Çfarë t’u themi disave që thonë “ju me mbulesa jeni bllokuar e nuk shkoni në dasma me të gjithë njerëzit?

Pyetje: “Çfarë t’u themi disave që thonë “ju me mbulesa jeni bllokuar e nuk shkoni në dasma me të gjithë njerëzit?” 

Këto fjalë zakonisht i thonë njerëzit të cilët nuk e dinë qëllimin e jetës. Shumë njerëz mendojnë se qëllimi i jetës është të hanë, të martohen dhe të vdesin. Por, qëllimi është adhurimi ndaj Allahut, të Vetmit. Njeriu gjatë gjithë jetës duhet të punojë për këtë qëllim. Pastaj i vjen vdekja, e pas vdekjes është llogaridhënia. Sa më shumë që ka arritur ta realizojë këtë qëllim, aq më shumë do të shpërblehet tek Allahu. Sa më i mangët që ka qenë në këtë, ose do të ketë shpërblim të mangët, ose do të ketë dënim, kjo varësisht prej mangësisë drejt këtij qëllimi, e dikush do të dënohet pafundësisht ngase nuk është munduar fare të punojë për këtë qëllim.

Besimtari nuk ka ardhur që këtë jetë ta kalojë nëpër ahengje e dëfrime, në të cilat e zemëron Allahun. Por, duhet ta sqarojmë këtë çështje. Dasmat, nëse në to nuk ka harame (muzikë, përzierje të gjinive, alkool), nuk janë të ndaluara në Islam. Madje, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka lejuar për gratë që në dasma të rrahin defin (pa cingla) duke kënduar këngë të cilat lejohen, pa teprime, pa fjalë të ndaluara në to, si dhe pa e ngritur zërin që të mos i dëgjojnë meshkujt e huaj. Me këto kushte, lejohet bashkimi i grave në një vend duke festuar martesën e dikujt, nuk ka të keqe.

Islami nuk ka ardhur që njeriun ta kufizojë dhe bllokojë. Mirëpo, Islami ia njeh njeriut mundësinë  e gëzimit dhe shprehjes së haresë, porse brenda suazave të fesë, pa bërë harame, apo shkelje e vepra  të cilat pastaj besimtarit i sjellin pasoja në të dy botët.

Neve nuk duhet të na brengosin shumë këto fjalë që na thonë, ngase ne duhet t’i shohim njerëzit me atë sy siç e sheh mjeku të sëmurin. Ata kanë sëmundje, qëllimi me sëmundje këtu është sëmundje e devijimit, janë në rrugë të gabuar, dhe ne duhet përpjekur në shërimin e tyre. Ata (që thonë kështu) janë të padijshëm dhe nuk e kanë kuptuar ende qëllimin e vërtetë të jetës, andaj dhe flasin ashtu, si dhe na shohin neve se jemi gabim. Pra, drita e udhëzimit ende s’ka depërtuar në zemrat e tyre, qëndrojnë në errësirë, dikush më pak e dikush më shumë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit