Çfarë keshille keni për gruan të cilës burri ia kundërshton fenë?

Përgjigja: Nëse polemikat mes bashkëshortëve janë në lidhje me këtë botë dhe ai e ngrit zërin, apo sillet me arrogancë, gruaja mos t’ia kthejë me të njëjtën sjellje. Mirëpo, le të veprojë me durim. E nëse në ato polemika ai e shanë apo përqeshë fenë e Allahut, mos t’ia kthejë me të keq, mirëpo le të largohet për në dhomën tjetër derisa ai të qetësohet, pastaj le të debatojë me të me butësi.

I Dërguari sal-lAllahu alejhi we sel-lem ka thënë: “Kudo që hyn butësia, e zbukuron atë gjë e kudo që largohet butësia, shëmtohet ajo gjë.”

Gjithashtu, gruaja le t’i kryejë obligimet ndaj bashkëshortit, në çdo aspekt. Le të kuptojë ai se praktikimi i saj i Islamit është rruga e cila e ka edukuar atë (gruan) të sillet në mënyrën më të mirë dhe se vetëm në këtë rrugë gjendet lumturia dhe kënaqësia në këtë dunja dhe ahiret.

Gruaja mos të ndalet me këshillat ndaj burrit, vazhdimisht ta këshillojë atë, mirëpo mos ta teprojë. Le ta zgjedhë momentin e duhur për këshillë, kur ai është në disponim dhe i gatshëm ta pranojë këshillën.

Ajo të mos i flasë vazhdimisht për fe, sepse ai nuk është i gatshëm që tërë kohen të dëgjojë të flitet rreth fesë. Prandaj, disa njerëzve nëse vazhdimisht u flitet për fe, atëherë do u vije në maje të hundës dhe thonë: “Filloi të flasë!” Kështu, ata do të irritohen.

Pastaj, vetë shpirti i njeriut nuk është i gatshëm që vazhdimisht t’i flitet për fe, shpirti dëshiron që bisedat të jenë nga pak edhe rreth dunjas, sado i devotshëm që është njeriu.

Iben Mesudi radijjAllahu anhu duke e sqaruar këtë thoshte: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi we sel-lem nuk na fliste rreth fesë tërë kohën, mirëpo herë pas here.”

Po ashtu, le të vazhdojë me edukimin e fëmijëve në Islam.

Gruaja le t’i tregojë burrit të saj se nëse ai fillon me praktikimin e Islamit, atëherë dashuria dhe respekti i saj ndaj tij do të shtohet edhe më shumë, e kështu do të arrini një jetë të lumtur në Kënaqësinë e Allahut dhe me lejen e Tij do të jeni bashkë në Xhennet.

Bashkëshortët le të ulen e të diskutojnë së bashku me fjalë të mira dhe butësi, duke analizuar se ku qëndron problemi mes tyre, e të tema të tilla.
Gruaja e udhëzuar në Islam, le t’ia sqarojë burri të saj, i cili ende nuk e ka filluar praktikimin e Islamit, se kjo fe është për të mirën e tij, sepse kjo fe e mëson gruan që t’i bindet burrit, mirëpo jo kur ai e urdhëron në mëkate.

E nëse problemi qëndron te çështja se ai nuk do që tjerët t’ia shohin gruan në rrugën e fesë, atëherë le t’i thotë atij që të tregohet i mençur e të kërkojë zgjidhje me të cilën do ta arrijë kënaqësinë e gruas dhe të fëmijëve të tij, e jo të mundohet t’i kënaqë të tjerët, sepse s’do t’ia arrijë kurrë; fjalët e njerëzve kurrë nuk ndalen, prandaj burri i mençur është ai i cili angazhohet se si të arrijë një jetë të lumtur me gruan e tij, pa marr parasysh se çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët. Askush nuk ia do të mirën atij më shumë sesa gruaja e tij.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit