ka që lëngojnë me muaj të tërë, e disa prej tyre me javë të shumta. Mirëpo prej tyre ka, që duke u përpëlitur në dhimbjet lodhëse dhe vuajtjet e mundimshme, nuk i mbyllin kapakët e syve dhe nuk gjejnë prehje mendjet e tyre tërë natën. Edhe ata do të dëshironin t’iu bashkëngjiteshin në këtë gëzim vëllezërve të tyre, prandaj falënderojeni Allahun për shëndetin, gjallërinë dhe selametin në të cilën jeni, dhe mos i harroni nga lutjet e juaja të sinqerta, që Allahu t’i shërojë nga sëmundjet, t’ua largojë vështirësitë, t’ua lehtësojë pikëllimin dhe t’ua heq brengat. O Allah! I shëro të sëmurit tanë dhe ata të myslimanëve tjerë. O Allah! Zoti i njerëzve, largoje vështirësinë që i ka kapluar ata, i shëro ata, Ti je Shëruesi, s’ka shërim përveç shërimit që vjen nga Ti, i shëro me shërim të plotë pas të cilit sëmundja nuk vjen përsëri!

Pastaj, vërtetë qe prej veprave më me vlerë dhe që më së shumti sjell dobi në ditën e Bajramit është vizita e të sëmurëve tek vendet e tyre, ngushëllimi i tyre dhe lutja për ta. Imam Ahmedi dhe Ebu Davudi transmetojnë nga Aliu (radijjAll-llahu anhu) të ketë thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Kur njeriu e viziton vëllanë e tij (të sëmurë) ai ecën mes frutave (të gatshme për t’u vjelë) të Xhenetit, e kur të ulet (pranë tij) mëshira e mbulon nga të gjitha anët. Nëse është mëngjes shtatëdhjetëmijë melaqe luten për të deri sa të vijë mbrëmja, ndërsa nëse është mbrëmje, gjithashtu, shtatëdhjetëmijë melaqe luten për të deri sa të vijë agimi”. [1]

Kujtojini, përderisa jeni duke e përjetuar gëzimin e Bajramit të hareshëm duke qenë në siguri, paqe, rehati dhe qetësi, vëllezërit tuaj të cilët luftërat e shumta i kanë shkatërruar, gjendja e rëndë i ka robëruar, trazirat i kanë shqetësuar dhe armiku i ka robëruar. U derdh gjaku i tyre, u plaçkit pasuria e tyre, gratë mbetën vejusha, ndërsa fëmijët jetimë, prandaj falënderojeni Allahun për sigurinë dhe paqen në të cilën jetoni, dhe mos i harroni vëllezërit tuaj nga lutjet e sinqerta, që Allahu t’ua lehtësojë pikëllimin dhe t’ua heq brengat e tyre, t’ua sprapsë armikun dhe t’u ndihmojë kundër tyre. O Allah! Jepi krenari Islamit dhe myslimanëve në çdo vend të botës. O Allah! Jepi krenari Islamit dhe myslimanëve, kurse poshtëro shirkun dhe mushrikët. I shkatërro armiqtë e fesë, dhe bëje vendin tonë dhe të gjitha vendet e myslimanëve të jenë të sigurta dhe në paqe!

Kujtojini, ndërsa e përjetoni gëzimin e Bajramit të veshur me rroba të shtrenjta dhe tesha të bukura, vëllezërit tuaj të cilët varfëria i ka robëruar, dhe nevojat e të cilëve janë aq të mëdha, sa që ka prej tyre që nuk gjejnë rroba ta mbulojnë trupin e tyre, apo nuk kanë shtëpi në të cilat gjejnë strehë, apo nuk gjejnë ushqim që të hanë, dhe pije që ta shuajnë etjen. Bile ka nga ata që vdesin nga uria shkatërruese dhe thatësia tmerruese, prandaj falënderojeni Allahu për mirësitë në të cilat jeni dhe mos i harroni vëllezërit tuaj nga lutjet e sinqerta, që Allahu t’i pasurojë të varfanjakët e tyre, t’i ushqejë të uriturit e tyre, t’i plotësojë nevojat e tyre, ta largojë skamjen nga ta dhe t’ua mundësojë t’i shlyejnë borxhet e tyre. O Allah! Ti je i Pari dhe asgjë nuk është para Teje, Ti i je i Fundit dhe asgjë nuk është pas Teje, Ti je i Larti dhe asgjë nuk ka më lartë se Ti, Ti je i Afërti dhe asgjë nuk ka më afër se Ti. O Allah! Ua mundëso atyre t’i shlyejnë borxhet e tyre dhe i pasuro ata. O Allah! Ua mundëso atyre t’u mjaftojë hallalli dhe mos të hyjnë në haram dhe që nga mirësitë e Tua mos të kenë nevojë për të tjerë (përveç Teje). Mirëpo, gjithashtu (përveç lutjeve) mos i harroni që t’u ofroni ndihmë nga të hollat, rrobat, ushqimi, mbulojat dhe gjëra të ngjashme. “…Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë”. (El Muzemmil: 20). “…Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë”. (El Bekare: 215).

Kujtojini, ndërsa jeni duke e përjetuar gëzimin e Bajramit pas kompletimit të adhurimeve në Ramazan dhe plotësimit të agjërimit dhe namazit të natës, vëllezërit tuaj të cilët u lidhën dhe u prangosën nga mëkatet dhe gjynahet e tyre. Përderisa besimtarët e zellshëm e kaluan kohën në bindje ndaj Allahut, kurse të mirët dhe të sinqertit garuan se cili prej tyre do t’i afrohej më shumë Atij, ata të shkretit në dëfrimin dhe lajthitjen e tyre dalldiseshin, ndërsa nga bindja ndaj Allahut dhe afrimit tek Ai prapësoheshin, dhe në gjynahe, mëkate dhe gabime qëndronin. Sezoni i adhurimeve dhe i konkurrencës në punë të mira kalon pranë tyre kurse ata nuk lëvizin, prandaj falënderojeni Allahun që ju ndihmoi në bindje ndaj Tij dhe që ju udhëzoi të afroheni më shumë tek Ai. Kërkoni nga Ai qëndrueshmëri në çështje (Fe) dhe vendosmëri në udhëzim, mirëpo mos i harroni edhe vëllezërit tuaj (mëkatarë) nga lutjet e sinqerta, që Allahu t’i udhëzojë në të mira dhe t’i kthejë kah e vërteta me kthim të mirë. O Allah! I udhëzo të devijuarit e myslimanëve dhe i drejto ata të cilët janë në konfuzion. O Allah! I shpëto të sprovuarit (me mëkate) nga ta dhe pranoje pendimin nga gjynahqarët dhe mëkatarët!

Kujtojini, ndërsa jeni duke e përjetuar gëzimin e Bajramit të hareshëm, që Allahu ju ka nderuar gjatë muajit të bereqetshëm të Ramazanit duke i lidhur me vargonj dhe prangosur shejtanët, prandaj nuk qenë të lirë të vepronin kundër jush sikur para tij. Mirëpo pas përfundimit të muajit të Ramazanit dijeni se ata janë ngritur dhe liruar nga vargonjtë dhe prangat e tyre me urrejtje dhe vendosmëri më të madhe, duke tentuar që ta kthejnë atë që iu ka humbur gjatë muajit të Ramazanit nga devijimi i njerëzve dhe joshja e tyre (drejt mëkateve). “Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur”. (Fatir:6). “Dhe thuaj: “O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga nxitjet e djajve, dhe tek Ti mbështetem, o Zoti im, që të mos i kem pranë meje”. (El Mu’minun: 97-98).

Kujtojeni me këtë tubim të ditës së Bajramit, tubimin e madh në Ditën e Kijametit kur do të qëndroni para Zotit të botëve, me këmbë të zbathura, trupa të zhveshur dhe shikime të shtanguara. Ditën kur do shpërndahen regjistrat (e veprave) dhe të vendosen peshoret (e veprave), “Atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë”. (Abese: 34-37). Prandaj përgatituni për këtë ditë me përgatitjen që i takon, dhe furnizohuni (me vepra të mira) deri sa jeni akoma në shtëpinë e veprës (në dunja), sepse vërtetë furnizimi më i mirë është takvaja (devotshmëria). O Allah! I jep shpirtave tanë takvanë (devotshmërinë), dhe i pastro, Ti më së miri i pastron ato, Ti je Kujdestari dhe Mbikëqyrësi i tyre. Na jep sukses në vepra dhe fjalë të mira dhe na e vulos jetën tonë me të mira!

Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammed dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e tij. [2]

Përktheu: Lulzim Perçuku.

———————————————————-

[1] “Musned” (612, 22273), Ebu Davud (3096, në kuptim të ngjashëm), dhe Ibën Maxhe (1442). Shiko “Essilsiletu Essahiha” (1367).

[2] Edhe pse këto fjalë Shejhu i nderuar i ka shkruar rreth Fitër Bajramit, padyshim që këto çështje duhet t’i kujtojmë edhe në ditën e Kurban Bajramit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit